“Pritje e denjë për një njeri të pashpirt si ju”- Përballja e gruas italiane të oficerit me ish-kryeministrin: Kur ajo hyri në zyrën Mehmet Shehut, pasi hodhi një vështrim asaj femre të bukur, ai…

Feb 22, 2024 | 7:32
SHPËRNDAJE

Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. 

mehmet shehu

Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.

******

E bukura dhe pӫrbindshi

Një tjetër punë që doli në këto rrethana, ishte prania e së shoqes italiane në Shqipni. Ajo prani, sipas opinionit tё  burgosunve dhe tё shoqnisё shkodrane, e komplikonte gjendjen e tij. Kishte dhe shqiptarё tё tjerё tё martuem me italiane, por nё rastin e Gorit, peshonte e ndikonte keq si gruaja e tё birit tё Prenk Pervizit. Për atë arsye, Valentinin s’do ta lironin, me pretekste të kota, pra nuk e honepsnin praninë e saj në Shqipni. Valentini mbahej peng, jo vetёm si bir i Prenk Pervizit, por edhe prej gruas.

Aq ma tepër se ajo binte në sy kudo. Jo vetëm se ishte e bukur, por edhe nga veshja, nga sjelljet e te gjitha shfaqjet e nji kulture dhe edukate të naltë, shfaqje që nuk mund të pranoheshin nga klasa injorante komuniste, dominuese e vendit. Ajo mëshironte atё botё tё qytetnueme, kapitaliste e borgjeze, sё cilёs komunistёt i ishin kundёrvue, si njё botё e vjetёr qё duhej shemb.

Nga të gjitha këto rrethana, e këshillueme nga disa miq,  ajo vendosi të shkojë drejt e të Mehmet Shehu, që kishte ardh në Shkodër. Kur ishte paraqit te dëzhurni, oficeri i rojës që dinte pak italisht, i kishte thanë që të priste dhe kishte shkue me njoftue Mehmetin, se një grua italiane, kërkonte të takohej me të. Mehmeti kishte pranue, dhe Gori u gjet në zyrën e tij, ku ai rrinte pas nji skrivanie të madhe. Si nё gjithё zyrat e pushtetarve, edhe nё faqёn e murit pas Mehmetit, qendronte fotografia e Stalinit nё njё kornizeё tё bukur, veshun si gjeneral, qё dukej se merrte pjesё nё atё takim, me njё nёnqeshje ironike, deri dhe sarkastike. Ç’donte ajo zonjё aty?!

Kur Gori hyni në zyrën e numerit dy të regjimit, ai nuk lëvizi fare nga kolltuku ku ishte fundos. Ai e njihte mirë italishten sepse kishte studiue në shkollën ushtarake të Napolit. Mbasi i hodhi një vështrim asaj femne të bukur, që i rrinte përpara, e kishte ftue me njerëzi që të ulej dhe e kishte pyet se çfarë e kishte shty me ardh aty.

– «Si është puna zonje, nёse mund tё ju pёrgjigjem»?

– «Më falni për shqetësimin, zotni Gjeneral. Siç e shihni, unë jam italiane, e martuar me një oficer shqiptar. Nuk ka dy muaj që kemi ardh në Shkodër prej Italie. Unë e ndoqa burrin tim me të cilin isha lidhun, për të mirë e të keq. Ai vetë nuk ka jetue në Shqipni, sepse të gjitha shkollat deri kur doli oficer, i ka kryer në Itali dhe atje u caktue edhe me shërbim.

Tue qenë se ai iku prej një kampi gjerman dhe rrezikohej, ne vendosëm të vijmë në Shqipni, për të gjet shpëtim e me jetue normalisht. Sa gjetëm një dhomë për të banue provizorisht, ja që ndodhi fatkeqësia e madhe e më arrestojnë burrin, krejtësisht të pafajshëm, pa dhanё asnjё arsye. Tani ai gjendët në burg. Kjo asht një padrejtësi e madhe, dhe unë kam ardh të ju lutëm, për të ma lirue bashkëshortin e pafajshëm”.

Mehmet Shehu, i kishte dëgjue me vëmendje fjalët e asaj zonje  të bukur dhe elegante. Ai e mori me mend se diçka e padrejtë i ishte ba asaj, por, në kushtet e gjendjes së shtetrrethimit, mund të ndodhnin edhe padrejtesina.

– “Ashtu…?! Me falni Zonjë, si quhet burri juej”?  Pyetja ishte e drejtë.

– “Valentin” – Ishte përgjigj Gori me një fije za.

– “Valentin”? Po kush Valentin”?! – kishte shtue Mehmeti me kureshtje. Sikur e kishte ndigjue kët emën.

– “Valentin Pervizi” – kishte  shqiptue Gori me ankth të madh.

– “Valentin Pervizi?! Mos vallë është i biri i gjeneral Prenk Pervizit”?! Mehmet Shehu ishte ngrys në fytyrë dhe u mbështet pas kolltukut për të prit përgjigjen, plot kureshtje.

– “Si urdhnoni zotni Gjeneral, djali i madh i tij, me të cilin jam martue”.

– “Zonjë e nderuar, në vend që të na falenderoni që nuk e kemi pushkatuar, vini e na kërkoni lirimin e tij”?! – kishte folë  Mehmeti, me një shprehje fodulle.

– “Si keni paturpësinë të më përgjigjeni kështu?! Nuk e prisja prej jush, një të tillë shprehje! Unë kërkoj drejtësi për burrin tim, krejt të pafajshëm dhe ju me kërkoni të ju falendëroj që nuk e keni vra! Kjo s’durohet”!  Ndërsa fliste ashtu, asaj i rridhnin lotët nga dëshpërimi.

– “Mos vallë kujtoni se do të na përmalloni me ato lotët e juej”?! Kёto fjalё ranë  tepër cinike. Gori nuk kishte mujt me durue dhe i kishte fol krejt mllef:

– “Në një farë mënyre, e kisha marrë me mend një pritje të tillë, e denjë për një njeri si ju i pashpirt”.

Sa kishte thanë ato fjalë, ishte çue e kishte dalë duke e përplasë derën, ndërsa Mehmet Shehu, ia kishte dhënё tё qeshurёs nga pas. Stalini nga muri, sikur kënaqej edhe ai nga ajo skenё  ku spikaste arroganca e njё komunisti tё pa edukatё, tё pa shpirt e kriminel. Vёrtet njё bir i denjё i tij.

Kjo ngjarje u muer vesh dhe bani përshtypje te njerëzit për atë sjellje brutale të Mehmet Shehut, ndaj asaj gruaje fatkeqe. Por nga ana tjetër, përgjigja e Mehmetit shprehte një të vërtetë, sepse Valentinin, mund ta kishin pushkatue partizanët, pa pyet kërkënd. Pa e marrё vesh  as vetë Mehmeti. Dikush ia shpjegoi Gorit, por ajo nuk donte me ia dëgjue emnin atij krimineli.

Pasi mori vesh si kishte shkue takimi, Valentinit iu mbush mendja, se Gori duhej të riatdhesohej sa ma parë, për një kohë. Ndoshta vinte ndonjë përmirësim i gjendjës. Përndryshe, nuk do ta kishin lirue kurrë nga burgu. Ose edhe atё do ta kishin mbyll nё njё kamp internimi, bashkё me gjyshen e mamёn e tij. Asaj nuk i tha asgjë, sepse e dinte se do t’i shkaktonte një dhimbje të madhe. Mendoi me prit një rast të volitshëm. Me i lanё koh kohёs.

Edhe ajo kishte qenë e këshillueme nga disa miq të familjes, se largimi i saj i përkohshëm, ishte në të mirën e të dy palëve. Pastaj ajo rrezikohej tё internohej si pjesëtare e familjёs sё Prenk Pervizit, dhe kushedi si shkonte fati saj nё ato kondita, ku do tё pёrfundonte e mbyllun nё ndonjё kamp pёrqendrim, pa shpresё shpёtimi, ku ishin mbyll dhe e vjehrra, me nanёn e Prenk Pervizit.

Sa mos t’u binte ndёrmend pushtetarëve, ajo tё bante si tё bante e tё riatdhesohej me italianёt e tjerё qё po ktheheshin nё Itali, nёpёrmjet Cirkolo Garibaldi nё Tiranё, qё merrej me atё punё e gёzonte besimin e qeverisё shqiptare. Qëndrimi i saj nё Itali, patjetёr se do t’ishte i pёrkohёshёm, sepse edhe gjendja nё Shqipni do tё normalizohej e, tё krijohёshin kushte qё ajo tё bashkohej me Valentinin pёrsёri. Por ajo s’kishte guxim me ia thanë Valentinit. I dukej si njё gjest i pa lezetshёm, fyes dhe i ulёt. Dashuria e tyne, dilte si diçka e kotё dhe e paqenё.

Një personazh misterioz

Herë pas here burgun e vizitonte një njeri i çuditshëm, i veshun si ushtarak, pa grada, me trup mesatar, të lidhun e, me një fytyrë të vrazhdë. Kur hapeshin dyert e burgut dhe ai hynte brenda, të gjithë shpërndaheshin dhe secili shkonte e u shtrinte në vendin e tij, në heshtje e duke e mbajt shikimin në boshllëk. Por veshët i mbanin pipëz, sepse ai njeri nuk hynte në burg pa një qëllim.

Zakonisht ai e merrte me vete një të burgosun, siç vepron kasapi me berret për t’i therë. I vizitonte të gjithë qelitë. Ndalohej te dera, nuk fliste ndërsa shikonte një nga një të dënuemit. E dinte shumë mirë, se në cilën qeli ndodhej fatkeqi që do të  gllabëronte. Kështu dilte me të, ai para dhe i burgosuni prapa, të cilin e mbyllnin në nji birucë të izolueme. Rojet dhe ushtarakët e tjerë, kur ai kalonte andej i lironin rrugën dhe e nderonin, ndërsa ai nuk denjonte t’i përgjigjej nderimit dhe kalonte pa hap gojë. Ky njeri i çuditshëm, u shtinte frikën të burgosunve. Nuk ia dinin emnin, jo vetëm ata, por ndoshta dhe rojet. Ai vizitonte jo vetëm burgun e Valentinit por, edhe atë të vjetrin. Ma vonë ia zbuluan emnin, por nuk morën vesh kurrë se ç’detyrë kishte…!

Natën vonë, pas orës 22.00, kur të gjithë ishin shtri me fjet, dëgjoheshin britmat e të shkretit që e kishin mbyllë pasdite në birucën që përmendëm. Ai njeriu misterioz, quhej Llambi, i cili shfrynte mbi atë fatziun, tue e godit vazhdimisht me një dru nyje nyje dhe me grushta e shqelma, deri sa atij i binte të fikët. Pastaj e nxirrte me shqelma jashtë, deri te dera e qelisë. Kjo skenë përsëritej çdo herë që ai e merrte një të burgosun. Askush nuk e dinte as e kuptonte, për çfarë arsye e shkak bëheshin ato tortura, mbi njerëz të pafajshëm. Ndërkaq po afrohej koha e fillimit të gjyqeve speciale.

Qindrat e njerëzve që mbushnin burgjet, rrinin në ankth, sepse askush nuk e dinte se ç’kategori do të përfshihej, dhe nuk kishin as nji ide, se si do të shkonin punët e se ç’dënim do t’u jepnin. Megjithëse e kemi thanë, ia vlen ta përsërisim, se dënimet programoheshin ma përpara, në zyrën e kryetarit të Degës së Brendshme të qytetit, në bashkëpunim me oficerët hetues, sipas urdhrit qё u vinte nga “lart“. Prandaj kryetari i gjykatës dhe prokurori, merrnin dokumentёt ku ishin shenue dënimet e atyne që do të gjykoheshin. Të mos flasim pastaj anëtarët e tjerë, që ishin veç kukulla.

Të burgosmit e kishin kalue një gjyq qysh në birucat, ku i kishin mundue me të gjithë llojet e torturave, presioneve e metodave ma satanike, për të cilat oficerët e Sigurimit ishin mjeshtra. Kjo e gjitha, për ta detyrue të burgosmit me firmos procesin, që oficeri hetues kishte përpilue sipas qejfit të tij dhe sipas udhëzimit që kishte marrë nga eprorët. Ata që nuk pranonin në asnjë mënyrë me firmos një proces të rrem, vazhdonin t’i torturonin me metodat ma shtazarake, por pa sukses, si rrjedhim procesi mbetej i bardhë, pa firmën e të burgosmit që dёnohej ma rëndё se sa duhej.

Sigurisht se nё tё shumtёn e rastёve s’hynte nё punё as procesi me firmë, as i bardhë, sepse vendimet e dënimeve bëheshin paraprakisht dhe gjyqi nuk ishte gja tjetër, veçse një farsë teatrale. Valentini po i përcillte këto punë dhe nuk kishte kalue në torturat e shokëve e kjo i dukej çudi. Por sipas miqve të tij të burgut, letra që kishte shkrue dhe takimi i gruas së tij me Mehmet Shehun, pavarёsisht nga shpirti kriminel i tij,  kishin ndikue që atë ta linin ashtu, pa i dhanë arsye, deri në ndonjë vendim të mëvonshëm. Prandaj ai duke qëndrue aty, priste e përcillte të burgosun të ndryshëm, dhe mbeti si një dëshmitar i mirëfilltë i shumë ngjarjeve të trishta e, përjetoi vdekjen e shumë të burgosunve nën plumbat e skuadrave të pushkatimit. Ose tё atyne qё vdisnin nё duert e xhelatёve, nga torturat shtazarake.

Një ditë tjetër sollën në dhomën e tij, një ish oficer nga nji familje e njohun shkodrane, që quhej Halit Kazazi. E kishin kap si t’arratisun ne mal dhe fati i ardhshëm i tij, dukej i zi.

E thoshte ai vetë. Para se me e sjellë aty, e kishte pyet e torturue një kriminel i vërtetë. Tani ai priste që ta pushkatonin. Ai shoqnohej e bisedonte me Valentinin, sepse i thoshte se familjet e tyne, ishin të lidhuna me miqësi, dhe ai si oficer, e kishte njoh e kishte qenë në shërbim me Prenk Pervizin. Nuk kaloi asnjë javë dhe erdhën e morën dhe e pushkatuan bashkë me dy të tjerë, që Valentini nuk i njihte.

Në fillim të vitit 1945, i kishin njoftue se Gjyqet Speciale kishin fillue punën e tyne, në gjithë vendin, pra edhe në Shkodër. Si vend ku do të zhvillohej gjyqi, ishte caktue kinemaja “Rosafat“. U njoftue se të gjithë seancat e gjyqit, do të jepeshin edhe me altoparlantë.

Ndërkaq komanda kishte lejue që në burg të futeshin gazetat kryesore, ku jepeshin informata mbi gjyqet speciale. Vetëm në Gjyqin Special të Tiranës, ishin çue në pushkatim 17 vetë, ndër ta njerëz që Valentini kishte njohun, si gjeneralët Aqif Permeti e Gustav Mirdashi, kolonelët Tahsim Bishqemi e Daut Çarçani.  Kryeministra, ministra, funksionarë të lartë, emna të njohun e të nderuem të Botës Shqiptare, si; Maliq Bushati, Terenc Toçi, Bahri Omari (kunati i Enverit), etj.

Të burgosunit nga nji anë e pritën me qejf, se kështu i jepej zgjidhje asaj gjendje. Sepse asnjë prej tyne, nuk ishte as nuk e ndjente veten fajtor, për ndonjë vepër penale politike, dhe mendonin se me gjyqin, mund të tregonin se ishin të pafajshëm. Por nga ana tjetër, tue mendue se ç’ishte komunizmi, dhe Gjyqi Special i Tiranёs po e tregonte, ishte për të prit vetёm masa drastike. Sidoqoftë ma mirë kështu, me i dhanë fund njëherë e mirë dhe jo me ndenjtë në pritje të pafund e krye. Ajo e pritjes së pafund, ishte një torturë e vërtetë, ku të burgosurit fatkeq rrinin në ankth të vazhdueshëm, së mos u thirrej emni për të përfundue te Zalli i Kirit, ose pas një muri të lagjes.

Pasditen e një të diele i kishin lajmerue ata, që do të inauguronin seancën e parë të Gjyqit Special. Në burgun e Valentinit, lexuan emnat e dhjetë vetëve e, po ashtu në burgun e vjetër. Të hënën, herët në mëngjes, i prangosën dhe të shoqnuem me partizanë t’armatosun deri në dhëmbë dhe i çuan te kinemaja “Rozafat“. Aty ishte grumbullue një turmë e madhe njerëzish, por shumica do të rrinin përjashta, sepse nuk kishte vend për të gjithë.

Turma përbëhej kryesisht me njerëz të lidhun me pushtetin komunist dhe i priti të burgosurit me thirrje e shamje armiqësore, se tani këta “armiq të popullit“ do të jepnin llogari për të këqijat e padrejtësitë e tyne. Çdo ditë i çonin dhe i binin deri ne pasditen e të enjtes. Kurse të premten, prokurori paraqiste akuzat dhe kërkonte dënimet për secilin prej tyne. Të nesërmen, e shtunë, kryetari i gjyqit, lexonte vendimin ku përveç dënimit, vendosej edhe konfiskimi i pasurive të tundshme e të patundshme të dënuemve, që përcillej me duartrokitje e britma të mëdha, nga turma e dehun nga propaganda komuniste.

Prokurori i Shkodrës, ishte një far Aranit Çela, një kriminel i regjun, i cili kur pushkatoheshin të dënuemit, shkonte dhe i qëllonte me revolverin e tij, një nga një, si xhelat i vërtetë.  Jo qё ai kishte pushkatue me dorёn e tij sa fatkeqё pa gjyq.

Gati në çdo seancë prej 20 të burgosun, dënoheshin me vdekje gjashtë vetë, por kurrë ma pak se katër. Këto gjyqe javore vazhdonin me muaj, dhe i erdhi radha javës së fundit të Gjyqit Special, që kishte përcjellë në pushkatim, afro 300 shkodranë,  e burgosun 1000 të tjerë.

Ndër to, intelektualë, priftë katolikë e njerëz me emën e patriotë të njohun. I erdhi radha grupit të dhomës së Valentinit, ku ishin përfshi  miqtë e tij; Zef Agimi, Guljelm Deda, Mark Temali, Kolë Mjeda e Nush Deda. Njëzet vetët iu nënështruen pyetjeve njëni pas tjetrit, deri ditën e premte, kur do të mbahej pretenca nga prokurori Aranit Cela. Ndërsa prokurori lexonte pretencën e tij të stërgjatun dhe me akuzat ma absurde, të akuzuemit rrinin tue sjellë ndërmend, se cili prej tyne do të dënohej me vdekje e, cili jo. Njëni prej tyne, Zef Agimi, mësues kosovar e mik i Valentinit, e kishte në maje të gjuhës një fjalë, që ia tha në vesh shokut pranë, Prof. Guljelm Dedës:

– “Më vjen keq me ta thanë Lem, por unë të kam vu në listën e të gjashtëve, prandaj mbaju si burrat dhe mos e lësho veten, kur prokurori të lexojë emnin tënd. Dhe Lemi i ishte përgjigje:

– “Pa shiko, pa shiko, edhe unë ta kisha vu emnin në listë, tëndin të parin, pastaj ato të Markut, Kolës, Nush Dedës, dhe në fund t’imin”.

Kjo bisedë me za t’ultë, shkaktoi gazin e të akuzuemve. Prokurori që ishte në zjarrin e pretencës, ishte nervozue dhe duke u kthye nga populli kishte bërtitë:

“I shikoni këto të pandehun? – ndërsa i tregonte me gisht,  mjafton të vreni sjelljen e tyne këtu, për të kuptue se sa njerëz të keqinjë, borgjezë e reaksionarë janë, që ofendojnë edhe gjyqin e popullit! Si mos me pasë respekt për institucionet tona, që përfaqësohen nga i nderuari kryetar i gjyqit, të nderuarit anëtarë dhe shumë i nderuari publik i sallës“?

Fjalët e tij u shoqnuen nga nji potere e madhe e britma të çdo lloji. Ndërkaq filloi leximi i kërkesës së dënimit nga Prokurori dhe emnat e parë dolën siç e kishin parashikue Zefi e Lemi:  Guljelm Deda, Zef Agimi, Mark Temali, Kol Mjeda, e dy të tjerë. Po iu dridhej zemra. Kur befasisht doli krejt e kundërta, gjykata, në kundërshtim me prokurorin, i kishin dënue me nga gjashtë vjet burg. Kjo seancë, ishte e vetmja që doli pa gjashtë dënime me vdekje dhe e fundit. Me të u mbyllën seancat e Gjyqit Special, që në një vit kishin çue para pushkatimit me qindra shkodranë e, në burg ma shumë se njëmijë, brenda ma pak se dy vjetëve.

Që i binte nga një të pushkatuem në dy dit e, dy të burgosun në ditë. Kur jepeshin dënimet me vdekje, të dënuemit nuk silleshin ma në qelinë ku kishin shokët, por izoloheshin në një birucë të veçantë. Një e tillë ishte në fund të korridorit që çonte te një oborr i vogël, ku herë pas herë i nxirrnin të burgosunit me marrë ajër, ose kur bëhej kontroll nëpër qelitë. Nga ana e oborrit, qelia e vdekjes kishte një dritare të mbulueme me një skarë hekuri. Valentini kur kalonte aty pranë, mundohej me hedhë një shikim e, me ua ba me sy atyne që njihte.Nga Lek Pervizi Memorie.al

                                                         

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura