Protesta e studentëve, reagon Kisha Katolike dhe Vëllazëria Ungjillore

Dec 13, 2018 | 15:34
SHPËRNDAJE

Pas Kishës katolike, edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë apelon për një marrëveshje veprimi mes qeverisë dhe studentëve.

Përmes një mesazhi të bërë nga Pastor Ylli Doçi,Kryetari i VUSH, aktorët e shumtë të shoqërisë dhe qeverisë, inkurajohen të mobilizohen për qartësim hapash drejt zgjidhjes me mirëkuptim, dashamirësi dhe përkushtim.

36565380_1674005819313836_4641842349612204032_n

Ne jemi të vetëdijshem që rrënjët e problemeve të shumta të cilat motivojnë këtë protestë, lidhen me sëmundje të ndryshme që kanë mbërthyer prej kohësh shoqërinë shqiptare dhe nuk mund të presim një prekje të një shkopi magjik nga ky vrull rinor të shërojë gjithçka, por presim që standardet e duhura që duhet të sanksionohen në reflektim të kërkesave legjitime të rinisë, do të bëhen një pikë referimi për të adresuar në thellësi problemet që vijnë nga padrejtësi dhe përdhosje të vlerave në aspektet e tjera të jetës së shoqërisë shqiptare. Zëri i rinisë, tani, duhet përkthyer në marrëveshje veprimi dhe ne inkurajojmë aktorët e shumtë të shoqërisë dhe qeverisë, të mobilizohen për qartësim hapash drejt zgjidhjes me mirëkuptim, dashamirësi dhe përkushtim”, thuhet në mesazhin e përcjellë të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Më herët ka reaguar dhe kreu i Kishës Katolike, Imzot George Frendo, i cili ka përcjellë një mesazh lidhur me protestën studentore e cila ka hyrë në ditën e 9-të.

Frendo kujton vështirësitë që krijon sistemi aktual arsimor në vend që studentët të përballojnë shpenzimet

DEKLARATA E KISHËS KATOLIKE

Ne, si Konferenca Ipeshkvore i Kishës Katolike në Shqipëri, tashme kemi shprehur solidaritetin tonë me studentët, veçanërisht me ata që vijnë nga familje të varfëra, që po protestojnë për kushtet më të favorshme në sistemin arsimor. Kemi shprehur gjithashtu “vlerësimin tonë për mënyrën civile dhe paqësore me të cilën kjo protestë po zhvillohet nga ana e tyre”.

imzot frendo

Jemi shumë të vetëdijshëm se sistemi aktual e bën shumë të vështirë që studentet të përballojnë të gjithë shpenzimet në sistemin aktual, duke konsideruar jo vetëm paranë që kërkohet nga universiteti, por edhe librat, konviktin, dhe paranë që shumë profesorë të paskrupullt kërkojnë për provimet.

Po marr lirinë të flas për eksperiencën time personale, që në moshën 10 vjeçar kam humbur babanë. Isha i pesti në një familje me shtatë fëmijë. Kam përjetuar varfëri, sepse Malta e vitit 1956 nuk ishte si është sot. Por jam shumë mirënjohës qeverisë e asaj kohe që shkollën më të mirë e Maltës e bëri falas për të gjithë studentët, kështu që arsimimi i lartë u bë i arritshëm edhe për më të varfrit. Sa për vetë, nuk do të kisha mundësi të vazhdoja studimet e mia po të mos ishte për këtë iniciativë të qeverisë.

Para disa ditësh (pikërisht më 10 dhjetor) kemi përkujtuar përvjetorin e 70e e botimit të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut” nga Kombet e Bashkuara. Në nenin 26 thuhet: “Çdokush ka tê drejtën e arsimimit. Arsimimi duhet të jetë i lirë së paku ai fillor dhe themelor… Formimi teknik dhe profesional duhet të mundësohet dhe ai i larti duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë në bazë të meritës”. Arsimimin gjithmonë e çmoja si një prioritet në Shqipëri. Dhe shpresoj se edhe këtu në Shqipëri qeveria të bëjë çmos që të gjitha shtresat e shoqërisë të kenë akses për arsimimin e lartë. Arsimimi është një nga të drejtat themelore të njeriut.

Në Deklaratën e sipërpërmendur e Konferencës sonë Ipeshkvore kemi thënë se “ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore dhe universitare në gjetjen e një gjuhe dialoguese për të mirën e të rinjve universitarë”. Në këtë deklaratë nxis dhe lutem sinqerisht që qeveria dhe studentët të zgjedhin rrugën e dialogut. Është rruga e vetmja që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë.

Pas disa ditësh të krishterët do të kremtojnë lindjen e Krishtit, dhe të gjithë shqiptarët do të kremtojnë Vitin e Ri. Çfarë domethënie do të kenë urimet tona “Gëzuar Krishtlindjet” – “Gëzuar Vitin e Ri” në këtë situatë të tensionuar? Le të kërkojmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë nëpërmjet dialogut më shumë sesa rrugën e konfrontimit.

Dialogu është dialog, jo monolog. As është dialogu thjesht një kompromis. Dialogu përfshin një dëgjim të sinqertë, më vullnet të mirë që të gjejmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë. Dhe nxis të gjithë besimtarët e të gjitha besimeve t’i drejtohen Zotit, që të ndriçojë të gjithë ata me pergjegjësi për një zgjidhje të drejtë dhe paqesore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura