Presidenti ukrainas tha se Turqia do t’i bashkohet këtë javë procesit të paqes që synon t’i japë fund sulmit të Rusisë në Ukrainë. Njoftimi erdhi pas një sulmi me raketa ndaj një zyre të shërbimit postar të Ukrainës, gjatë të cilit u vranë disa persona dhe u plagosën disa të tjerë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, ky zhvillim pason një vizitë të kryediplomatit rus në Korenë e Veriut.
Gjatë orëve të natës në Kharkiv të Ukrainës, një raketë goditi një zyrë të shërbimit postar. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, gjashtë persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën. Në mediat sociale guvernatori i qytetit të dytë më të madh të vendit fajësoi forcat ruse për sulmin. Sipas shërbimit postar, sirenat e alarmit për sulm ajror kishin rënë vetëm pak momente para sulmit, duke mos u dhënë kohë personave që ishin brenda të gjenin një strehim më të mirë.
Në mëngjes, dëmet u filmuan me dronë nga policia ukrainase. Sulmi pasoi një mesazh të transmetuar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ku ai tha se pati biseduar me homologun e tij turk, Presidentin Rexhep Tayyip Erdogan dhe se dy udhëheqësit kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë për paqen javën e ardhshme në Maltë, për t’i dhënë fund sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Por vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov vizitoi një aleat të Rusisë në këtë luftë, udhëheqësin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili mbështet sulmin e Rusisë në Ukrainë dhe të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar se furnizon Rusinë me armatime.
Presidenti amerikan Joe Biden mirëpriti udhëheqësit evropianë të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku së bashku premtuan mbështetje për Izraelin në luftën ndaj Hamasit dhe siguruan Ukrainën se mbështetja për të është e palëkundur
Ndërkaq, forcat e armatosura të Ukrainës vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin. Marinsat ukrainas përparuan përgjatë Lumit Dnipro për t’u hapur rrugën përforcimeve që zhvendosen përmes rajonit Kherson.
Për civilët në Ukrainë që e kanë kaluar tashmë një dimër lufte, kanë filluar përgatitjet për të siguruar ushqime dhe ngrohje, në rast se luftimet do të ndërprisnin sërish furnizimin me energji siç ndodhi vjet, kur temperaturat ranë së tepërmi.
Po këtë javë, zyrtarët ukrainas njoftuan se kanë rimarrë 14 artifakte që thanë se ishin marrë ilegalisht nga një shtetas rus që u ndalua në një aeroport amerikan.
Zyrtarët ukrainas thanë se shkatërrimi dhe grabitja e objekteve historike që kur filloi sulmi i forcave ruse kanë shkaktuar humbje në vlerën e qindra miliona dollarëve./ VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al