Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj Armand Dukës, nën akuzë për vjedhje e korrupsion te FSHF

Jan 24, 2022 | 10:23
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Sipas News24 organi i akuzës ka nisur hetimet pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit, për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Vjedhje duke shpërdorur detyrën”.

armandoduka

Një ditë më parë, ishte Bashkia e Tiranës, që në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, kërkoi një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar të Armando Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Kujtojmë se agjentët amerikanë çuan në rrëzimin e Blatter e Platini – miqtë “e pathyeshëm të Dukës”, që mbyllën me dënime penale karrierat e tyre!

Sipas burimeve, agjentet e DEA me qendër rajonale në Athinë – agjencia amerikane e antidrogës – do të prezantohen me të gjitha provat e parave të drogës në sport, me dijeni e mbështetje të Armando Dukës me elementë të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine.

FIFA është akuzuar prej kohësh për mungesë kontrolli me abuzimet e federatave lokale me drejtues si Duka, dhe mesa duket një valë e re mediatike për këto shpërdorime ndërkombëtare po bëhet e pashmangshme. Bashkia e Tiranës, si aksioner i FK Tiranës, do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri, për të kërkuar revokimin e vizave të familjes Duka, si minues përsëritës së demokracisë në futbollin shqiptar dhe të dyshuar në një sërë veprash penale! Kjo është hera e parë që ka një mobilizim të tillë të institucioneve ndërkombëtare për të hetuar Armando Dukën dhe abuzimet në FSHF.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura