Projektet problematike në komunizëm? Maks Velo: Nga pallati i Kadaresë tek uzina e Peshkopisë ishin…

Jan 30, 2019 | 13:46
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Për shumëkënd, ato janë thjesht ca ndërtesa të ngritura gjatë viteve të komunizmit dhe shumë pak e dinë se pas tyre fshihet jo vetëm puna e një apo shumë arkitektëve, por edhe një ngjarje, një vendim, pse jo edhe një dënim.

maks velo teatrii

Të tilla janë ndërtesat që ka projektuar arkitekti Maks Velo. Pak ditë më parë, Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë i akordoi çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë” si pjesë e një serie çmimesh që do të jepen në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare/Festival of Albanian Modern Architecture”. Një çmim që u kushtohet arkitektëve shqiptarë, që kontribuuan në gjenezën e arkitekturës moderne në Shqipëri. Ky çmim u shoqërua edhe me një ekspozitë, e cila është hapur në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Në të janë ekspozuar një sërë projektesh ndërtesash të rëndësishme, që nga uzina, hotele, në godina banimi. Maks Velo tregon historitë e tyre, duke shprehur dëshirën që kjo nismë të vijojë edhe për të gjithë arkitektët shqiptarë, madje të hartohet edhe një enciklopedi, në prag të 100-vjetorit të arkitekturës profesionale shqiptare.

Maks Velo projektet kubiste5

Ju kemi ndjekur më shumë në ekspozita pikture e tanimë, nxirrni nga arkivat punimet tuaja si arkitekt.

Është hera e parë që realizohet një paraqitje e tillë, një punë kërkimore, arkivore, për të cilën ka ndihmuar Ministria e Ndërtimit dhe Shoqata e Arkitektëve. Kjo nismë duhet të vazhdojë me arkitektët e tjerë. Unë propozova që dalëngadalë të shkruhet një enciklopedi e arkitekturës, pasi jemi në prag të 100- vjetorit të projektit të parë profesional.

maks-velo-696x399

Cili është pikënisja e projektimit profesional?

Duke marrë si bazë vitin 1920-2020, bëhen 100 vjet arkitekturë profesionale. Arkitektët e brezit të parë janë Sotiri, Butka, Luarasi dhe Lufi. Këtë shekull unë do ta ndaja në 5 breza arkitektësh, duke llogaritur nga 20 vjet çdonjëri. Pas këtij brezi që përmenda më sipër që do t’i çoja deri në vitin ’45 vjet, vjen brezi i atyre që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik në vendet e demokracive popullore; brezi i tretë, ku përfshihem edhe unë, është ai që u formua në Politeknikumin; brezi i katërt me Klement Kolanecin dhe brezi i pestë me arkitektët e sotshëm, Armand Vokshi etj. Nuk duhet të lëmë jashtë asnjë arkitekt. Nuk duhet harruar Aleko Rafaeli, të cilin e larguan nga Instituti i Projektimit, sepse dy vëllezërit e tij, Stavri që ishte tenor dhe Thomai që ishte inxhinier ndërtimi ushtarak, të cilët tentuan të arratiseshin. Këtë të fundit e pushkatuan në tunelet që projektoi dhe hapi vetë. Dhe të mendosh që Enver Hoxha, kur shkonte në Korçë, banonte te shtëpia e gjyshes së Rafaelëve, në rrugicën pas “Majestikut”. Po nuk duhet harruar as Ferid Dishnica, i cili ishte në një byro me mua, por ishte i persekutuar pasi vinte nga familje e pasur. Ishte një arkitekt shumë i mirë, që ka realizuar projektet e bllokut “Partizani” dhe “Dinamo”. Arkitektura është një profesion, që kërkon punë në grup, pasi nuk është si arti, që është individual.

Maks Velo projektet kubiste4

Kjo ekspozitë erdhi bashkë me një çmim që ju akordua nga Shoqata e Arkitektëve…

U ndjeva i nderuar për çmimin që më dhanë. Kam dhënë kontributin tim jo vetëm në projektim, por edhe në botime, ku shumë të rëndësishëm quaj “betonizimin e demokracisë”, me 60 artikuj për çka ndodhur nga 1990 deri në 2015.

Ç’projekte përfshihen në këtë ekspozitë?

Këtu ndodhet projekti i pallatit të Kadaresë; një projekt për arkivën e RTSH-së, të cilin e kam realizuar në vitin 1972. Kur erdhi Todi Lubonja në televizion, kërkoi një film-arshivë dhe unë krijova një projekt që nuk u pranua, si vepër formaliste. Këtu është projekti dhe planimetria e shkollës së Gjuhëve të Huaja, që edhe sot e ka ruajtur fizionominë, me ndryshime të vogla, të cilin e kam realizuar me një kolege, Efigjeni Gjokën. Por edhe godina me një kinema bashkëngjitur që ndodhet në Laprakë, ku u mundova të fus disa elementë modernistë. Madje, për një strehë, Koleka më tha “çfarë e ke këtë thikë buldozeri?!”; salla e “Milleniumit”, ish-Kinema “Pionieri”, e realizuar në vitin 1973; godina e ATSH-së, në vitin 1971; shkolla “Emin Duraku”; ish-hotel “Arbana”; stoli i famshëm i Parkut të Liqenit në vitin 1963, që është edhe skulptura e parë moderne; projekti për një ambasadë bullgare që nuk u realizua; një variant shumë modern për ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar; dekoracione bakri të rrahur, për interierët e hotel “Vollgës”, të cilat u shkatërruan me urdhër; disa kërkime për bioarkitekturën që mbështetet mbi konstruksionet bimore, etj.

Maks Velo projektet kubiste3

A ka ndonjëra prej këtyre ndërtesave ndonjë histori të veçantë?

Uzina mekanike në Peshkopi ka një histori më vete. Në vitin 1966, Enver Hoxha mbajti një fjalim për mëkëmbjen e ekonomisë. Meqë ekonomia e vendit po shkonte keq, i shpërndau të gjithë anëtarët e Byrosë Politike nëpër qytete dhe ne na erdhi kryetar bashkie Abdyl Këllezi. Atëherë u ngarkua Komiteti dhe Ministria e Industrisë që të ndërtonin një uzinë mekanike në Peshkopi. Unë bëra një gjë, që sot është shumë e diskutuar nga arkitektët e huaj, që nuk e besojnë se unë këtë projekt e kam bërë në vitin 1966. Kanë ardhur në shtëpinë time dhe e kanë parë arkitektë italianë e zviceranë, pasi fasada që unë prezantoja në projekt kishte një shpërndarje dritaresh të atillë, që në Europë u shfaq 10 vjet më vonë. Pra, është bërë shumë më herët se arkitektët në Europë të realizonin këtë lëvizje dritaresh. Një përpjekje të ngjashme kam bërë edhe në projektin e laboratorit të Institutit të Mineraleve.

Janë vetëm projekte të para ’90-ës?

Pas viteve ’90 kam realizuar vetëm dy projekte, që janë realizuar, njëra te “Vëllezërit Konti”, mbi kodër, dhe një tjetër në hyrje të “Komunës së Parisit”.

Maks Velo projektet kubiste2

Shohim edhe skicën e një xhamie, me një strukturë të veçantë…

Një projekt për xhami, një skicë. Kupolën e çoj poshtë në tokë dhe e gjithë struktura ka formën e një veze, ku gjysma është mbi tokë dhe gjysma tjetër është nën të, si edhe një minare në formë hëne, si skulpturë.

Kur i shihni sot këto punime, ç’mendoni për to?

Atëherë unë solla si risi mënyrën e vizatimit në projektim. Nuk vizatohej kështu në projektim, me kaq bardhë e zi, me kaq anë grafike. Duke qenë që mua më pëlqente grafika, iu dhashë këtë natyrë projekteve të mia.

A vizatohet me dorë sot?

Tani punohet me kompjuter dhe nuk e kap më njeri lapsin me dorë. Edhe planimetritë, edhe fasadat, i bëjnë në kompjuter. Në momentin që nuk i punon me dorë, t’i nuk i ndien ato.

Cili është projekti që ju ka hapur më shumë telashe nga pushteti i kohës?

Akuzat që lidhen me arkitekturën u bashkëngjitën të tjerave. Akuza kryesore ishte “kubizmi” në pallatin e Kadaresë dhe punimet në hotel “Vollga”, por elementët kubistë unë jam munduar t’i fus në të gjitha projektet e mia, si në atë të Peshkopisë, tek ATSH, etj. Shefi im, Koço Miho, ishte njeri shumë i mirë dhe më thoshte me të qeshur: “Lëri Maksi këto dhe bëj atë që duhet bërë”, dhe nuk merrte masa. Kishim një ambient shumë të mirë. Fakti është që kur lexon atë librin me denoncime, nuk gjen asnjë arkitekt të ketë bërë një të tillë. Shoqëria e arkitektëve ishte shumë e mirë, e shëndoshë, nuk spiunonin njëri-tjetrin. Spiunët kanë dalë nga radhët e artistëve.

Maks Velo projektet kubiste1

Si është e mundur?

Sepse ka shumë egoizëm, smirë. Duhet të nxish tjetrin që të dalësh vetë në krye, kurse arkitektura është punë kolektive, ka më pak egoizëm dhe më shumë dashuri.

Maks Velo projektet kubiste

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura