“Programi ‘BE për Bashkitë’ është provë suksesi! Mbështetja financiare, 10 milionë euro”- Ambadadori Silvio Gonzato: Do t’i mësojmë se si të përballen me burokracitë e Unionit

Jul 13, 2024 | 13:21
SHPËRNDAJE

Procesi i integrimit evropian në thelb ka zbatimin e rregullave, standardeve dhe vlerave që përmblidhen në gjithë kuadrin legjislativ të Bashkimit Evropian. Shumëkush kur dëgjon togfjalëshin “integrim evropian” mendon thjesht për çështje dhe sfida me përmbajtje politike, por në të vërtetë shkon shumë përtej.

gonzato

Kjo pasi, 70% e legjislacionit të BE zbatohet në nivel të pushtetit lokal. Bashkimi Evropian përfundoi programin “BE për Bashkitë”, i vlerësuar si ndër më të rëndësishmit, sepse kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian investon drejtpërdrejt tek komunitet vendore, përmes ndërhyrjeve infrastrukturore dhe përgatitjen e stafeve bashkiake për përthithjen e fondeve të saj.

19 bashki të mëdha e të vogla të Shqipërisë përfituan nga 1.7 milionë euro fonde të vënë në dispozicion nga BE përmes Delegacionit në Shqipëri. Godina në prag rrënimi u rikonstruktuan tërësisht, u përmirësuan shërbimet për qytetarët dhe komunitetet.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato në intervistën dhënë për “News24”, thekson se Brukseli zyrtar i kushton vëmendje të veçantë pushtetin vendor në Shqipëri, pasi përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian dhe zbatimit të kuadrit ligjor.

“Pushteti vendor është i rëndësishëm në implementimin e ligjeve dhe standardeve të Bashkimit Evropian, sepse ato janë ofruesit e shërbimeve bazike ndaj qytetarëve dhe duhet të japin këto shërbime në nivelet dhe standardet që kërkohen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që prej fillimit për të bërë të mundur që ne si Delegacon i BE-së të mos angazhohemi vetëm me qeverinë qendrore, sigurisht që ne e bëjmë këtë sepse është interlokutori ynë kryesor, por të udhëtojnë në Shqipëri, të bisedojmë me kryetarët e bashkive, të kuptojmë sfidat me të cilat ata përballen, sepse ata janë personat që prekin problematikat e qytetarëve shqiptarë çdo ditë, ata kuptojë pritshmëritë e tyre, si dhe janë ata që mund t’i shpjegojnë qytetarëve që Bashkimi Evropian nuk është dhe nuk ka të bëjë vetëm për adoptimet e ligjeve, por ka të bëjë me ndryshimin e mentalitetit, të kenë një qasje ndryshe mbi çështje dhe problematika të caktuara.

Pra, kryebashkiakët janë shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Prandaj jam shumë i kënaqur që ndërmorëm këtë program “BE për Bashkitë” dhe që do ta vazhdojmë atë, sepse mendoj që duke punuar krah për krah me kryetarët e bashkive dhe duke i mbështetur ata, është absolutisht e rëndësishme”, u shpreh ai.

Programi i BE-së në mbështetje të pushtetit vendor në Shqipëri, për Ambasadorin Gonzato përbën një provë suksesi, pasi në bashkitë ku u investua janë përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha janë përftuar aftësitë dhe njohuritë që pushteti vendor të përfitojë direkt nga fondet e Brukselit zyrtar.

“Ajo çfarë ishte vërtetë inkurajuese, ka të bëjë me faktin se kur unë kam vizituar disa bashki, kam parë që me pak para ju mund të ndryshoni jetën e një komuniteti, mund të ofrohen shërbime të reja, mund të injektohet dinamikë të re në atë komunitet, mund t’u jepen të rinjve mundësi për të mësuar aftësi të reja, si për shembull aftësi në IT, mund të krijohen hapësira që të rinjtë të mblidhen së bashku dhe për të mësuar gjëra të reja, ose për të shpenzuar kohë në komunitet. Po ashtu mund të ndihmohen shoqata vendore për të trajtuar probleme, si për shembull problemet e dhunës. Pra vërtetë ndryshon jetën e njerëzve, duke përmirësuar shërbimet sociale dhe shërbimet shëndetësore. Këto janë gjëra vërtetë konkrete dhe të prekshme.

Kështu për mua ishte shumë kënaqësi, dhe ky program “BE për Bashkitë” është një provë suksesi. Diçka tjetër më aftagjatë ka të bëjë me ndihmën tonë që këto bashki të mësojnë si të përballen me Bashkimin Evropian. Kjo është pjesë e lojës, sepse duhet të mësosh si të përballesh me burokracinë e Bashkimit Evropian. Mund t’ju them se nuk jemi aq keq, por ne jemi një burokraci specifike. Tani bashkitë kanë përfituar aftësitë dhe njohuritë që do të jenë absolutisht kyçe në të ardhmen për të aksesuar fondet që Bashkimi Evropian do të vë në dispozicion gjithashtu për pushtetin vendor”, u shpreh ai.

Shtatorin e vitit 2023 u krijua një portofol i ri ministror, Ministria për Pushtetin Vendor, qëllimi i së cilës është bashkëveprimi dhe asistenca ndaj bashkive. Ministri Arbjan Mazniku pohon se në këndvështrimin e procesit të integrimit evropian ekzistojnë sfida të cilat duhet adresuar nga pushteti vendor.

Programi “BE për Bashkitë” tregoi edhe problematikat që duhen zgjidhur nga vetë bashkitë shqiptare. Në raport me bashkitë e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në institucionet e pushtetit vendor që administrojnë jetën e qytetarëve në Shqipëri, ekzistojnë sfida të cilat duhen adresuar.

Sot Bashkimi Evropian një pjesë të madhe të programeve i ka të destinuara për zhvillimin e qeverisjes në nivel vendor. Bashkitë kanë mundësi të fitojnë drejtpërdrejt përmes projekteve dhe për këtë duhet të kenë kapacitete që jo vetëm të fitojnë projektet, por edhe t’i zbatojnë ato.

Ambasadori Silvio Gonzato siguron se fondet janë në dispozicion dhe jo pak, por 10 milinë euro.

“Absolutisht Po! Do ketë vazhdim të mbështetjes financiare për bashkitë shqiptare. Qëllimi nuk është për të parë nga e kaluara, por të shohim drejt së ardhmes dhe të themi se ne patjetër duam të vazhdojmë me këtë angazhim. Ne e kemi katërfishuar shumën financiare, nga 2.5 milionë euro do të jenë 10 milionë euro. Kjo është një shenjë konkrete dhe një njohje konkrete e rolit që kryetarët e bashkive dhe vetë bashkitë luajnë në procesin e integrimit evropian dhe ne dëshirojmë të jemi përkrah tyre”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura