Pse shqetëson Pashko edhe pas 25 vitesh? Selami Xhepa u përgjigjet kritikëve

Oct 27, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

Fondacioni për Liri Ekonomike për të dytin vit radhazi ka hapur aplikimet për çmimin “Pashko” 2015, një çmim me vlerë 2500 euro për punimin më të mirë doktoral në ekonomi me frymëzim liberal.

Që nga hapja e aplikimeve ka pasur shumë ekonomistë të rinj të interesuar, por çmimi dhe emri i Pashkos ka ngjallur gjithashtu shumë kritika, shumë skepticizëm që i drejtohen Pashkos dhe ideve të tij. Pse arrin të shqetësojë Pashkoja edhe sot pas 25 vitesh, pse keqkuptohet dhe sulmohet ai, cilat ishin idetë e tij dhe a ka ai përgjegjësi për atë çfarë ndodhi me ekonominë shqiptare në këto 25 vite tranzicion? Kryetari i Bordit të FLE-së, Dr. Selami Xhepa, në intervistën e mëposhtme jep përgjigjet e tij për të gjitha këto pikëpyetje që ngre edhe sot pas 25 vitesh emri i liberalit Pashko.

Selami-Xhepa-e1341388848987

Z. Xhepa, Fondacioni për Liri Ekonomike ka hapur aplikimet për çmimin “Pashko” 2015, a ka interes? Sa veta kanë konkurruar me punimet e tyre deri më tani?

Së pari, dëshiroj të theksoj se qëllimi i Fondacionit për Lirinë Ekonomike është të nxisë kërkimin shkencor midis studiuesve të rinj, kryesisht në fushën e ekonomisë, por dhe në shkencat e tjera që lidhen me studimin e veprimit njerëzor. Fokusi janë kryesisht idetë që lidhen me zgjerimin e lirive ekonomike, të cilat në analizë të fundit mbeten ndër liritë themelore të njeriut. Në një vend si Shqipëria, ku liritë kanë qenë të munguara për gati dy gjenerata, ku shpirti i lirë dhe inovator që janë baza e suksesit të individit dhe vetë shoqërisë kanë qenë të ndrydhura, nxitja e debatit intelektual dhe kërkimit shkencor rreth ideve me frymëzim libertar janë më shumë sesa një nevojë. Universiteti Europian i Tiranës, si themelues i këtij Fondacioni, po kontribuon në nxitjen e këtij debati duke akorduar një çmim për kërkimin apo punimin më të mirë të doktoraturës në fushën e ekonomisë dhe të shkencave sociale. Vitin e kaluar, Bordi i Fondacionit dhe komisioni vlerësues i punimeve për dhënien e çmimit “Pashko” mori në shqyrtim një numër të kënaqshëm punimesh dhe përzgjodhi me unanimitet kandidaturën fituese një punim të paraqitur nga Arben Zibri, një kërkues mjaft premtues në fush- ën e tregjeve financiare dhe menaxhimit të rriskut. Këtë vit procesi sapo është hapur dhe ne inkurajojmë të gjithë studiuesit që kanë një punim që i kontribuon debatit dhe ideve libertare në fushën ekonomike dhe atë sociale, të jenë pjesë e këtij kompeticioni.

Duke parë interesin e ekonomistëve të rinj shqiptarë, a besoni se idetë liberale kanë arritur të influencojnë ose të kenë në njëfarë mënyre ndjekësit e vet?

Idetë liberale kohët e fundit kanë qenë në një atak nga shkollat e tjera të mendimit, kryesisht kjo si pasojë e zhvillimeve post-krizë dhe depresionit ekonomik e social që mbizotërojnë në ekonominë globale që prej vitit 2007. Librat si “Kapitali” i Pikettit kanë qëndruar në krye të listës së librave “best-seller”. Sigurisht që Shqipëria, e cila trashëgon një traditë të fortë të etatizmit dhe që rolin e shtetit në ekonomi e sheh me admirim, idetë liberale i ka parë gjithnjë me skepticizëm. Këtij qëndrimi i kanë kontribuar edhe reformat shpeshherë gjysmake që kanë ndërmarrë qeveritë e të gjithë spektrit politik, të majta dhe të djathta, duke krijuar një përshtypje sikur shkaku i dështimit të shoqërisë në arritjen e një progresi më të fortë dhe një shoqërie më të shëndetshme, janë atribut i dështimit të tregut dhe posaçërisht i frymëzimit libertar të reformave. Unë besoj në tezën se tregu dështon si pasojë e faktit se ne shpeshherë nuk arrijmë ta kuptojmë atë. Liberalizmi nuk ka ndonjë lidhje të fortë me partitë politike: të majtët besojnë se mund ta bëjnë shoqërinë më sociale, ndërsa të djathtët më të virtytshme. Liberalizmi nënkupton që në qendër të sistemit qëndron individi, një qasje kjo shumë natyrale dhe brenda konstitucionit biologjik të njerëzimit. Së dyti, liberalizmi nënkupton respektimin e të drejtës së pronës private – ajo është e shenjtë dhe e pacenueshme. Detyra e shtetit është ta garantojë këtë të drejtë. Së treti, liberalizmi nënkupton një shtet të vogël, që kufizohet vetëm në detyrat që shoqëria realisht pret prej saj – garantimin e lirisë dhe të shtetit të së drejtës. Fatkeqësisht një sistem i tillë akoma nuk është eksperimentuar nga njerëzimi, mbase në njëfarë mënyre me përjashtim të Amerikës së shekullit të nëntëmbëdhjetë. Me të drejtë Bastiat thekson se “ne kemi provuar çdo rend shoqëror, por akoma nuk kemi eksperimentuar më të thjeshtin e të gjithëve – atë të lirisë”. Pse krijohen ushtri rojesh private? Sepse shteti nuk arrin të përmbushë këtë detyrim të vetin, të njohur dhe të pranuar nga të gjitha teoritë politike lidhur me rolin e shtetit. E përse atëherë mund të shpresojmë se shteti mund të kryejë me eficiencë funksione ekonomike, kur nuk kryen detyrën e vet më themelore – rendin dhe drejtësinë? Tema të kësaj natyre kanë filluar tashmë të debatohen edhe në Shqipëri dhe veçanërisht mes një brezi intelektualësh të rinj me një formim perëndimor akademik e intelektual. Fondacioni i Lirisë Ekonomike është një faktor gjithnjë e më shumë aktiv dhe një platformë e organizimit të këtij debati. Aktivitetet tona të debatimit të këtyre ideve sot kanë gjithnjë e më shumë përkrahës dhe ne inkurajojmë që të rinjtë të jenë edhe më shumë aktivë.

Vihet re që ka shumë kritika, ka shumë skeptikë ndaj Pashkos dhe ideve të tij. Sipas jush, pse arrin të shqetësojë Pashkoja edhe sot pas 25 vitesh?

Fillimi i tranzicionit në Shqipëri ishte traumatik. Një ekonomi e falimentuar dhe një “punësim” i plotë “80 përqindësh”, financa publike të shteruara dhe një monedhë e drobitur krijuan, nga njëra anë, një inflacion të pakontrollueshëm, dhe, nga ana tjetër, një thellim të varfërisë edhe te grupet shoqërore që mund të kishin gëzuar një mirëqenie më të kënaqshme. Pashkoja u ndodh në krye të ekipit të reformave ekonomike, të cilat u perceptuan jopozitivisht për shkak të kostove të larta që sapo theksova më sipër. Nga ana tjetër, mundësitë e zgjedhjes së ekipit që kryesonte reformat e vendit, ishin në kufijtë e pamundësisë. Për shembull, të ndiqje politikën e kursit fiks të këmbimit të lekut si një mënyrë për të frenuar rritjen e çmimeve dhe inflacionin, kërkonte rezerva valutore të mjaftueshme për të përballuar një kurs këmbimi të njëjtë me tregun e zi, gjë që ishte e pamundur. Në këtë kuptim, zgjedhja e opsionit të “terapisë shock” ishte në një kuptim një zgjedhje e detyrueshme. Si një opsion i politikave të tranzicionit, kjo zgjedhje e modelit nuk ishte një tezë shqiptare. Shumë vende të tjera ish-komuniste ndoqën të njëjtën strategji. Sigurisht, rezultatet nuk janë kudo njësoj. Vendet e tjera kanë hyrë tashmë në një proces modernizimi të mirëfilltë dhe po i bashkohen familjes së kombeve të zhvilluara. Edhe vendet që ndoqën rrugën e tranzicionit gradual, veçanërisht Shtetet e Reja të Pavarura, Bjellorusia etj., akoma sot janë në një gjendje të paqartë, qoftë në kuptimin e zhvillimit demokratik, ashtu dhe atij ekonomik e social. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk arriti të shënojë atë progres material dhe demokratik që shoqëria jonë kishte shpresuar, por kjo nuk mendoj se është pasojë e zgjedhjes së modelit, më shumë sesa e inkonsistencave në proces, trashëgimisë social-kulturore, ose siç njihen në ekonomiks, rezultat i kushteve nisëse të tranzicionit.

“Terapia e shock”-ut është një nga tezat ku Pashkoja keqkuptohet dhe akuzohet më shumë… çfarë parashikonte kjo tezë, u përshtat me terrenin, apo ngeli vetëm në teori dhe u keqpërdor në realitet?

“Terapia e shock”-ut, siç edhe e nënvizova, ishte rezultante e rekomandimeve politike të të ashtuquajturit “Washington Consensus”, i cili rezultoi që kishte krijuar pritshmëri shumë të larta dhe afatshpejta, prandaj dhe rezultoi zhgënjyes për disa vende, përfshi vendin tonë. Pra, kjo nuk ishte një filozofi apo teori shqiptare. Nga diskutimet me kolegë dhe përtej rretheve të profesionistëve, mendoj se një nga temat me kontraverse, me të cilën asociohet figura e Profesor Pashkos, është ajo e privatizimit. Së bashku me keqkuptimin e konceptit politik të “çekut të bardhë”, krijuan një përfytyrim të ngjizjes së një filozofie shkatërrimi mbi të cilën do të ngrihej një ekonomi e re me para të ardhura pa kursim nga jashtë! Personalisht mendoj se në atë periudhë kishte një naivitet në përgjithësi te shoqëria jonë e traumatizuar dhe në kontekstin e dhënë kulturor mund të ndiqej një mënyrë më e kujdesshme komunikimi. Por si gjithnjë, politika pëlqen më shumë se gjuhën e racionalitetit atë të retorikës, më shumë se evolucionin, të ngadaltë, të lodhshëm, por të qëndrueshëm, pëlqen tingëllimin revolucionar të asaj që premtohet të realizohet. A nuk jemi akoma edhe sot e kësaj dite në të njëjtën varkë?

A nuk dëgjohen akoma politikanët të premtojnë qiellin kur presin të vijnë në pushtet, dhe kur ulen në zyrë i kuptojnë limitet e mundësive që ofron shoqëria? Sot, kur lexohet në retrospektivë, mund të shihet se disa gjëra mund të ishin kryer më mirë; disa objektiva mund të ishin arritur në mënyrë më eficiente; disa ndërmarrje mund të ishin mbështetur më fort dhe të ishin rivitalizuar në kushtet e reja të tregut; që strategjitë e zhvillimit mund të kishin qenë më proaktive etj. Unë nuk marr përsipër të gjykoj palët; e respektoj mendimin e të tjerëve. Por, sërish dua të nënvizoj se nuk ishin kryesisht politikat e gabuara, më shumë sesa procesi i zbatimit të tyre. Në vitet 1993-1995, u zbatua një program i madh ristrukturimi për 30 ndërmarrjet e mëdha të vendit dhe që mendohej se mund t’u mbijetonin kushteve të reja nëse do të mbështeteshin financiarisht. Banka Botërore akordoi një fond prej 30 milionë dollarësh për këtë qëllim. Rezultati: dështim! I njëjti dështim u shënua dhe në vendet e tjera në tranzicion ku u krye ky eksperiment. Shkaqet, arsyet, faktorët ndikues etj., duhen studiuar dhe analizuar me objektivitet, dhe pa pasione e nostalgji. Liberalizimi i ekonomisë ishte shkaku kryesor i transformimeve pozitive që janë arritur; përkundrazi, krijimi i monopoleve, ruajtja e shtetit në funksione të padobishme, mosgarantimi i konkurrencës së tregut dhe rregullave të barabarta të lojës dhe institucionet e dobëta rregullatore etj., janë shkaku kryesor i shqetësimeve prej të cilave vuan ekonomia. Këto dobësi nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë e libertarizmit; përkundrazi ato janë të papajtueshme me këtë filozofi. Shqipëria ka nevojë të thellojë dhe më shumë liberalizimin e saj, të krijojë institucione më të forta rregullatore dhe mbikëqyrëse që mbrojnë konkurrencën e tregut dhe interesin publik; ka nevojë të modernizojë administratën dhe rolin e shtetit në përmbushjen efektive të funksioneve të saj në mbështetje të sektorit privat dhe individit; ka nevojë të garantojë paprekshmërinë e pronës private si thelbin mbi të cilin ngrihet një shoqëri e lirë. Këto janë drejtimet ku Fondacioni për Lirinë Ekonomike po punon dhe kërkon kontributin e gjithkujt që beson te drejtësia e një kauze të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura