Prefekti i Elbasanit: Ju tregoj gjyshin tim, firmëtarin e Pavarësisë

Nov 23, 2012 | 12:23
SHPËRNDAJE
Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi

Rrëfehet Shefqet Deliallisi: Themelues i Shijakut.

Ymer Deliallisi, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit. Shpallën pavarësinë në Durrës, Tiranë e Elbasan.

Një rrëfim i veçantë vjen nga prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi.  Ai tregon historinë e familjes së tij, pikërisht të gjyshit, Ymer Deliallisi, i famshëm në Shqipërinë e Mesme për bashkëpunimin me patriotët në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar me Ismail Qemalin. Detajet e jetës politike të Deliallisve, që nga krijimi i qytetit të Shijakut, firmosja e Deklaratës së Pavarësisë e persekutimet e familjes në kohën e diktaturës, shprehen qartë në këtë intervistë.
Ju jeni nipi i Ymer Deliallisit, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë. Në prag të 100-vjetorit, mund të dimë më shumë për të?
Në fakt, nënshkrues të Pavarësisë janë dy Deliallisë, gjyshi im, Ymer Deliallisi, dhe kushëriri i tij, Xhemal Deliallisi. Këta kanë përfaqësuar Shijakun në Kuvendin e Vlorës.
Dy pjesëtarë të një fisi?
Në fakt, s’kishte si të ndodhte ndryshe. Shijaku është i lidhur pazgjidhshmërisht me Deliallisët. Janë ata që e kanë themeluar qytetin.
Në ç’kuptim?
Sipas Teki Selenicës, në librin “Shqipnia në vitin 1927”, Shijaku është krijuar më 1880-n nga Sali bej Deliallisit. Qyteti është pagëzuar me emrin Shijak nga një kishë që ka qenë në kodrën përmbi qytet, Kisha e Shën-Jakut, e cila ndodhej në kodrën përballë Kishës së Shën Vlashit. Historiografia komuniste në asnjë rast nuk e ka përmendur emrin e njeriut që themeloi Shijakun për faktin se pasardhësit e tij u masakruan egërsisht nga regjimi komunist si kundërshtarë të tij. Për këtë arsye, propaganda komuniste i fshiu emrat e të gjithë Deliallisve të shquar, ndër ta edhe emrin e gjyshit tim, Ymer bej Deliallist, njëri prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë në Vlorë, ndër më të shquarit e Deliallisve.

Ymer Bej Deliallisi, vepër e piktorit Arben Morina

Le t’i kthehemi gjyshit tuaj, Ymer Deliallisi…
Është fat që kujtime të tij të shkruara me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë në vitin 1937 ekzistojnë, madje edhe në Arkivin e Shtetit.
Ymeri lindi në Shijak, në vitin 1872. Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit, për të vazhduar me studimet në Stamboll. Qysh në vitin 1900 u lidh me atdhetarë të njohur në kolonitë shqiptare, në Egjipt dhe Bukuresht. Në vitin 1908 mori pjesë aktive në përhapjen e ideve kombëtare, siç shkruan Ibrahim Dalliu në librin “Patriotizma në Tiranë” (1930). “Shtëpia e Ymer Deliallisit, – shkruhet në libër, – ishte kthyer në fole patriotësh të ndjekur nga regjimi turk”. Veprimtaria e tij atdhetare për pavarësinë e Shqipërisë dokumentohet që nga viti 1908, siç ai shkruan në kujtimet e tij: “Kah mezi i qershorit të këtij viti (1908) formova bashkë me vllanë tim, Masarin, çetën pjesëmarrëse në deklarimin e luftës kombëtare. Shkum në Sarasalltik të Krujës, ku u poqëm me çetat e Abdi Toptanit, tue formu pjesën ma të gjallë të kryengritjes”. Dihet që shijakasit janë dalluar si luftëtarë trima.
Si u gjendën përkrah Ismail Qemalit?
Jo rastësisht Deliallisët në shpalljen e pavarësisë u gjendën në krah të Ismail Qemalit. Në kujtimet e tij, Ymer bej Deliallisi shprehet: “Në vitin 1912, kur plaku i Vlonës dul në Durrës e do të nisesh për në Vlonë me shpall indipendencën shqiptare, mora pjesë bashkë me kushërinin tim, Xhemal Deliallisi, si delegatë të Nënprefekturës së Shijakut. Sot ruj kujtimin e shtrejtë të asaj tube historike atdhetarësh qi përçau fushën e Myzeqesë, e cila ato ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur”. Ymer Deliallisi dhe njerëzit e tij jo vetëm morën pjesë në Kuvendin e Vlorës, por morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit në rrugëtimin drejt qytetit të pavarësisë. Këtë e pasqyron mjaft mirë në kujtimet e tij nënshkruesi tjetër i Aktit të Pavarësisë, Ferit Vokopola: “Më 21 nandor na lajmëronte Hamid bej Toptani me servis telegrafik nga Durrësi, se Ismail beu arriti dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin në shoqërim të z. Ymer bej Deliallisit me shokë”.
Si e përshkruan në kujtimet e tij qëndrimin në Vlorë?
Mbresat e Ymer Deliallisit nga çastet e ceremonisë së shpalljes së pavarësisë në Vlorë zënë pjesën më të madhe të kujtimeve të tij. Në to bie në sy entuziazmi i jashtëzakonshëm në tubimin historik, adhurimi për plakun e urtë e të mençur të Vlorës. Dhe shqetësimi për çka ndodhte në Shijak, ku nga momenti në moment pritej hyrja e forcave serbe.
Shijaku është një nga qytetet ku flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë?
Ymer beu me shijakasit që ndodheshin në Vlorë nuk mund të ndiheshin të qetë pa mësuar çfarë po ndodhte në Shijakun e tij. Kuptohet, komunikimi ishte i vështirë. “Kur mbërritëm në Vlonë, – shkruan ai në kujtimet e tij, – i drejtova nji telegram parisë së Shijakut, qi të ngrishin Flamurin Kombtar”. Në “Dokumentet historike” të Lef Nosit gjendet ky telegram dërguar prej tij, në të cilin shkruhet: “Durrsi, Tirana dhe Elbasani shpallën indipendencën. Ju, në mos e paçi shpallë, shpalleni sa ma parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e rastit pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin”. Sa morën mesazhin, shijakasit reaguan me shpejtësi dhe e shpallën pavarësinë në Shijak.
Cili ishte roli i Ymer Deliallisit në vitet më pas?
Më pas, Ymer bej Deliallisi u radhit në mbrojtje të Princ Vidit. “Më 1914, – kujton ai, – në kohën e Princ Vidit, bana pjesë në nji grusht patriotësh qi u ndoqën nga rebelët dhe bashkë me pjestarët e familjes time luftumë kryengritjen, drejtue kundra Qeverisë së asaj kohe deri sa Princi la Durrësin; në kët moment edhe unë bashkë me at grup atdhetarësh, nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit, shkuem në Itali, tuj lanë në durët e rebelëve babën tim, Dalip Deliallisi, i cili qe burgos e dërgu në burgun e Elbasanit”.
Më 25 dhjetor 1918 mori pjesë si delegat i nënprefekturës së Shijakut në Kongresin Kombëtar të Durrësit. Në vitin 1920, Kongresi i Lushnjës e zgjodhi Ymer bej Deliallisin senator. Për t’u theksuar është se rrugës për Tiranë qeveria e krijuar në Lushnjë u sigurua gjatë udhëtimit nga forca të drejtuara nga vëllai i tij, Masar Deliallisi. Qeveria dhe kongresistët e Lushnjës, për disa ditë qëndruan në shtëpinë e Deliallisëve në Shijak. Ja si e përshkruan Ymer Deliallisi këtë moment: “Vij e mbyll shërbimet e mia patriotike tue mos qit në harresë dhe pritjen bujare e përkrahjen e duhun qi gjetën kongresistat e Lushnjës prej shtëpisë tonë, me rastin e qindrimit të tyne në Shijak”.
Në periudhën e mbretërisë, Ymer Deliallisi kreu detyra të rëndësishme shtetërore, si nënprefekt në Shijak, kryetar Bashkie në Shijak, nënprefekt në Lushnjë, Peqin etj. Vdiq në vitin 1944, duke lënë pas emrin e një atdhetari të shquar dhe një figure të respektuar për bashkëkombësit e tij. Dhe vetëm pak ditë më filloi masakra…
Çfarë ndodhi më pas?
Thjesht si kundërshtarë politikë apo si kundërshtarë potencialë politikë, pasi ishin njerëz me influencë dhe të shkolluar, komunistët pushkatuan dy djemtë e Ymer Deliallisit, ushtarakë të shkolluar, tre vëllezërit e tij (njëri deputet, tjetri ushtarak me akademi, tjetri kryetar komune) dhe tre djemtë e tyre më pas. Po thuaj shuan një fis të tërë.
Le t’i kthehemi dhe një herë 28 Nëntorit. Si përkujtohej nga ju kjo festë?
Që nga koha që unë mbaj mend, në familjen time 28 Nëntori festohej në një mënyrë madhështore. Përgatitjet zgjasnin ditë me radhë. Prindërit na flisnin për këtë ngjarje të madhe, na tregonin edhe për gjyshin, por kjo ndodhte vetëm brenda mureve të shtëpisë. Jashtë, asnjë fjalë. Kur ishim të vegjël habiteshim pse në asnjë rast gjyshi nuk zihej me gojë. Asgjëkund nuk shkruhej asnjë radhë për të… Vetëm pas ardhjes së demokracisë të paktën meritat e tij dolën në shesh… Tashmë ai është shpallur “Nder i Kombit”.
Ju tashmë po ndiqni rrugën e gjyshit, politikën. Jeni prefekt i Elbasanit, post i lartë, post që një shekull më parë, kur themelohej shteti shqiptar, e kishte Aqif Pashë Elbasani.
Për këtë fakt të fundit me të vërtetë jam krenar. Të jesh prefekt i Elbasanit në fillimin e shekullit të dytë të pavarësisë së Shqipërisë është e rëndësishme. Në fakt, unë në profesion jam mjek. Kam trashëguar profesionin e babait, por sot jam në politikë dhe po trashëgoj profesionin e gjyshit tim, Ymer Deliallisit. Ngado që ta kthesh, jam brenda traditës familjare…
Çfarë mund të thoni në këtë 100-vjetor?
Po festohet me madhështi. Edhe unë në Elbasan kam dhënë një kontribut që gjërat të shkojnë në vendin e duhur. Atdhetarët elbasanas, të mënjanuar dhe retushuar, tashmë kanë dal në pah. Vërejtje kam për shijakasit (drejtuesit e qytetit), të cilët duhet të jenë krenarë për historinë dhe kontributin e qytetit të tyre, të nderojnë njerëzit e shquar që bënë historinë e Shijakut, me të cilët krenohet gjithë kombi shqiptar. Nuk duhet të harrojnë se po hyjmë në shekullin e dytë të Shqipërisë së pavarur, dhe është e papranueshme që figurat e shquara të Pavarësisë, që luajtën një rol kaq të rëndësishëm, t’i lënë në hije.

Shpallja e Pavarësisë në Vlorë

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura