Premtimi në 95-vjetor, Biblioteka rimerr hapësirat “e zaptuara”

Dec 21, 2015 | 14:35
SHPËRNDAJE

Zgjerimi i hapësirave të Bibliotekës Kombëtare, ose më saktë rikthimi i pjesës së “amputuar” vite më parë, ishte peng-premtimi i kryeministrit Edi Rama në 95-vjetorin e këtij institucioni.

Për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në lëmë të kulturës shqiptare, atë të krijimit të Bibliotekës Kombëtare, u zhvillua dje një ceremoni ku morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, njerëz të artit dhe kulturës, botues, studiues, lexues etj.

Drejtorja Asllani gjate fjales
Drejtorja Asllani gjate fjales
Ishte drejtoresha e këtij institucioni, Persida Asllani, e cila u tregua e kujdesshme që gjatë kësaj ceremonie të përshëndeste të gjithë me radhë që nga bashkëpunëtorët, punonjësit, donatorët, lexuesit më të mirë, të gëzonte me nga një dhuratë simbolike lexues që kishin ditëlindjen në këtë ditë… Duke kujtuar një thënie të Ciceronit se “Kush zotëron një kopsht dhe një bibliotekë, zotëron gjithçka”, por që në rastin konkret ishte biblioteka ajo që i dhuronte kujtdo një kopsht të brendshëm, shpirtëror, Asllani kujtoi rrugën që i është dashur të kalojë Bibliotekës Kombëtare, për t’u bërë ajo që është sot, të ofrojë më shumë shërbime e të përqafojë teknologjitë e reja.

Me humor Asllani u shpreh se nëse do të vazhdonte të rrëfente projektet apo pasuritë e BK-së, me gjasë do të na gjente aty 100- vjetori i bibliotekës. Ajo u shpreh se me të vërtetë do të kishte dashur që 100-vjetori të na gjejë sërish bashkë, por jo kështu.

“Unë kam një ëndërr, të cilën besoj se e kanë edhe prej jush këtu. Është ëndrra për një bibliotekë të përtërirë, për një bibliotekë dinjitoze, jo vetëm për mënyrën si funksionon në informacionin dhe pasurinë që i ofron kulturës kombëtare, por dinjitoze edhe në hapësirat e veta, në mjediset e punës dhe në mjediset e leximit; në mjediset e shkëmbimit kulturor, por edhe në mjediset e shkëmbimit profesional dhe formues”, u shpreh drejtoresha Asllani.

RIKTHIMI I HAPËSIRAVE
Ishte pikërisht ky 95-vjetor rasti për të dhënë shpresa në realizimin e kësaj ëndrre. Projekti, të cilin drejtoresha Persida Asllani e kishte premtuar edhe një vit më parë përpara gazetarëve, duket po merr formë. Ishte, së pari, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ndau me të pranishmit projektin ambicioz të zgjerimit të hapësirave të BK-së, brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës, për t’u përforcuar më tej nga premtimi i kryeministrit Edi Rama.

rama1“Ndryshimet e këtyre viteve dhe transformimi i shtetit shqiptar u reflektuan me ndryshime të mëdha edhe për Bibliotekën Kombëtare, por fatkeqësisht ndryshimi më i ndjeshëm e i prekshëm për Bibliotekën Kombëtare ishte cungimi, këputja e trupit të saj. Ishte ndarja e godinës së bibliotekës, një pjesë për vazhdimin e aktivitetit të saj dhe një pjesë tjetër për të zhvilluar aktivitet komercial që s’kanë lidhje me Bibliotekën Kombëtare dhe me misionin e potencialin e madh të gjithë kësaj godine”, tha Rama, duke premtuar bashkimin e këtyre dy pjesëve, me qëllim që të sigurohen shërbime më të mira për lexues e studiues.

“Ne do të bëjmë për Bibliotekën Kombëtare sa nuk është bërë për 25 vite të marra së bashku. Ne jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces dhe do t’ia rikthejmë Bibliotekës Kombëtare pjesën e trupit të saj të amputuar nga barbaria e kulturës së tranzicionit”, tha Rama. Projekti për rikthimin e hapësirave të BKsë mbështetet nga Bashkimi Europian dhe kryeministri Rama shprehu gatishmërinë për ta çuar atë deri në fund.

BIBLIOTEKAT E QYTETEVE
Një dritë shprese edhe për bibliotekat e qyteteve. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa shprehu kënaqësinë për atë çka është bërë në Bibliotekën Kombëtare për afrimin e të gjitha moshave drejt librit, u shpreh se, për fat të keq, bibliotekat e qyteteve të tjera nuk janë në gjendje të kënaqshme, por se reforma në pushtetin lokal do të sjellë dhe gjallërimin e këtyre institucioneve.

Po kështu edhe kryeministri Rama u shpreh se me të drejtë ministrja Kumbaro e vuri gishtin në një plagë të hapur. Sipas tij, është e vërtetë që Shqipëria ka një rrjet bibliotekash publike, por që për to nuk është bërë asgjë në këto 25 vitet e tranzicionit. Në listën e premtimeve ai numëroi edhe ringritjen e këtij rrjeti, si një nga prioritetet e reformës administrativeterritoriale.

EKSPOZITA
Për ta bërë më të prekshme këtë ngjarje, ashtu si edhe për çdo përvjetor apo aktivitet tjetër, Biblioteka Kombëtare e shoqëroi ceremoninë e 95-vjetorit të themelimit edhe me një ekspozitë të titulluar “Biblioteka e Bibliotekave”. Ajo është konceptuar si një nderim për ato biblioteka private ose kolektive, përmes të cilave është ngjizur pjesa më e vlefshme e fondit të albanologjisë, “duke i lejuar në disa raste këtij institucioni të flasë sot për ekskluzivitete dhe raritete”, siç do të shprehej drejtoresha Persida Asllani.

Ndër bibliotekat më të spikatura të kësaj ekspozite vlen të përmendet Biblioteka e Lumo Skëndos, Biblioteka e Weigand-it, Biblioteka e Françeskanëve, Biblioteka e Bushatllinjve, Biblioteka Carnavon, Biblioteka Herbert, Biblioteka e Mitrush Kutelit, Biblioteka e Nexhip Alpan, Biblioteka e Aleks Budës etj. Disa janë dhuruar nga të zotët, por një pjesë e mirë e këtyre bibliotekave janë sekuestruar pas Luftës së Dytë Botërore nga pushteti i ri komunist apo pas ndalimit të fesë në Shqipëri. Por me gjithë mënyrën e dhunshme të marrjes së tyre, fatmirësisht ato u ruajtën në fondet e BK-së dhe nuk u shkatërruan.

“Privilegji i kryeministrit, jap shkarravina, marr libra të artë”
I ftuar në një festë, si ajo e 95-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare, aq më tepër që ky vit ishte shpallur si “Viti i donacioneve”, kryeministri Edi Rama nuk mund të shkonte me duar bosh.

ramaKryeministri, i cili pa asnjë mëdyshje renditi premtimet në lëmë të kulturës, u shpreh se kishte qenë dyshues për dhuratën që duhej t’i bënte Bibliotekës Kombëtare.

“Nuk munda t’i rezistoj këmbënguljes së drejtorit tim sqimatar të Protokollit, që më tha se nuk mund të vija në Bibliotekën Kombëtare pa dhuruar diçka. Pasi rezistova, u dorëzova dhe dhurata ime është shumë modeste. Ju dhuroj albumin më të fundit të shkarravinave të mia”, tha Rama. Por ndërkaq, në fund të fjalimit të tij, një fletë u shkëput e ra në tokë dhe kryeministri vendosi ta fusë atë në mes të librit, meqë “ajo (fleta) kishte vendosur vetë të qëndronte në Bibliotekën Kombëtare”. 

“Po ia dhuroj drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, pa pretenduar që të regjistrohet në arkivin e bibliotekës, por le të mbetet në tavolinën e saj të punës. Do të jetë drejtoresha që do të vendosë nëse e lë në arkiv apo e merr në shtëpi”, tha kryeministri Rama. Por në këtë ditë dhuratash, edhe kryeministri nuk mund të dilte nga BK-ja pa një të tillë. Në “këmbim” drejtoresha e BK-së, Persida Asllani, i dhuroi një “libër të artë”, “Historinë e Skënderbeut” të Marin Barletit, me të cilin Biblioteka Kombëtare përfaqësohet në rrjetin e bibliotekave europiane.

“Ky është privilegji i të qenët kryeministër, dhuron shkarravina dhe në këmbim të japin libra të artë”, u shpreh kryeministri, teksa shtoi se do t’i gëzohet kësaj dhurate për aq kohë sa do të jetë kryeministër, pasi pas largimit nga ai post, do t’ia lërë fondit të dhuratave të kryeministrit.

Alma MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura