PROFIL/ Grida Duma, studentja që u dashurua me profesorin e saj

Apr 16, 2015 | 7:40
SHPËRNDAJE

Nëse do shihje veçse pak çaste në sytë e saj, do të rikujtohej historia e Meduzës, “e së bukurës së tmerrshme”, e atij miti të antikitetit grek që shndërronte në gur çdokënd që e shihte në sy, e transformuar nga Athinaja në atë që ne njohim sot edhe si logoja e të famshmit të modës, Versaçe. Me sytë e një kromatizmi të rrallë, as jeshil, por as kaf, me pak dyshim për “sy larushë”, Grida Duma rrezaton. Jo veçse lëkura e saj fine, por edhe shikimi i pastër e vezullitës. Nuk është aspak efekti i atij tonit të imët mbi fytyrën e saj. Është thjesht një rrezatim shprehës i tillë që nuk ke nevojë të pyesësh shumë, pasi atë për të cilën do të pyesësh e ke marrë tashmë përgjigjen.


Por ne do të shohim përtej asaj Gridës që disa mbase do kishin dashur të flisnim për politikën që e bëjmë kudo e me këdo, e disa të tjerë për “bukurinë” që do kishin dashur t’i vinin prapashtesë. Do flasim paksa për atë aurë të saj që “e zbut” aroma e shijeve klasike, herë “Burberry” e herë “Tresor”. E nuk mbetet këtu klasikja e botës së saj. Është në “unison” si edhe libri i preferuar i saj “Bota e djeshme e një evropiani” i Stefan Cvajgut.

E takuam një herë në kafe, e veshur sportive dhe me një sharm që rrallëkush e ka parë. E për të dytën herë, së bashku me macen e saj “xheloze” Grei, kur edhe stafi i revistës “Psikologjia” realizoi fotot, me këtë këmishë të bardhë që e shohim, të cilën nëse do arrinit ta vërenit me kujdes, do gjenit Grida Dumën e vërtetë – po aq femër – e po aq të kuptonit atë anë karakteriale të saj. E nëse doni të dini se cila është me pak fjalë “receta” e një femre të suksesshme, sipas Gridës ajo e çdo njeriu: “Të mos dorëzohet për atë që do!”.

Grida Duma nuk është supersticioze e rrethanave, por beson “në energjinë që u japim në shpirt gjërave”, siç thotë ajo në intervistën që “Psikologjia” realizoi me të. Gatuan si çdo amvisë e mirë, ndonëse gatimi i saj për çudi “nuk është e kripura”, por ajo e ëmbla, e suflesë me çokollatë. E megjithatë, për postin që ajo ka pasur, e sot në atë të botës akademike, tek e pyesim nëse hipokrizia më e madhe ndeshet nga femra për femrën, ajo të përgjigjet se “më e madhe nuk do thosha, por më e sofistikuar pa dyshim”.

Pa ju lodhur, kjo është Grida Duma, ish-zëvendësministrja e Integrimit, ajo femër për të cilën sa herë shfaqet në televizor, bashkëshortet heshtin duke u “zënë me veten”, e madje edhe djemtë e rinj lënë ndeshjet pa parë… Kështu, jo ngaherë në mendjen njerëzore, bukuria e një femre merr prapashtesën “E bukur, por…”. E megjithatë, a i kuptojmë ne mirë këto femra, apo siç ka thënë Frojdi që: “s’iu përgjigjja kurrë edhe pas 30 vjetësh kërkime në brendësinë e një femre: Çfarë duan ato?”. Grida na jep edhe versionin se si mund “t’i tejkalojmë” mendimet e tij, duke u përgjigjur se Cvajgu si autori i preferuar i saj “thoshte për Frojdin, se ky i fundit e pa botën vetëm nga shtrati i një të sëmuri.

Frojdin mund ta gjykoj si mendimtar apo studiues, por nuk e gjykoj dot si burrë apo si mashkull, për rrjedhoje nuk mund të di si tejkalohet ai. Por ajo çka rezulton përgjithësisht njësoj është se në botën e grave detajet kanë shumë rëndësi, ndërsa në botën e burrave ato edhe mund të anashkalohen, sigurisht kjo vjen si pasojë e gjithë mënyrës se si u përplotësuan në historinë e njeriut të dy gjinitë. E, besoj, po nuk pati gjëra të ndryshme mes tyre, ka humbur e bukura dhe hyjmë në mërzinë e monotones, ku gjërat mund t’i parashikojmë lehtësisht”.

Me pak humor, ajo shton më tej se “duhet të lavdërojmë femrën që përgjithësisht krijon atmosferë të paparashikueshme mes të dyve”. Nga pamja e jashtme, pjesë përbërëse e sharmit të saj, gardëroba e Gridës së shumti përzgjidhet një herë në vit në Nju Jork, aty ku rikthehet të takojë prindërit dhe dy motrat, që e ndihmojnë për të mos humbur kohën mes tyre qyteti qiellgërvishtës. E përtej oqeanit, këtu në atdheun e saj, në kohën e lirë, Grida nuk e ndjen largimin e fundjavës, ditë të cilat i bëhen hera-herës më të lodhshme se ditët e javës, të ngarkuara me çantat nga pazaret për një javë. Ka një jetë të lumtur bashkëshortore me Ilirin, ish-profesorin e saj dhe Darienin, djalin e vetëm.

E hera-herës, kur përfundon e gjithë kjo lodhje sfilitëse amvisash, së bashku nënë e bir shkojnë në pishina të mbyllura. Grida Duma i ka përfunduar studimet universitare për Filozofi e Sociologji, masterin e ka kryer në Menaxhim Biznes si dhe doktoraturën mbi “Çështjet e ekonomisë në globalizëm”. Ajo sakrifikoi karrierën në Amerikë, për të krijuar jetën e saj në Shqipëri. Për këtë thotë se “kam dashur të studioj për drejtësi, duke menduar që kush ka fuqi ta shohë të drejtën dhe të vërtetën në disa pozicione, duhet të ushtrojë profesionin e avokatisë. Nuk e bëra, pasi sistemi amerikan i studimeve për drejtësi është veçanërisht i përdorshëm në Shqipëri apo Evropë, ndaj zgjodha një formim që më lejonte më shumë hapësirë”.

Grida Duma me Lulzim Bashen

Pas ardhjes në Shqipëri, Grida merr pjesë dhe angazhohet në forumin “Iniciativa për Tiranën”, një forum me prezencë të figurave publike më në zë të shoqërisë shqiptare. E mbledhur para zgjedhjeve lokale në maj të vitit 2011, ajo merr propozimin direkt nga ish-kryeministri Berisha në pozicionin e zëvendësministres së Integrimit, ndërsa hyn njëherazi në botën akademike shqiptare dhe e vijon atë pas dorëheqjes, në shtator 2013. Vetë emri i saj është tejet i veçantë, me një prejardhje nga tekstet religjioze, e gjendur si në Bibël, Kuran apo Bhagavadgītā, çka ndryshe nënkupton “E favorizuara e Zotit”.

Studiuesit e termave apo prejardhjes së emrave thonë se “emri yt të përndjek përgjatë gjithë jetës”, ndërsa vetë Grida e komenton se “energjia që u jep shpirt gjërave, i jep një rrugë të caktuar jetës, e në këtë kuptim gjyshi më ka emëruar mua duke dashur të shënjojë jetën time me shpresën e vet që unë të kisha një domethënie të rëndësishme”. Disi paksa “e dorëzuar” thotë se “…kështu mund të quhem se jam ‘supersticioze’ për sa i përket besimit që energjia e keqe apo e mirë ndaj nesh shfaqet në mënyrën si na shkojnë gjërat. E unë besoj se thuajse të gjithë e kemi provuar që, nëse rrethohemi nga ndjenja si xhelozia, zilia apo smira, patjetër që kjo do të influencojë keq në planet apo jetët tona”. E shpjeguar ndryshe në anën filozofike të jetës, Grida shton se “…sikur të mos i marrim në konsideratë fare të tjerët, vetë ne kur ndjejmë ftohtësi dhe keqësi nuk arrijmë kurrë të japim maksimumin në një mjedis. Krejt e kundërta ndodh kur gjendesh mes njerëzve që të japin forcë e besojnë tek ti”.

Sipas Gridës, në këtë bashkëbisedimin tonë kuptojmë se ajo “beson tek hyjnorja e gjërave, në të përtejmen e botës. Mendoj se energjia e shpirti lëvizin botën. Të tjerat janë mjete në shërbim të kësaj. Për rrjedhojë, mund të them hapur se e vetmja gjë që më ngre sërish nga një moment jo i mirë në jetë është një lutje e gjatë”. Madje, pa dashje, ajo zbulon një sekret të vetin duke thënë se “shpesh më ndodh që ndërsa jam në një mbledhje apo tryezë pune, edhe ta shkruaj një lutje në bllokun e punës, e më pas ta fshij duke e ruajtur atë vetëm në shpirt e aspak si një provë reale”.

E ndërsa përfundon, të vjen ndër mend ajo shprehja “Femra e bukur duhet të martohet me një mashkull të zgjuar; Femra e zgjuar nuk duhet të martohet fare”. Por nuk e mendojmë dy herë këtë gjë. “Po më jepni një shembull ku njëra përjashton tjetrën. Të dyja duhet të martohen me një mashkull të zgjuar, apo thënë më mirë me një burrë të zgjuar”.

Sigurisht, shprehja sipas Dumës ka një lloj steriliteti jo real në vetvete, sepse “nuk ka njerëz ‘vetëm të bukur’ apo ‘vetëm të zgjuar’, ‘e për t’ju ilustruar pak këtë, mjafton t’ju sjell në kujtesë për shembull plot revista (edhe mode), ku ju do gjeni modele që nuk janë veçanërisht të bukura, por shprehin diçka unike, çka do të thotë që nëse ka shprehi apo mesazh, pra nëse ka zgjuarsi, tashmë kjo mund të përkthehet edhe në bukuri, ndonëse nuk është pikërisht ajo bukuria klasike që njohim gjatë historisë. Por, nëse u kthehemi vlerave të burrit që i referoheni ju, për mua nëse një burrë nuk është i zgjuar, atëherë unë shkoj deri aty sa të mendoj që nuk ka mjaftueshëm burrëri tek ai. Nëse do vijoj të mendoj që te gruaja, bukuria është pjesë e forcës dhe avantazhit të saj, te burri zgjuarsia dhe mençuria është kriteri i pashmangshëm për të qenë burrë”.

Nga ana tjetër, Grida Duma nuk bie dakord me shprehjen “nuk duhet të martohet fare”. “Jo, – thekson, – unë besoj te martesa. Ka shije të përtejme ajo. Njeriu duhet të martohet me një njeri që e do dhe e ndjen që duhet ta ketë në zgjimet e përgjumjet e veta”.  

Kultura e personazheve në kopertina revistash

Mbase nuk e kishim kuptuar drejt apo lexuar paksa “zhdrejtësisht” fjalinë e shkruar, sipas së cilës Grida Duma është shprehur gjatë një interviste të dhënë se “femrat e kopertinave janë shpesh modele, e jo ato të botës akademike”. Ajo thotë se mban mend të jetë shprehur për këtë “por, ndoshta, nuk është kuptuar qartë. Ajo që kam theksuar është se, në kulturën tonë e kemi të vështirë të mirëkuptojmë që tek i njëjti person gjenden disa dimensione dhe që këto jo domosdoshmërisht janë në kontradiktë me njëri-tjetrin”.

Grida Duma

Grida zbulon njëherazi një fakt tjetër interesant: “Në përgjithësi, në mendjet e njerëzve figura e një akademiku, për shembull, nuk lidhet me një veshje moderne, një sjellje gazmore apo një komunikim me batutë. Duket sikur i cenon vlerat serioze që duhet të ketë, por nuk është kështu medoemos. Klishe të tilla ka shumë, mjafton të sjellim në vëmendje figurën e nënës; nëna shqiptare identifikohet fort me vetësakrifikimin e vetes, në raport me fëmijët apo bashkëshortin, ndoshta edhe me çmimin e mosrespektimit të vetvetes. E sigurisht, ju do të thoni një pjesë e kësaj është instiktive, dhe e vërtetë është, e më ndodh rëndom edhe mua. Më ndodh, për shembull, që nëse bëhet fjalë për të blerë diçka për Darienin, që është vërtet e bukur, nuk mendohem për çmimin edhe po të jetë më i lartë nga sa e prisja, e blej. Nga ana tjetër, nëse do të ishte për vete, do rimendohesha disa herë”.

Nëse u zgjatëm paksa dhe pa dashje ka ndodhur një çorientim; se çfarë lidhje ka kjo, Grida shton se “natyrisht, nuk jam duke folur për këtë… por për një ekuilibër midis asaj që duhet sakrifikuar realisht dhe është e rëndësishme, e asaj që nuk duhet sakrifikuar, sepse në përfundim nëse nëna apo gruaja nuk janë mirë me veten, nuk mund të jenë mirë as me ata për të cilët kujdesen. Ky ekuilibër është shumë shpesh i prishur në kulturën tonë, sepse ka qenë e vështirë të kuptojmë që disa dimensione qëndrojnë në të njëjtin njeri, në harmoni. Sot jam aq e kënaqur që mund të shoh nëna të reja, të cilat fizikisht dhe në veshje nuk i dallon dot nga vajzat e reja, që ende nuk janë bekuar me një fëmijë… Po ashtu, kur shoh nëna që vijojnë të ulen në bankat e universiteteve, pavarësisht nëse ajo diplomë u bën punë medoemos, duke zhdukur një klishe kulturore artificiale të dikurshme.

Në këtë kuptim, dalja në kopertina e disa personazheve që kanë vlera akademike, politike apo publike, vlera që perceptohen si serioze në kulturën tonë, herë pas here ka bërë që figura të tilla të gjykohen si më ‘pak serioze’ nga çfarë pret publiku, duke shkaktuar njëherazi që atyre t’u ulen disa pikë në vlerësimin e publikut e këta të fundit të mos marrin atë që pritet nga kopertina, që shpesh ka qenë veshja, bukuria apo elementë të sipërfaqes, e jo domethënia e vetë personazhit. Por, absolutisht mendoj që gjërat kanë evoluar shumë në këtë drejtim dhe gjithmonë e më tepër po bëhemi njerëzorë në të kuptuarin e vetes dhe gjërave që na rrethojnë. Mendoj se shoqëria shqiptare ka bërë shumë hapa të rëndësishëm, që ndoshta ne nuk i vlerësojmë sa duhet pasi jemi pjesë e brendshme e saj, por në vetëm 23 vite jashtë kornizës totalitare të mendimit dhe shijes kemi bërë ndryshime të paimagjinueshme”. 

Modeli i femrës së bukur politikane

“Një eksperiment” apo karrierë, është ky “modeli i femrës” së kohërave të sotme. Përtej paragjykimeve gjinore që deri diku ekzistojnë mes nesh, e pyetëm Gridën në ç’formë shfaqen ato në botën akademike si dhe femra model për të. Ajo është përgjigjur se ky nuk është aspak një eksperiment, ndërsa për të është një habi duke shtuar se “më habit ngaherë ky reagim. Duket sikur ua keni ndaluar qenieve të bukura të merren me disa gjëra. Ka plot femra interesante, simpatike dhe të bukura në politikë, si në Shqipëri e mbarë botën. Gruaja model për mua pa dyshim është Thatcher. Jam e lidhur ideologjikisht, shpirtërisht e në detaje me atë personazh. Madlaine Allbright gjithashtu është një frymëzuese e madhe, mbi të gjitha sepse bëri realitet një ëndërr të paimagjinueshme – një emigrante që u bë Sekretare Shteti në Amerikë – një thyerje e miteve; e mrekullueshme dhe emocionuese teksa e mendon. Thatcher mbetet e pakonkurrueshme, sepse ia doli në një vend ku konservatorizmi e tradicionalja jo vetëm që ishin të ruajtura në shekuj, por edhe të provuara si të suksesshme në shekuj. E ia doli jo duke besuar që do t’ia dilte, por duke besuar se po shtronte rrugën ndoshta për të tjera, jo për veten”.

Më tej Grida sjell në memorien e saj një fakt, të cilin do donte ta ndryshonte edhe këtu. “Më kujtohet reagimi i saj kur i thonë që duhet të kandidonte për kreun e partisë, teksa përgjigjet… ‘në Angli, një grua kryeministre, jo s’mundet…’. E sërish prekem, – vijon Grida, – kur kujtoj që ia arriti dhe jo në një përmasë normale, një kryeministre që sigurisht do ta kishte vendosur ndryshe pozicionin e Britanisë së Madhe, nëse do të ishte përballë Putinit sot, ndërsa diskutohet për ndërhyrjen në Siri. Definitivisht ndryshe”.

Drejt dy dimensioneve

Puna. Sipas saj, profesioni është dimensioni i dytë në jetë, ndërsa ana e brendshme dimensioni i parë, duke përfshirë krijimin e jetës dhe pasardhësin e saj, Darienin. E pyetëm Gridën për sakrificën e saj duke lënë pas Amerikën për një të ardhme më ndryshe dhe sfiduese në Shqipëri, lënien e një pjese të familjes atje, por edhe pritshmërinë e saj.

Grida me familjen

“Është e kotë të përsëris se sa shumë e dua dhe e adhuroj SHBA-në, e këtë e kam thënë gjithmonë. I jam mirënjohëse atij vendi kur shkoj të shoh prindërit dhe familjen time që jetojnë mirë me veten dhe me gjithë rrethanat e jetës. Mbi të gjitha i jam mirënjohëse, sepse njerëzit që influencuan në formimin tim më shumë ishin profesorë amerikanë, të cilët erdhën nga Fondacioni “Sorros” në vitet ’96, ata që na mundësuan më tej disa studentëve të aplikonim për studime jashtë vendit e kjo ndryshoi plotësisht formimin tim. Vijoj të besoj që sistemi universitar amerikan, apo ai anglo-sakson thënë më mirë, është absolutisht më i miri”, – është shprehur Grida. Më tej ajo është ndalur paksa përtej oqeanit ku ka përmendur prindërit, e ngjizur nga një nënë violiniste dhe baba inxhinier – një alkimi kjo, midis artit dhe teknikës – të cilët jetojnë atje së bashku me dy motrat e saj, Gledi e Geri.

“Unë mendoj se alkimia e tyre u mbështet në faktin që ishin të dy personalitete shumë të gjallë dhe plot jetë. Të dy janë një oqean me jetë. Ende sot nuk kam pare një çift ku të dy partnerët të jenë njëherazi ekstremisht të gjallë. Kam parë raste përplotësuese, por kurrë si prindërit e mi që konkurrojnë në energji jete. Mendoj se janë dashuruar ekstremisht, e unë kam qenë rrjedhojë e shpejtë; si fëmija i parë i dy prindërve të rinj që e duan jetën çdo moment. Do ndalesha pa fund në kujtime me ta… mos më bëni ta filloj. Mjafton t’ju them që miqtë e mi, ndonëse nuk e thonë, gati-gati mërziten sepse ne – si unë, Gledi e Geri – flasim më shumë për ta se për gjërat tona”.

Arroganca, në mungesë të institucioneve të rrëfimit

Të ruash një ekuilibër kur je femër e bukur dhe karrieriste, është tejet e vështirë të mos biesh pre e arrogancës. E pyetëm Gridën për këtë, dhe përgjigjja që morëm ishte se ajo ruhet me shumë vështirësi, “aq më tepër kur publiku të sheh si pjesë e një grupimi politik, atëherë do vuash të njëjtat kundërshti që ka grupimi politik që ti përfaqëson”.

Kështu e vijon komentin e saj, ndërsa në faqen e vet në “Facebook” thotë se ka me mijëra njerëz që e motivojnë dhe i japin forcë, “sidomos në kohëra si këto, ka po ashtu njerëz, ndonëse shumë të paktë në numër, që duke mbarsur një kundërshti apo pakënaqësi të madhe me grupimin politik, shfryjnë agresivisht, gjë e cila sigurisht do të ngjallte një formë reagimi, por unë kam zgjedhur të mos e bëj. Nga njëra anë, pikërisht për shkak të mosrënies pre e arrogancës, siç thoni ju, por nga ana tjetër edhe sepse mendoj që një vend si i yni, ku mungon institucioni i rrëfimit, njerëzit kanë nevojë ta nxjerrin pakënaqësinë dhe dufin nga vetja. Në këtë kuptim, disa të tjerë ashtu si unë, që kanë edhe njohuritë e duhura të kuptojnë disa reagime sociale, por edhe që kanë marrë përsipër të advokojnë në publik disa kauza, duhet të presin edhe kundërshtime apo mospëlqime. Por fatkeqësisht mbetet shumë e vërtetë që, nëse një grua shpreh forcë në atë që mbron, kjo është më pak e pëlqyeshme sesa kur këtë e bën një burrë. E të them të drejtën, mirë do të ishte që gratë t’i jepnin edhe më shumë qetësi jetës politike, por kur kjo ndodh, ajo grua nuk konsiderohet një zë i rëndësishëm, pra mbetet në periferi të çështjes. Duhet pranuar që jemi shoqëri ende e vrazhdë dhe që verdiktin, vendimin, fjalën apo mendimin që ta konsiderojmë me peshë e të dëgjueshëm, duhet ta dëgjojmë të zëshëm”.

Intelektualizmi nuk mbaron te kritika

Ndërsa vërejmë çdo ditë se njerëzit ankohen, politikanët nga njëri-tjetri, e të tjerë nga “gjëra abstrakte”, Grida Duma në një intervistë të sajën është shprehur se “mendimi intelektual duhet të jetë aktiv, por jo në sensin e ankimimit, sepse çfarë kemi bërë ne deri më tani, kemi glorifikuar individin që kritikojmë”. Në të vërtetë, ajo na ka rrëfyer fazën në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare. “E vijoj ta mendoj njësoj, – thotë ajo për ‘Psikologjinë’, – duke mos i hequr as edhe një presje faktit që intelektualizmi nuk mbaron te kritika, apo se si nuk duhet të jenë gjërat, madje nuk mbaron as tek të treguarit si duhet të jenë, duke bërë vetëm moral me shprehje ‘më shumë investime’, ‘më mirë’, ‘më drejt’ etj. Ky është vetëm fillimi. Intelektuali duhet të tregojë ‘si’ bëhen këto, me çfarë realizohen”.

Sipas Gridës, Shqipëria nuk është më një vend i varfër, ku buxheti është i ulët, apo ende rritja ekonomike është larg asaj të nevojshmes. “Përgjegjësia është më së shumti nga klasa politike. Por është tejet e rëndësishme dhe po aq e vërtetë që, ndërsa kritikojmë gjëra konkrete, të japim edhe alternativa konkrete për zgjidhje, përndryshe jemi thjesht duke krijuar një dëshpërim të madh tek lexuesi, i cili jo vetëm që nuk shikon zgjidhjen, por më së shumti thekson në dijet e tij anët negative të peshores”. “Intelektualët mbi të gjitha janë të tillë për mua, sepse japin një alternativë për zgjidhje më të mirë dhe këtë në formë të vërtetë e kritike, përndryshe çdo qytetar i jeton vetë të vërtetat e veta”.

“Botë kompromisesh”, barazia mes sekseve dhe forca e “të dobëtit”

“Lumturia është një koncept inekzistent”, – është shprehur kohë më parë Grida Duma. Për këtë arsye e pyetëm nëse ka dashur të thotë se jetojmë në një botë kompromisesh, jo veçse në punë, por edhe ndjesi. Dhe ja si është përgjigjur ajo për “Psikologjinë”: “Kjo e sotmja mendoj se është thuajse vetëm një botë kompromisesh, pasi kjo është edhe fryma e botës”. E vetë ajo që jeton në këtë realitet ka shtuar se “këtu më vjen ndërmend një nga autorët e mi të preferuar, Gasset, që shkruan: Na falni ju, baballarë, që ne, bijtë tuaj, do të jemi më pak heroikë se ju. E ju, gjyshër, falini po ashtu etërit tanë”.

Kohët moderne, sipas Dumës, “sollën epokën e negociatës dhe kompromisit, jo luftës e përballjes, ndonëse askush nuk mund t’i mohojë emocionet njerëzore kur ato përplasen me personazhe epike luftarake dhe përplasës”. E kështu, nëse lumturia është thjesht një koncept pa ndjesi, por e një bote kompromisesh, kujtuam shprehjen e Oscar Wilde kur thotë se “çdo mashkull është i lumtur, kur nuk dashuron një femër”. A ndodh kjo me femrën e si shihet “kjo barazi” mes sekseve të kundërta në Shqipëri, Grida thotë se “ndonëse realisht nuk mund të marr përsipër të gjykoj mbi një shprehje të thënë nga një burrë për një ndjesi burrash, unë besoj që dashuria nëse nuk përjetohet nga të dy, nuk mbijeton dot e vetme, e përjetuar vetëm nga njëri”.

Grida nuk mendon se një burrë që nuk e do një grua “do arrijë realisht të marrë dashurinë e saj të vërtetë. Ai mund të ndjejë fillesat e kësaj ndjenje, por jo dashurinë reale nëse ai nuk e do atë”. Duke vijuar më tej shton se “sigurisht asgjë nuk ndodh në ritëm perfekt për të dy partnerët, e unë besoj që duhet kohë për ta lënë dashurinë të ndodhë, vërtet, sepse pas momenteve të para intuitive dhe tërheqëse, janë me qindra detaje të rëndësishme në një dashuri, me qindra gjëra domethënëse që i lidhin dy njerëz, e këtu flas për dashuri të vërteta, jo për forma fillestare dashurish, të cilat aq shumë mund të mos kthehen në dashuri”.

Mirëpo kjo vendosmëri e saj nuk shfaqet veçse në ndjenja, por edhe në jetën politike, së cilës Grida iu bashkua për një periudhë jo të vogël. “Nëse nuk tregon që je i fortë, nuk mund të bësh pjesë në politikë në njëfarë mënyre, pasi herë pas here edhe i dobëti është i fortë, pra i dobëti është shumë i fortë, pasi ka forcën për të viktimizuar vetveten e për të fituar energji nga tjetri”. Pa dashje, ajo prek një “vetëviktimizim” të asaj elite, pjesë e shoqërisë sonë dhe e vetë politikës shqiptare, të cilën jemi mësuar rëndom ta dëgjojmë deri më sot. Por, a ka një rrugëdalje?

“Një çështje kaq e rëndësishme kjo që shtroni. Po. I dobëti ka një forcë të vetën, siç edhe ju kaq mirë e përshkruani, e hera-herës, me miq e deklaroj shkurt këtë çështje… Mua më mund forca e të dobëtit, jo e të fortit, – thekson Grida. – Po ashtu, ndaj me ju mendimin që në radhët e politikës gjen personalitete të dobëta. Nga njëra anë ata janë përfaqësim i kësaj kategorie të shoqërisë në politikë, por ka një kundërshti në këtë mes me vetë përfaqësimin, se përfaqësimi ka vlerë, pasi jemi ne ata që duam të na përfaqësojnë, të marrin vendime nën emrin tonë. E këtu nis kontradikta. Një personalitet i dobët zor se merr vendime, duke u varur në qafën e të fortit për përgjegjësitë e vendimeve, e për këtë arsye politika jonë është politikë e ‘njëshit’, jo e grupit, e njëshit të fortë, jo e grupit të fortë. Arsyeja pse kjo ndodh është e dyanshme, – shpjegon Grida Duma, – pasi njëshit i volit që të ketë të varur e fatkeqësisht edhe votuesit solidarizohen më shumë me një natyrë të butë e të përvuajtur dhe i frikohen një figure të fortë, që mendojnë se nuk i drejtohen dot lehtësisht”.

Duke vijuar me këtë ide, ajo thotë se “është e vërtetë që votuesi e di se një figurë politike e ‘të dobëtit’ i është më shumë borxhli votuesit, sesa një i fortë që e merr, sepse gati i takon pozicioni i pushtetit”. Duke folur për rrugëdaljen nga ky i ashtuquajturi “sistem”, Grida komenton: “Sigurisht që ka një rrugëdalje, e rrugëdalja do të ndihet kur votuesi të shohë e kërkojë qartë atë që këta njerëz prodhojnë dhe ndërtojnë realisht. E kur kjo të ndodhë, figurat e forta që prodhojnë do të avantazhohen pa dyshim. Sapo të fillojmë të ndiejmë që politika nuk është show, as shfaqje, por është strategji zhvillimi, aq më shumë nuk do të tolerohen figurat që ‘e vjedhin’ forcën, e nuk e prodhojnë atë. Dhe në politikën tonë duhen figurat e forta, pasi janë shumë vendime të vështira për t’u marrë”. 

Shkrimi u botuar në revistën “Psikologji” në tetor 2013

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura