Bizneset që kanë mbi 100 të punësuar duhet të ngrinin strukturën e sinjalizuesit brenda datës 15 korrik dhe të dërgonin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI) gjeneralitetet e personave të përzgjedhur. Ky detyrim u kishte lindur atyre në bazë të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, që hyri në fuqi në datën 1 korrik.
Por, disa bizneset po hasin vështirësi që të gjejnë sinjalizuesin brenda ndërmarrjes, pasi punonjësit nuk pranojnë ta kryejnë këtë funksion. Drejtuesi i një prej bizneseve më të mëdha në vend, që ka rreth 700 punonjës, thotë se në këto kushte ata janë detyruar ti nisin një shkresë ILDKPI-së, ku i vënë në dijeni se në bazë të ligjit për “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, ata kanë zhvilluar disa herë takime me punonjësit, por nuk kanë arritur të bindin asnjë prej tyre që të bëhet sinjalizues. “Në këto kushte ju drejtohemi Ju, që të na mundësoni gjetjen e një punonjësi, që do të ushtrojë funksionin e sinjalizuesit dhe ne do ta punësojmë atë”, thuhet në shkresën e parë nga Monitor.
Në fillim të muajit korrik, Kryeinspektori i ILDKPI, Shkëlqim Ganaj u dërrgoi një shkresë gjithë bizneseve me më shumë se 100 punonjës, ku u kërkohej “të caktohej një njësi përgjegjëse e cila regjistron, heton, administrativisht, shqyrton sinjalizimet për rastet e korrupsionit pranë ILDKPK sipas ligjit. Për sa më sipër, mbartni detyrimin për ngritjen e njësisë përgjegjëse dhe njoftimin me shkrim të Inspektorit të Përgjithshëm për krijimin e saj së bashku me gjeneralitetet, pozicionet e punës, si dhe kontaktet e punonjësve të caktuar brenda datës 15.07.2017. Shkelja e detyrimeve të përcaktuara në ligj ju ngarkon me përgjegjësi administrative dhe penale”, thuhej në shkresë.
Në Shqipëri ka më pak se 1500 biznese që kanë më shumë se 100 punonjës, sipas të dhënave nga INSTAT. Një pjesë e madhe e tyre e kanë ngritur këtë strukturë, sipas ligjit, por ka dhe nga ata që po hasin vështirësi për të gjetur “spiunin” brenda ndërmarrjes.
Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprimi ose mosveprimi të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al