Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka quajtur të padrejtë vendimin për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa ndaj Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç u mbajt një qëndrim më i butë.
Komentet Kurti i bëri në një intervistë për gazetën kroate ‘Veçernji List’, ku ka folur për zhvillimet e fundit në rajon dhe tensionet në veri të Kosovës.
Kurti nuk i kursyer kritikat ndaj SHBA dhe BE-së në raport me Serbinë, duke thënë se kanë bërë padrejtësi.
“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd.
Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua. Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiçin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiç. Kjo është një padrejtësi.
Ne na është dashur t’i mbajmë zgjedhjet. Kjo nuk ishte zgjedhje e jonë, por dispozitë e kushtetutës sonë, kërkesë e ligjit tonë. Me këtë përfunduam me katër kryetarë shqiptarë të komunave, të cilët vërtetë kanë një legjitimitet të brishtë sepse përqindja e daljes në zgjedhje ishte shumë e ulët, por megjithatë ata kanë disa përqindje në zgjedhje, ndërsa të tjerët kanë zero.
Në zyrën e kryetarit të komunës mund të futesh vetëm përmes zgjedhjeve, jo me sjellje të dhunshme, jo me dhunë ndaj NATO-s, policisë dhe gazetarëve tanë, jo me shok bomba dhe plumba. Jam i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përkohshme. Për më tepër kam bërë një lëshim shtesë duke reduktuar me 25% praninë e policisë sonë brenda dhe përreth ndërtesave. Dhe krahas kësaj, ne do të mbajmë konsultime të rregullta çdo dy javë me KFOR-in dhe EULEX-in për të vlerësuar situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për të zvogëluar praninë e policisë sonë.
Ne nuk po luftojmë kundër banorëve serbë, popullatës serbe, por kundër kriminelëve dhe kryerësve të krimeve të ndryshme, por jo vetëm serbë. Krimi i organizuar është multietnik. Në dy vitet e fundit kemi eliminuar 16 rrugë ilegale të kontrabandës në pjesën veriore të Kosovës. Më pas tetë laboratorë për prodhimin e barnave dhe pesë për prodhimin e kriptovalutave”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al