NGA AGRON GJEKMARKAJ
Protesta si e vetmja rrugë!
Mënyra e vetme që shoqëria shqiptare të ngrihet në lartësinë e shpresave të veta është protesta.
Kur nisem rrugën e lirisë para 34 vitesh besonim sa do ta mundnim varfërinë shumë më shpejt dhe po kaq do të instalonim një shtet të së drejtës.
Varfëria ka trokitur kudo në qytet e fshat sepse korrupsioni qeveritar ka grabitur në fshat dhe qytet. Paraja publike nuk shkon në të mira publike por në xhepa pushtetarësh dhe klientëve të tyre në biznes. Krimi mbikëqyr proceset ekonomike e politike.
Të tjera rroga e pensione do kishin shqiptaret nëse vjedhja nuk do të mbretëronte sovrane. Skandalet janë karta e identitetit të kësaj qeverie qysh në vitin 2013. Koncesionet dhe inceneratoret tymi i të cilave del ngadalë mbi pullazin e SPAK janë dy “sukseset” e kësaj qeverie e cila me këto para blen zgjedhjet dhe paguan patronazhistet. Shqipëria ka nevoje për një Qeveri Teknike për të garantuar rrotacionin demokratik.
Institucionet njëra pas tjetrës kanë rënë. Gjithçka është në dorën e një njeriu, në dorën e Edi Rames. Vendi nuk ka President, nuk ka Parlament nuk ka dinamika e logjike institucionale, ka vetëm vullnet despotik.
Drejtësia nuk heton dosjet korruptive të zgjedhjeve ndonëse gjithë shtypi i Evropës ka folur për to e narkotrafikun që ndyn shtetin tonë.
Me 11 Korrik çdo kush gjen motiv për të protestuar për dinjitetin e vet, për të ardhmen e fëmijëve që sot duan vetëm të ikin, të dëbuar nga arrogance e korrupsioni qeveritar, nga banaliteti e idiotësia e tyre mendore.
Kjo qeveri nuk e pranon bashkëjetesën demokratike! Provat e saj per dhunimi e opozitës janë të pafundme. Më e spikatura mbetet ndalimi dhe arrestimi i Kryetarit të PD-së dhe Liderit të Opozitës Sali Berishes pa akuze pa prova.
Ndalimi i shefit të Opozitës është kërcenim per të gjithë. Nuk është më një çështje individuale e nje personaliteti sado përfaqësues në simboliken e vet por e ndërgjegjes se një populli të raportit të tij me drejtësinë dhe demokracinë.
Një vend i Natos dhe kandidat per në BE megjithëse kësaj qeverie nuk i intereson integrimi si pengese per te vjedhur nuk mund të synoje nxjerrjen jashtë ligjit të Opozites. Burgosja politike është defakto nxjerrje jashtë ligji, bllokim i pluralizmit.
Protesta është mjeti i fundit i cili jo thjesht opozitën por shoqërinë e çon drejt aspiratave të veta. Konformizmi është atentat ndaj së tashmes dhe së nesërmes.
Të rrish indiferent, të shmangesh sot i bie qe nesër do jesh më i pambrojtur, më i kërcënuar, më i patronazhuar , më i kontrolluar në votë dhe në liritë e përditshme.
Me 11 Korrik ne darke duhet të shfaqet shoqëria me gjithë spektrin e saj , ata që e duan dhe që nuk e duan PD, gjyshër, prind nipa e mbesa. Duhet të jemi bashkë të gjithë ata që bashkohemi në konceptet universale për të mirën, të drejtën dhe të dobishmen.
Kjo është një proteste emancipuese për një Shqipëri më të mirë, kundër korrupsionit, kundër varfërisë, kundër keq qeverisjes, per drejtësi , zgjedhje të lira, integrim e demokraci, për një Shqipëri që i thotë ndal shkretimit. Të gjithë bashkë ja dalim. Le të ikin nga vendi nëse drejtësia si ndal hajdutet dhe batakçinjet që kanë vetëm bark e prapanica pushteti por duhet të rrinë Shqiptaret zot të vetvetes dhe lirive të tyre. Ne e kemi thyer njëherë regjimin totalitar. Historia na ka vënë në prove per se dyti. Perseri do ta thyejmë. Projekti për Shqipërinë si gjithë Europa riprezantohet mbrëmjen e 11 Korrikut në Bulevardin Dëshmoret e Kombit!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al