“Post Bllok”, kujtesa e diktaturës nga Berlini në Spaç

Mar 27, 2013 | 12:33
SHPËRNDAJE
Memoriali “Post Bllok” i përuruar dje

Vendosur në hyrje të lagjes më të famshme të Shqipërisë, dikur më të mbrojturës, sa të jepej përshtypja se bëhej fjalë për një bllok ambasadash të huaja, memoriali “Post Bllok” duket se ka një kuptim të dyfishtë. “Post Bllok”, sepse dikur aty kishte ushtarë që nuk lejonin që ndokush të hynte në territorin “përtej”, atje ku jetonin familjet e pushtetarëve komunistë dhe “Post-Bllok” apo “Pas-Bllokut”, si për të treguar atë çfarë ndodhi pas përmbysjes së “bllokut komunist”. Pas një pune intensive të dy ideatorëve dhe realizuesve, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, u përurua dje memoriali-kujtesë e viteve të diktaturës. Një shenjë për të mos harruar atë çka shqiptarët kaluan për gati 5 dekada. Gjithçka është konceptuar në formën e një instalacioni, ku janë përfshirë simbole jo vetëm të diktaturës shqiptare, por edhe asaj botërore. Një strukturë betoni 3.6 metra e lartë, një nga 120 segmentet e Murit të Berlinit që ndau gjermanët për 28 vite, e cila u soll në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, një bunker që për vite ruajti hyrjen e ish-Bllokut dhe disa shtylla nga galeritë e Spaçit, janë elementët që përbëjnë këtë memorial. Në përurim morën pjesë Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper, përfaqësues të të Përndjekurve Politikë etj.

Kryeministri Berisha dje në përurimin e memorialit

Përpara memorialit
Shiu i rrëmbyer i ditës së djeshme nuk e pengoi ceremoninë e përurimit të “Post Bllokut”, edhe pse kjo kushtëzoi shumë njerëz të ishin të pranishëm në zbulimin e memorialit apo shumë të tjerë, të strukur nën çadra, që të mos e shijonin siç duhej këtë ngjarje. Megjithatë edhe shiu dukej se ishte pjesë e simbolikës, si për të treguar se sa e zymtë ka qenë periudha e bunkerëve, galerive të minierave, kampeve të internimit, mureve të ndarjes… “Ne shqiptarët kemi shumë e shumë arsye që të rikujtojmë të shkuarën tonë, në mënyrë që të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë. Të nderojmë dhe rikujtojmë ata që u sakrifikuan për vlerat më të arrira njerëzore dhe hyjnore”, u shpreh Berisha. Duke e lidhur me eksperiencat personale, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh e mallëngjyer, duke shprehur falënderimet “për ata njerëz që e donin këtë vend, për ata njerëz që nuk pranonin as diktatorin, as heqjen e lirisë, as refuzimin e fesë, as dhunën, as bllokimin”. Ambasadorja gjermane, Holtkemper, tha: “Procesi i menaxhimit të së shkuarës shpesh është i vështirë dhe i mundimshëm, prandaj është kënaqësi të shoh se si gjermanët dhe shqiptarët përpiqen nëpërmjet dialogut të kujtojnë të shkuarën, në mënyrë që të mos përsëriten dëmet që kanë ndodhur”.
Më tej, ajo u shpreh se “këtu është fjala për një monument gjermano-shqiptar kundër regjimit totalitar” dhe se “ne dëshirojmë të mbetemi agjentë të ndryshimit në Shqipëri për një të ardhme të përbashkët europine”. Ndërkohë që kreu i Bashkisë së Tiranës, që edhe kontribuoi në ngritjen e kësaj vepre, Lulzim Basha, duke vlerësuar gjetjen e autorëve, u shpreh se “Duke kujtuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë, ne jemi më të qartë për të sotmen dhe për të ardhmen dhe sidomos për brezin e ri”.

Dy autorët e memorialit, Ardian Isufi dhe Fatos Lubonja

Autorët
Ata më fjalëpakët gjatë zbulimit të memorialit “Post Bllok”, në një nga hyrjet e ish-Bllokut, aty ku kryqëzohet rruga “Ismail Qemali” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ishin pikërisht autorët. Për njërin prej tyre, publicistin fatos Lubonja, realizmi i këtij memoriali nuk ishte thjesht një “punë” apo një “krijim”, por ndarje e përjetimeve personale. Ato harqe të shkëputura nga galeritë e Spaçit, të cilat u ngjajnë pikturave abstrakte të Maks Velos, janë dëshmitare, jo vetëm të vuajtjeve të tij, por edhe të qindra shqiptarëve që vuajtën dënimin aty. “Është një lloj dedikimi nga ana ime e të gjithë atyre që nuk mundën dot të kapërcejnë kohën e diktaturës dhe ta jetojnë këtë kohë”, u shpreh Lubonja. Ndërsa për artistin Ardian Isufi ato elemente betoni të varfra, sjellë nga Spaçi, ai bunker dhe ajo copë muri nga epoka e Luftës së Ftohtë janë simbol i një epoke izolimi, por mënyra se si ato janë sjellë, nuk të lënë indiferent, por e ftojnë vizitorin t’i shohë nga afër dhe të prekë me duar një pjesë të historisë.

Shoqërohet në polici ish-i përndjekuri Skënder Tufa
Ish-i përndjekuri Skënder Tufa dhe dy persona të tjerë, Petrit Lipja dhe Dejzo Dhembi, u shoqëruan dje në Polici, gjatë ceremonisë së përurimit të memorialit “Post Bllok”. Ish-të përndjekurit janë përpjekur të afrohen pranë aktivitetit, ndërkohë që nuk janë lejuar nga truprojat që shoqëronin personalitetet që morën pjesë në ceremoni. Duke u përpjekur të çajë gardhin e truprojave, Tufa u shpreh se dëshironte të ishte pjesë e ceremonisë, duke qenë se aty po përurohej një memorial që u dedikohej edhe ish-të përndjekurve. “Duam të shohim se ç’bëhet. Aty po përurohet një bunker…”, përsëriste ish-i përndjekuri, i cili pasi i ra rreth turmës, më pas u shoqërua bashkë me personat që e shoqëronin, në komisariat. Ndërkohë në radhët e para të ceremonisë kishte të tjerë përfaqësues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve. Ky incident nuk ndikoi në vijimësinë e aktivitetit.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura