BLEONA METUSHI/ Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi provat shkresore të Prokurorisë për ngjarjen e Elbasanit, ku përballë tregut agro-ushqimor u përplas makina e Policisë.
Duke iu referuar relatimit të prokurorit, duket se dy provat më të forta të Krimeve të Rënda për identifikimin e autorëve janë shenjat e gishtave të gjetura në krahun e pasagjerit në makinën “Audi” dhe një cigare puro, ku është përfituar material biologjik.
Sipas Prokurorisë, shenjat e gishtave, një i gishtit të mesit dhe një tjetër i unazës, janë të Enea Bekteshit, ndërsa në cigaren puro është përfituar material biologjik i përputhshëm me atë të Suel Çelës, i shpallur tashmë në kërkim për këtë ngjarje.
Gjatë seancës Gjykata pa edhe videon, ku dukej momenti i përplasjes se “Audit” me makinën e drejtorit të Policisë së Elbasanit në atë kohë, Gjergji Oshafit. Duke komentuar videon, avokatët e të pandehurve pretenduan se qëllimi i drejtuesit të “Audit” nuk ishte policia dhe se nuk ka pas një përplasje, por fërkim të dy makinave, në kushtet kur makina e Policisë ikën indietro.
Ndërkohë, prokurori i çështjes lexoi një sërë provash të tjera, ndërsa seanca u shty në datën 22 korrik për të parë dy video të tjera.
PROVAT
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, sipas Prokurorisë janë gjetur 2 gëzhoja arme dhe një pjesë plastike e shkëputur nga mjeti i Policisë. Ndërkohë, brenda ambienteve të tregut janë gjetur disa radiomarrës. Si prova për vërtetimin e akuzave të ngritura, prokurori i dosjes ka paraqitur edhe raportet për këqyrjen e banesës së të pandehurit Enea Bekteshi, ku janë gjetur sende të paligjshme.
Gjithashtu është gjetur dhe një DVR dhe kjo pajisje sipas Akuzës përdorej për ruajtjen e pamjeve të kamerave të sigurisë. Edhe një tjerë DVR është gjetur gjatë arrestimit të Klement Xhaferrit, të dyja u janë nënshtruar aktekspertimeve kompjuterike. Prokuroria ka bërë këqyrjen e kamerave në tunelin e Kërrabës për verifikimin e ngjarjes të denoncuar fillimisht si një kërcënim dhe pamjet në Aeroportin e Rinasit për të vërtetuar udhëtimin e vëllait të Suel Çelës dhe shoqërimin e tij në aeroport nga Klement Xhaferi dhe Enea Bekteshi.
NGJARJA
Mesditën e 18 shtatorit 2017, patrullat e Policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas, se në tunelin e Kërrabës 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë, ndërsa në një prej makinave, një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë.
Gjatë kontrolleve të kryera përpara tregut ushqimor, Policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi. Policia i ka bërë me shenjë që të ndalonin dhe personave brenda që të dilnin. Njëri prej këtyre personave ka dalë dhe ka shkuar në drejtim të rojës së tregut për t’i dhënë diçka, veprim të cilin Policia ia kishte ndaluar. Si pasagjerë në këtë automjet ka qenë Endri Çopja dhe një person tjetër, që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici.
Gjatë kësaj kohe, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta policie dhe pas disa minutash vërehet një makinë tip “Audi” që bën manovra. Nga kamerat e sigurisë shihet që makina “Audi” bën tentativë për t’u futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e Policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje.
Ish-nëndrejtori i Policisë: Përplasja na rrezikoi
Për më shumë se 1 orë në datën 25 prill të këtij viti, ish-numri dy i Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi, dëshmoi për përplasjen e makinës së Policisë përball tregut agro-ushqimor, ndërsa e konsideroi atë si të fuqishme dhe që kishte rrezikuar jetët e policëve. Sipas tij, në momentin që ka ndodhur përplasja ishte duke u futur në mjet dhe se makina “Audi” me shpejtësi i përplasi dhe u fut në treg, ndërkohë porta u mbyll menjëherë. Për rreth 40 minuta ka qëndruar i mbyllur tregu, tha Oshafi, ndërsa kanë pritur mbërritjen e forcave speciale për të ndërhyrë. Ndërkohë, i pyetur nga Gjykata nëse kishte arritur të identifikonte drejtuesin e mjetit, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit u përgjigj se jo.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al