Kryeplaku: Prindërit tanë janë me prejardhje turke. Greqia na dëboi, Shqipëria na strehoi
Revoltohen banorët e fshatit Shëngjergj të Korçës. Një ditë pas lajmit se janë vetëdeklaruar të gjithë grekë, ata u mblodhën dje në qendër të fshatit, duke protestuar dhe kërkuar publikisht njohjen e tyre si shqiptarë. Një indinjatë kjo, jo vetëm e banorëve që ndër breza janë pasardhës shqiptarë, por edhe e atyre me prindër të lindur në Greqi, kryesisht në fshatin kufitar Vinan. Allterie Mustafa është njëra prej tyre, por jo e vetmja. Gruaja, që i ka kaluar të shtatëdhjetat, jo vetëm që nuk pranon se i përket kombësisë greke, pavarësisht se prindërit i kanë lindur atje, por është e gatshme të betohet dhe të sjellë para nesh të gjithë anëtarët e fisit të saj, që pranojnë se janë shqiptarë, ashtu siç edhe kanë deklaruar në formularët e censusit. Dhe e mban betimin. Një nga një, ajo radhit dhjetëra trashëgimtarë, që si ajo janë të revoltuar me median për “greqizimin e fshatit”… Përveç njërës, një vajze që mban ende mbiemrin Mustafa, por siç duket nuk ndihet më shqiptare, si i gjithë fisi i saj. “Po ç’punë keni vetëm me një? Hyqmetja (vajza e vetme Mustafa, e vetëdeklaruar greke) i shkon nga pas burrit tani. Është martuar me një grek dhe e ka marrë këtu. Jetojnë të dy dhe mbase ndikohet. Por, nëse vetëm një ndihet greke, mos na bëni të gjithë fshatin, se na turpëruat. Unë të solla 30 shqiptarë nga fisi im për 5 minuta, po deshe të lajmëroj edhe të tjerë”, thotë Allteria.
“Grekë myslimanë?”
Pa mbaruar mirë fjalën ajo, një varg i gjatë banorësh presin radhën. Duan të flasin të gjithë e për respekt femrat vijnë të parat. Është radha e Sanaver Sadikut, e cila duke dashur t’i shkojë edhe më thellë “provave” të mikes së saj Allterie, sjell të tjera argumente: “Unë mund të të radhis të gjithë mbiemrat e fshatit tonë dhe të gjithë janë myslimanë; Osmani, Ferhati, Mustafa, Sala, Ahmetlliu, Sulokoko, Shkëmbi, Hazo, Dule, Lukra, Meçolli, Meta, Veliu, Cerri… Ke parë e dëgjuar ti gjë për grekë myslimanë, se unë nuk di gjë?! Ata janë të gjithë ortodoksë dhe në fshatin tonë nuk ka as edhe një të tillë”. E ndërsa ajo përpiqet që të gjejë të tjerë mbiemra, burrat e fshatit kërkojnë fjalën. “Duam ta sqarojmë njëherë e mirë këtë çështje, sepse jemi befasuar kur kemi dëgjuar nëpër media sikur fshati ynë është grek. Jemi 100 shtëpi, mbase më pak, mbase më shumë, nuk i kam numëruar saktë. Vetëm tani, këtu në qendër që po të themi se jemi shqiptarë, jemi më shumë se 300 burra. Pra, i bie 3 persona në çdo shtëpi vetëdeklarohemi publikisht se jemi shqiptarë. Kini parasysh, që ne përfaqësojmë edhe fëmijët, gratë dhe vajzat që kemi lënë në shtëpi”, ndërhyn Mazllëm Shkëmbi, duke theksuar se të gjithë banorët janë gati të plotësojnë formularët në prani të medias, ku të firmosin për shqiptarizmin e tyre. “Jemi jashtë mase të indinjuar që 3-4 persona, që nuk përfaqësojnë shumicën në fshat, që nuk përfaqësojnë dot me dinjitet as veten e tyre, kanë folur në emrin e të gjithëve, duke na bërë grek. Shëngjergji është fshat shqiptar, çdo deklarim tjetër ose është lojë e fqinjëve grekë, ose janë deklarata të distancuara të ndokujt për qëllime personale, ekonomike”, thotë ai.
Kryeplaku
Si një pjesë e madhe e banorëve të fshatit Shëngjergj, edhe prindërit e tij i kanë lindur në Vanin të Greqisë, por në asnjë moment nuk e pranon se është grek. Quhet Fatmir Ahmetlliu dhe është kryeplaku i fshatit. “Nuk gënjej dot për asnjë lloj interesi sikur jam grek, do të shkelja kujtimin e prindërve dhe gjyshërve të mi. Ata vërtet kanë lindur në Vanin, por ata nuk janë grekë, kanë prejardhje turke. Kjo gjë vihet re kollaj edhe për shkak të mbiemrave tanë myslimanë, për të cilët paraardhësit tanë u dëbuan me dhunë nga Greqia ortodokse. I kemi ende rrëfimet e freskëta e gjyshërve tanë, që na tregonin për masakrat greke mbi trupat e tyre, ndaj jo vetëm që nuk ka kuptim të deklarojmë që jemi grekë në një kohë që ata na përzunë, por kemi edhe arsye për të mos qenë dashamirës ndaj tyre. Pra, ne vërtet jemi të ardhur gati para një shekulli këtu, por ama, shqiptarët patën zemërgjerësinë të na pranojnë mes tyre, të na japin ushqim dhe tokë, ndaj ne sot jemi një me ta. Ndihemi shqiptarë dhe jemi të gjithë shqiptarë”, thotë kryeplaku Ahmetlliu. Sipas tij, nëse dikush pretendon për të kundërtën, atëherë le ta bëjë me dokumente, por jo me hamendësimë. “Më çudit fakti i grekërve këtu në fshatin tonë, pasi përveçse disa fjalëve të shkëputura si fqinjë që jemi, askush nuk di të komunikojë greqisht. As unë nuk di. Nëse do të ishte gjuha e nënës apo e babait, dikush duhet ta fliste atë më mirë se shqipen, apo jo?! Provoje e pyeti”, sugjeron ai. Një sugjerim që ia vlejti të provohet. Sidomos pas një kurthi të vogël gjuhësor. Pas pyetjeve të mia krejt të lehta në anglisht drejtuar njërit prej 3 personave gjithsej të fshatit që janë vetëdeklaruar grekë, ai përgjigjej vetëm “efkaristo poli…” (Faleminderit shumë). Dhe, kur e kuptoi provokimin, po kaq shumë e falënderuam edhe ne për sqarimin e kombësisë së tij. Një sqarim, që na e refuzoi gjatë gjithë kohës, kur i kërkuam një certifikatë të trungut familjar për të argumentuar grekun brenda vetes…
Zyrtarisht shqiptar, ndërron emrin në Gjykatë
Herë është quajtur Anesti, herë Jorgo, herë Dhimitri e ca “herë” të tjera nuk i kujton mirë. Sa herë i është dashur ndonjë emër grek, i riu nga fshati Shëngjergj e ka bërë pa problem. Edhe zyrtarisht, me dokumente. Por nga dita e djeshme, pas lajmit se Shëngjergji është grek, ka marrë vendimin që ai të jetë vetëm Agushi shqiptar e askush tjetër. Ky është emri i tij i vërtetë dhe tashmë e do sërish me vendim gjykate.
Provokime me 3 kryqe mbi varret me gjysmëhënë
Pas lajmit se “banorët e Shëngjergjit janë grekë”, një tjetër surprizë është vënë re nga fshati. Surprizë provokuese, këmbëngulin banorët, ndërsa i referohen një tabele të bardhë ku janë pikturuar 3 kryqe të zeza, tabelë e cila është vendosur si shenjë treguese për varrezat e fshatit. Varre tipike të myslimanëve, ku spikasin gjysmëhënat e mermerta sipër tyre. Duke i parë me vëmendje, nuk gjetëm asnjë emër ortodoks në ato varreza, të cilat ishin të vetmet për fshatin Shëngjergj.
Fshati Shëngjergj, dikur vetëm me dy “të huaj”
I krijuar si fshat rreth vitit 1920 dhe i shtuar më së shumti rreth vitit 1940, banorët e Shëngjergjit janë deklaruar shqiptarë edhe në regjistrimet e popullsisë të vitit 1945. Sipas dëshmive, vetëm dy familje kanë qenë të deklaruara si vllahe, të cilët me ardhjen e demokracisë janë transferuar në qytetin e Pogradecit. “Përveç atyre, nuk ka pasur asnjë familje tjetër që nuk ka qenë shqiptare”, rrëfejnë banorët e fshatit, duke konfirmuar njëri-tjetrin.
Pezullohet nga puna anketuesja e Shëngjergjit
Pezullohet nga puna anketuesja e Shëngjergjit të Korçës, Mimoza Ashimi. Punonjësja që po mblidhte të dhënat për censusin në Lagjen Nr. 64 të këtij fshati është shkarkuar dje, vetëm 4 ditë pas marrjes së detyrës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë INSTAT-it, edhe pse deri mbrëmë nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga ky institucion. Siç mësohet nga këto burime, arsyeja e ndëshkimit të Ashimit ka të bëjë me prononcimet e saj publike të dy ditëve më parë, për mënyrën se si po e realizon censusin dhe problemet që i kanë rezultuar në Shëngjergj. Një fshat ky që u shndërrua për 24 orë në epiqendër përplasjesh për llojin e kombësisë së banorëve, ku u pretendua fillimisht se “të gjitha familjet aty janë greke”. Lidhur me këtë çështje, Ashimi dha shpjegimin e saj si anketuese e zonës, duke denoncuar raste abuzimi të disa banorëve që deklarohen si grekë pa pasur dokumentacionin e duhur, si dhe kërkesat e tyre absurde për fotokopje të formularit pas vetëdeklarimit. Por, pikërisht këto shpjegime duket se kanë ndikuar në vendimin e INSTAT-it për ta pezulluar atë, të paktën derisa të sqarohen rrethanat. Ajo nuk është parë më në lagjen e përcaktuar për anketim, ndërsa dy koleget e saj të fshatit kanë marrë paralajmërim nga zyrat qendrore të INSTAT-it për të mos bërë më asnjë deklaratë publike. Ky institucion ka nënshkruar një kontratë me të gjithë punonjësit, të cilët i ka udhëzuar të mos flasin në media dhe të japin të dhëna deri në përfundimin e plotë të procesit të censusit. Edhe në rast se ata do të kenë diçka për të thënë, gjithçka i duhet përcjellë me një shkresë INSTAT-it, i cili vendos më pas nëse do t’i japë leje punonjëses për t’u shprehur publikisht, nëse do të shprehet vetë si institucion, ose nëse do të heshtin.
Mesazhi
Pas pezullimit të Mimoza Ashimit, të gjithë anketuesit që po merren me censusin janë paralajmëruar që të mos bëjnë më deklarata publike pa marrë më parë leje nga institucioni zyrtar përgjegjës për këtë proces, INSTAT. Të gjithë punonjësit janë njoftuar me një SMS telefonike, se “në rast se do të prononcohen, do të pushohen nga puna”.
Minoritarët në Jug kundërshtojnë Omonia-n
SARANDE – Organizata Omonia u ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj të mos bëhen pjesë e regjistrimit të popullsisë. Kjo për faktin se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj organizate ka vendosur më parë të denoncojë e bojkotojë procesin e censusit. “Denoncimi dhe bojkotimi i procesit të regjistrimit të popullsisë ndodh pasi ligji nuk respekton vullnetin e pakicave etnike dhe nuk u garanton atyre lirinë e vetëdeklarimit të etnisë, gjuhës amtare, fesë, si dhe u mohon të drejta të njohura me akte ndërkombëtare”, është theksuar në një nga takimet e mëparshme të kësaj organizate. Ndërkaq, në një nga fshatrat e minoritetit në Sarandë, në Dhivër, duket se nuk është marrë parasysh thirrja e OMONIA-s. Banorë të shumtë të këtij fshati u shprehën në lidhje me këtë proces, se do të merrnin pjesë në regjistrim dhe se do të përgjigjeshin sipas të gjitha pikave të parashtruara, pa mohuar as fenë dhe as kombësinë. Ata u shprehën se do të plotësojnë formularin edhe në pikën ku kërkohet kombësia, ku sipas tyre do të shënojnë se ata janë grekë. Ata pohuan se u është bërë thirrje nga Këshilli i Përgjithshëm i Omonia-s që të mos bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë, proces që ka vetëm tri ditë që ka nisur. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e minoritetit në vendin tonë, Omonia, aleanca maqedonase, shoqata serbo malazeze, dhe shoqata e vllehëve, kanë deklaruar se nuk e njohin procesin e regjistrimit të popullsisë duke argumentuar se ky proces synon reduktimin e minoriteteve në Shqipëri. sh.d
Elbasan: Regjistrimi, shënime me laps nga anketuesit
ELBASAN – Shënimet e pyetësorit të mbajtura me laps, shmangia e mediave për të marrë informacion rreth procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, duket se e ka bërë të pabesueshëm këtë proces për qytetarët. Pyetje të tilla si: keni frigorifer, lavatriçe apo vizitat në familje nga mysafirët, janë cilësuar si të çuditshme për qytetarët. Nga një vëzhgim në një nga qendrat e hapura nga Instat, duket se puna vijon normalisht, por kontrolluesit i sheh këtu duke plotësuar me stilolaps disa pyetësorë, ndërkohë që ato plotësohen me laps. Përfaqësuesit e zyrës, më së shumti supervizorët thonë se të dhënat duhet të merren vetëm në Instat. Një natë më parë, supervizorët si edhe anketuesit kanë marrë një urdhër, i cili ndalon dhënien e informacionit për mediat rreth vijimit të këtij procesi.
Nga e derguara jone ne Shengjergj/ Elisabeta Ilnica
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al