Jo vetëm për shkak të postit në krye të Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, por mbi të gjitha, për shkak të kujdesit që ajo kishte që i shoqi, i tronditur nga sëmundja e zemrës, të mos shqetësohej, Nexhmije Hoxha ishte kthyer në “gardianen” e informacionit drejt Enver Hoxhës.
Shumë syresh ajo ia jepte me vonesë, ose thjesht i mbante sekret. Po ashtu, ajo ishte një nga “dy inkuizitorët” e mëdhenj të artit dhe letërsisë, bashkë me Ramiz Alinë, me të cilin do ta lidhte edhe një krushqi, lidhja në martesë e të birit, Ilirit, me mbesën e tij, Teutën.
Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku”, botuar nga “UET Press”, tregon prapaskenat e jetës në shtëpinë e ish-diktatorit Hoxha; ai zbërthen portretin e Nexhmije Hoxhës, i pakapshëm nga asnjë piktor; si ia mbante të fshehta informacionet; si qarkullonin thashethemet në lagjen e Bllokut; a ishte e stisur lidhja mes Ilirit dhe mbesës së Ramizit, si një marrëveshje mes Nexhmijes dhe këtij të fundit për të zënë vendin e pasardhësit, që deri më atëherë ishte Mehmet Shehu; si u lidh Sokoli me Lilianën; cila ishte dëshira e fshehtë e Enverit?
ISUF KALO
DY INKUIZITORËT E LETËRSISË DHE ARTIT
Pavarësisht nga kujdesi që tregonte Nexhmija për ta ruajtur veten nga kritikat dhe gabimet, posti që kishte, ai i inkuizitores dhe retushimit të fshehtë të dokumentacionit të Partisë dhe veprimtarisë së saj, e veçanërisht të Enverit në planin historik dhe ideologjik, si dhe roli i filtrimit nëpërmjet saj i prodhimtarisë letraro-artistike në hullinë e realizmit socialist puritan shqiptar, e vinte atë pashmangshmërisht në role vendimmarrëse me implikime konfliktuale me një numër intelektualësh, filozofësh, krijuesish veprimtarë të fushës së artit dhe kulturës. Konflikti krijohej vetvetiu prej konceptimit të natyrës dhe rolit të artit, me atë që ideologjia konservatore komuniste donte t’i impononte.
Kërkohej që arti ynë socialist të pasqyronte “jetën reale”, sidomos atë virtuale. Ndërkohë që edhe një personalitet i shkencës, pa qenë i artit, Ajnshtajni, e kishte kuptuar se “arti duhet të respektojë spektatorin, jo jetën”.
Ai duhet të shikojë, të ndjejë dhe të zbulojë të padukshmet edhe përtej saj. Arti është rrëfim shpirtëror, i cili detyrimisht duhet të jetë i sinqertë. Palca e tij është sinqeriteti.
Po i mungoi ky, kthehet në sharlatanizëm. “Është më mirë, thotë një artist i madh, që falë sinqeritetit të na urrejnë për si e për çfarë jemi vërtet, sesa të na duan për maskën që mbajmë”. Nuk jam i sigurt nëse Nexhmija e kishte formimin e duhur artistik dhe estetik që të vlerësonte profesionalisht krijimet që i jepeshin në dorë. Në mungesë të tyre, ajo kufizohej në vlerësimin e tyre nëse përputheshin apo jo me kallëpin ideologjik të standardizuar nga partia.
Kështu roli i saj thjeshtohej. Çfarëdo që dilte jashtë formës e masës së kallëpit, pavarësisht nga vlera e përmbajtjes, mënjanohej, ndalohej, ose flakej, a kthehej mbrapsht për riformatim. Vetvetiu ky post e ky rol e vinte atë edhe në lidhje të drejtpërdrejtë me sektorin ideologjik, të kryesuar prej Ramizit.
Asnjë libër i ri, qoftë edhe thjesht letrar, dramë, roman apo poezi nuk botohej pa pëlqimin e të dyve. Mekanizmi i vetëm shpëtues i saj për mosgabueshmërinë parimore ideologjike ishte moslënia gjurmë, përcjellja e përgjegjësisë te dikush tjetër me moton: “Nuk e kam parë unë”, “nuk e kam thënë unë”, “nuk kam urdhëruar unë”, “nuk e kam nënshkruar unë”. Kjo ishte rrjedhojë e kulturës tipike të asaj kohe të “informalitetit verbal”.
Mendimet dhe vendimet komunikoheshin shpesh në telefon ose gojarisht në formë vërejtjesh, porosish, por shpesh jo me procedura të verifikueshme e të dokumentuara me nënshkrime. Nexhmija i jepte vlerësimet vetëm në mënyrë zyrtare. Nuk kam pasur asnjë rast të dëgjoj për to nga goja e saj në biseda të lira.
Vetëm një herë pata tundimin që t’i merrja një mendim, kur, pas vizitës mjekësore që i bëra, pashë mbi komodinën pranë shtratit të saj librin e Sabri Godos “Ujërat e qeta”. Me Sabriun kisha miqësi. Ai ishte person mjaft i këndshëm dhe në atë kohë nuk ishte ende i përfshirë në jetën politike, por pati shkruar për Ali Pashë Tepelenën, çka më pati bërë krenar, duke qenë vetë me origjinë nga Tepelena.
“Oh, libri i fundit i Godos ky?”, pyeta unë, me shpresë të hapja bisedën. “Po, po”, tha ajo shkurt, duke ma prerë menjëherë fjalën. Pas kësaj unë nuk e zgjata më tej.
Në dallim nga njerëzit e thjeshtë, të cilëve u kushtonte pak vëmendje, personat me pozita më të larta shtetërore ose partiake, ata që kishin një emër qoftë në nivel drejtori, Nexhmija i priste me shumë nderim e korrektësi. Ndonjëherë madje, aq përulësisht sa dukej si servilizëm befasues.
Sidomos kur fjala ishte për anëtarët e Byrosë, qofshin ata rishtarë. Ishte, sipas meje, instinkti ose disiplina tipike e respektit për nomenklaturën sipas modelit autoritar sovjetik.
Pas disa vitesh pune në Bllokun e udhëheqësve, jam habitur kur kuptova se ai ishte si një zgjua fjalësh, ku të vërtetat, shpifjet, intrigat dhe hamendësimet e tyre zinin një peshë të rëndësishme në formimin e opinioneve, interpretimeve dhe në vendimmarrjet e disa prej banorëve që ishin titullarët e lartë të tij. Nexhmija vetë nuk merrej me fjalë. Madje nervozohej kur ia thoshin. Preferonte të mos i dëgjonte dhe të mos përzihej.
Por, në disa raste, bëhej sensitive. Sidomos ndaj opinioneve të njerëzve dhe përgojimeve që bëheshin për atë vetë, për familjet Hoxha dhe Xhuglini, por dhe ato për udhëheqjen e qeverisjen në tërësi. Tek ajo lajmet e reja të tipit grarishte vinin më rrallë sesa te gratë e tjera të Bllokut. Sepse përveç Vito Kapos dhe Fiqiretja Shehut, ajo kishte pak kontakte me të tjerat. Nexhmija qëllimisht qëndronte larg tyre.
Nexhmija e kishte jo të shprehur instinktin femëror të kuriozitetit. Feminilitetit të saj i mungonin përdredhjet, llastimet dhe narcizizmi. Termogjeneracioni shpirtëror i saj rrezatonte pak ngrohtësi. Ajo përjetonte një vetizolim, një shkëputje nga njerëzit e zakonshëm dhe nga jeta. E evitonte përzierjen e saj në përgojime për të mos e komprometuar veten me persona me besueshmëri të dyshimtë.
Kjo interpretohej si ftohtësi shpirtërore. Këto dhe militantizmi ideopolitik i rrënjosur tek ajo e kishin “mashkullizuar” disi dhe shndërruar në “shoqe klasike Partie”, me parime të palëkundshme të dogmës komuniste. Këto i pashë të pasqyruara në një farë mase edhe te një portret i saj, i vetmi me sa di, i realizuar nga piktori Z. Sh., i njohur asokohe si portretist i shquar.
Ai pat pikturuar edhe një portret të Enverit. Portreti i Nexhmijes u porosit nga Sulo Gradeci në emër të personelit që u shërbente atyre, si dhuratë për Enverin në 75- vjetorin e tij të lindjes.
Piktori paraqiste një Nexhmije ikonistike, të ulur në karrige, me një libër në dorë a mbi gjunjë, me kostum gri të çelur, me kokën lart, krenare, por si e ngrirë, e ngurosur dhe me vështrim të sforcuar trimëror. Me fjalë të tjera, një Nexhmije e ngrefosur që pozonte, jo Nexhmija e së përditshmes së zakonshme të saj.
Artistikisht portreti nuk përputhej me kredon e “Manifestit të realizmit” të Gustav Courbetit, të cilin e ka analizuar me aq mjeshtëri kritiku i ndier Gëzim Qendro në libërthin mahnitës të tij “Heronjtë kanë uri”. Sipas atij “Manifesti”, “njerëzit duhet të pikturohen me sinqeritet, me zakonet dhe brenda natyrës së tyre në kohën që janë duke përmbushur funksionet rutinë e, sidomos, pa poza, pra të kapur si të thuash në befasi”.
Mirëpo a kishte burrë nëne që ta kapte Nexhmijen në befasi, pa e ditur, ose pa marrë ajo masa paraprake? Unë asnjëherë nuk e pashë atë të relaksuar, asnjëherë duke kënduar me zë apo heshturazi me vete, për kënaqësinë e saj, asnjëherë të pakrehur mirë, apo të paveshur siç e donte rasti, asnjëherë me rroba banje apo me bikini. Atë portret në beze, me dimensione besoj 90 x 70 cm, Enveri e mbajti si relikte personale dhe, me sa di, nuk u ekspozua asnjëherë në publik.
Ai e vari atë në murin e dhomës së gjumit, përballë krevatit ku flinte. Por Nexhmija e vërtetë autentike nuk ishte aty. Sepse e plotë, me variacionet dhe kontrastet e brendshme të saj, ajo nuk pikturohej dot. Ndoshta prandaj nuk ka portrete të tjera të saj. Ajo vetëm mund të përshkruhej, të ndihej ose të imagjinohej. Dhe të besohej më pas apriori ose jo, si e tillë. Ndërkaq, ajo ishte mjaft e ndjeshme ndaj informacioneve me interes për partinë dhe Enverin. Edhe këto i seleksiononte.
Ato që mund t’ia “prishin gjakun atij” i rezervonte, deri sa gjente momentin e përshtatshëm që t’ia thoshte, ose i fshinte fare nga lista. Përgojimet, mëritë, çështjet personale, morale, pa kontekst politik, në shumicën dërrmuese mbeteshin të shpërfillura prej saj e nuk i përcilleshin Enverit.
Një rast i tillë ishte kur i kishin shkuar fjalë në vesh, në rrugë jo zyrtare, për disa bëma e iniciativa të Sulo Gradecit, të kryera pa dijeninë apo kërkesën e saj, gjoja “në të mirë të shokut Enver” dhe familjes së tij, lidhur me komfortin dhe plotësimin e disa nevojave personale të tyre. Do të vinte një moment më pas, kur thashethemnaja e qytetarëve do të përdorej si armë efikase kundër Mehmetit, për të kryer një nga përmbysjet më të mëdha në hierarkinë më të lartë të pushtetit.
Kurse pas rënies së regjimit ato do të ishin arma me të cilën do të goditej publikisht rëndë vetë ajo, nga ish-miq të pasinqertë apo kundërshtarë e kritikë të vjetër e të rinj të Enverit e ndaj vetë asaj.
PARAARDHËSI
Një fjalë e urtë thotë: “Po pe një breshkë në majë të shtyllës, mendo se dikush e ka ngjitur atje lart”. Në kuptimin e ngadalësisë dhe hezitimit në reformimin e pritshëm, ajo dukej si e thënë për Ramizin.
Fati e ndihmoi atë që ai të lidhej familjarisht me Enverin. Përveç miqësisë së vjetër kolegiale me Nexhmijen, për të u shtua një lidhje e re, më e fortë. Mbesa e tij, Teuta, gjimnaziste 17-vjeçare, e re, shtatlartë, mjaft tërheqëse, u martua në vitin 1974 me Ilir Hoxhën, djalin e madh të të parit të Shqipërisë.
Djalë me profesion inxhinier, shtatlartë, i pashëm dhe mjaft i sjellshëm. A ishte kjo lidhje fat i rënë nga qielli për të dy të rinjtë, apo patën rol edhe Ramizi e Nexhmija në të?
Nga persona tendenciozë apo me interesa të panjohura ka pasur aludime subjektive, nisur thjesht nga hamendësime për një aleancë të fshehtë Ramiz–Nexhmije, me synim krijimin e kësaj lidhjeje mes dy të rinjve, për t’u përdorur më pas prej tyre në kuadrin e rivaliteteve të personave apo grupeve në udhëheqjen e lartë në pasimin e Enverit. Pra, sikur lidhja e dy të rinjve nuk ishte e natyrshme, nuk kish sentiment, por ish gatuar për “interesa ose arsye shtetërore”.
Pavarësisht çfarë mund të kenë pasur në mendje e dëshirë Ramizi dhe Nexhmija, lidhja mes dy të rinjve është e sigurt qe ka qenë spontane, siç ndodh shpesh në të tilla raste.
Pra, e frymëzuar nga tërheqja e natyrshme e dyanshme e të rinjve, prej pamjes fizike, paraqitjes së admirueshme të jashtme, përputhjes së tipave, shijeve e karaktereve, pse jo edhe prej “magnetizmit hormonal të moshës”. Në librin me kujtime që ka botuar Teuta e ka pasqyruar hollësisht se si lindi dhe si rrodhën në mënyrë të përshkallëzuar ngjarjet në marrëdhëniet e tyre, deri në martesë.
Sikur të dy të rinjtë të kishin pasur jo ata mbiemra të njohur, por të zakonshëm, askush nuk do ta shihte si të pazakontë lidhjen mes të tyre. Në kohën kur ata u afruan, u dashuruan dhe u lidhën me njëri-tjetrin, çështja e pasardhësit të Enverit as që diskutohej. Ai, pa dyshim, ishte Mehmeti, ose me ndonjë manipulim Hysniu. Por kurrsesi nuk llogaritej Ramizi.
Teutën e kam takuar për herë të parë në vitin 1973, kur e vizitova, si mjek, për një shqetësim shëndetësor në shtëpinë e vjetër të Enverit, ndërkohë që ishte zyrtarizuar si e fejuara e Ilirit. Enveri asokohe banonte përkohësisht në Vilën nr. 4, brenda territorit të Pallatit të Brigadave.
Ajo ishte vashëz ende njomëzake, me lëkurë të mirushqyer, e qeshur, e disi e ndrojtur, me flokë të gjatë, të dendur, ngjyrë kadifeje, të derdhur mbi supe e me sy bojë qielli. Rrezatonte rini dhe dukej e kënaqur nga jeta dhe e lumturuar nga fati, për ato çka ai i kish dhuruar. Në kthim nga takimi me të, atë ditë, kolegët e mi kuriozë më pyetën se si ishte ajo. Mua m’u kujtua atë çast një krahasim i Kadaresë në romanin “Dasma”: “Për nusen pyesni? – u thashë. Ishte si hutim i bukur”.
Sipas një rekomandimi të hershëm të udhëheqjes sovjetike, lidhjet nepotike të krushqisë mes familjeve të Bllokut nuk duheshin lejuar. Dikur, lidhjet e tilla më të shumta familjare i pati familja e Hysni Kapos. E shoqja e tij, Vitoja, kishte për vëlla Piro Kondin, kurse ky kishte grua motrën e gruas së Manush Myftiut.
Ndërkohë, motra e Hysniut ishte e martuar me Xhelil Gjonin, kurse motra e Vitos me Gaqo Neshon etj. Pati pashmangshmërisht tek-tuk romanca spontane rozë mes të rinjve brenda Bllokut, por për hir të atij rekomandimi, ato u ndërprenë disi brutalisht që në fillesë prej ndërhyrjes së prindërve të tyre. Në këtë kontekst, gjatë viteve të miqësisë me kampin socialist, krushqi të tilla u frenuan prej Enverit.
Por Kremlini ishte tashmë 15 vjet larg. Për më tepër, në rastin e lidhjes së Ilirit me Teutën ai ndalim nuk kishte sens, sepse familja e Teutës asokohe nuk banonte në territorin e Bllokut dhe prindërit e saj nuk qenë pjesë e nomenklaturës së lartë.
Familja Alia dikur për disa vite kishte banuar së bashku në të njëjtën banesë si familje e madhe, meqë Reshati, i ati i Tetuës, ishte vëlla me Ramizin. Por prej shumë vitesh ata jetonin veçmas, secili me familjen e vet.
Këto rrethana besoj e bënë Nexhmijen dhe Ramizin të shpërfillnin rregullat e ndalimit të krushqive mes bllokmenëve dhe ta bekonin lidhjen Teuta-Ilir. Ka gjasa që për Nexhmijen një arsye shtytëse e pëlqimit të vajzës që i biri pati zgjedhur për shoqe jete të ketë qenë hijeshia e saj si “e re, e bardhë, e bukur”. Thuhej se Nexhmijes “i kulluan sytë”.
Fundja çdo nënë e do të bukur yll nusen e djalit. Dhe Nexhmija nuk kish pse bënte përjashtim. Në fakt, kjo ishte “nusja e dytë” që i prezantohej nga djemtë. Të parën ia pati sjellë në shtëpi që në vitin 1968 Sokoli, djali i dytë i saj, duke e prezantuar fillimisht si shoqe të gjimnazit, bashkëmoshatare me të.
Asokohe të dy ata ishin vetëm 16 vjeç. E buzëqeshur, në dukje e ndrojtur, e thajme, me tipare e pamje të këndshme edhe ajo. Nusja e parë ishte nga një familje e thjeshtë, e nivelit jointelektual e joelitar, por prindërit i kishte të dy komunistë, militantë aktivë. Thuhej se Nexhmija pati dyshuar fillimisht se kjo miqësi e djalit të vogël me një bashkëmoshatare, shoqe shkolle, ende të pamaturuar, mund të ishte flirt shkollor kalimtar adoleshentësh dhe nuk përjashtohej mundësia që një mëngjes i biri të zgjohej me mendje tjetër.
Me sa thuhej, ajo pati ngarkuar Ilirin, djalin e madh, të bisedonte në intimitet, me takt me të vëllanë e vogël, për ta këshilluar që të mos ngutej, të mos krijonte telashe të pakëndshme dhe të mos bënte hapa të nxituar, të parakohshëm, meqë ishte ende adoleshent, në moshë jo të përshtatshme për të marrë vendime jetësore.
Por lidhja e tyre nuk u ndërpre. Katër vite më pas, në vitin 1972, kur bashkëmoshatarja e tij mbaroi studimet universitare, e vazhdoi njëlloj, pa e shkëputur, lidhjen e krijuar në vitet e gjimnazit. Të dy të rinjtë nuk e patën të pamundur të merrnin miratimin e dyanshëm prindëror e të fillonin bashkëjetesën në shtëpinë e vjetër të Enverit, pa bërë ceremoni martese.
Ndërkohë, Enveri dhe Nexhmija përjetonin probleme të mëdha në lidhje me sëmundjen e rëndë të tij, infarktin e zemrës. Asokohe ata ishin zhvendosur përkohësisht te Vila nr. 4, pranë Pallatit të Brigadave, në pritje të përfundimit të ndërtimit të shtëpisë së tij të re, ngjitur me të vjetrën.
Kjo e fundit u mbajt e paprishur, me idenë që të shërbente si muze, që të demonstronte sesa thjesht kishte jetuar Enveri gjatë 30 viteve, në hapësirë aq të ngushtë me familjen tashmë të madhe.
Në muajin tetor 1973, në 65-vjetorin e ditëlindjes së tij, Enveri u godit për herë të parë rëndë nga infarkti në zemër, duke u vënë në rrezik për jetën, çka atëherë nuk kalohej lehtë dhe nuk i dihej fundi. Ai vetë ishte martuar disi vonë, në moshën 36-vjeçare dhe ishte bërë baba për herë të parë në vitin 1949, në moshën 41-vjeçare.
Në moshën që kishte atë vit, dhe në situata shëndetësore të tilla delikate, fill pas infarktit të miokardit, martesa e fëmijëve dhe dëshira të bëhej gjysh, si eveniment madhor prindëror, doli natyrshëm në plan të parë.
Mesa pata kuptuar në atë periudhë të vështirë shëndetësore, Enveri dëshirën më imediate kishte të shihte të fejuar vajzën e vetme të tij, Pranverën, e cila i kishte kaluar të 20-at. Për të dukej se ndiente afeksion prindëror të veçantë.
Njësoj si Stalini për vajzën e tij, Svjetllanën, të cilën ai e thërriste me përkëdheli “bilbili im i vogël”.
Kjo ndoshta edhe për shkak se Enveri asokohe ishte i informuar që të dy djemtë kishin krijuar tashmë lidhje, pra i kishin gjetur kandidatet që do të bëheshin përkatësisht shoqet e tyre të jetës.
PJESA E TRETE
LEXO EDHE
“I ndryshoi zëri dhe mu duk sikur u përlot kur më tregoi…”/ Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës tregon gjendjen e rënduar pas infarktit dhe përplasjen me mjekët kinezë (PJESA 1)
“Nëse ndodh gjë më lajmëro të parin nga telefoni i Nexhmijes”/ Ish-mjeku personal i Enverit rrëfen bisedën me Mehmet Shehun pas krizës shëndetësore të diktatorit. Kush do të pasonte, cilët ishin rivalët kryesorë për pushtetin (PJESA 2)
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al