Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë me një firmë të njohur kineze për disa nga projektet e saj strategjike. Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua dje midis përfaqësuesve ligjorë të Bashkisë dhe kësaj firme. “U nënshkrua në Bashkinë e Tiranës Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin ekonomik midis firmës kineze ‘China State Construction Engineering Corporation’ LTD. dhe Bashkisë së Tiranës”, bëri me dije Bashkia e Tiranës. Sipas memorandumit të bashkëpunimit që u nënshkrua, firma kineze është interesuar për pjesëmarrjen në zhvillimin e disa projekteve në Tiranë, siç është projekti i tramit, por edhe projekte të tjera që do të çojnë në zhvillimin e qytetit. Ndërtimi i linjës së tramit është lançuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha që me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Kjo linjë do të jetë e para e këtij lloji në vendin tonë, duke u dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve që të shkurtojnë kohë duke përdorur transportin publik. Pak javë më parë, kryebashkiaku Basha ka nënshkruar një marrëveshje me ambasadoren franceze për akordimin e një shume prej 720 mijë eurosh të dhëna nga qeveria franceze për nisjen e studimit të fizibilitetit dhe projektit paraprak për linjën e tramvajit në Tiranë. Studimi do të kryhet nga shoqëria franceze “EgisInternational”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al