Kujtimet e fëmijërisë janë tepër të forta e të rëndësishme për Teuta Hoxhën. Ajo ishte mbesa e Ramiz Alisë, vajza e të vëllait, por nuk jetonte në Bllok. I ati punonte si nëpunës e nuk pati ndonjëherë poste, siç tregon ajo. Por edhe Teuta i kishte dy muajt e saj të “Bllokut”. Ishin muajt e verës, kur ajo shkonte në shtëpinë e pushimit të xhaxhait, Ramizit, në Durrës.
Atje ishin edhe familje të tjera të rëndësishme të kohës, me të cilët ajo pati mundësi të bënte shoqëri. Në librin e saj “Enveri në kujtimet e mia”, nusja e djalit të diktatorit Enver Hoxha tregon marrëdhënien e saj me xhaxhain, Ramizin, por edhe si i kalonin pushimet udhëheqësit e kohës. Si i ka njohur ajo kur ishte fare e vogël Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, drojën që kishin nga ky i fundit, se si ishin vilat, vendet e argëtimit.
Ajo rrëfen për njohjen e fëmijët e “bllokmenëve”, mes të cilëve edhe Ilirin, djalin e madh të Enver Hoxhës, që do të bëhej më vonë bashkëshorti i saj. Si u njohën e si lindi pëlqimi mes të dyve.
KOHË E BUKUR E FËMIJËRISË
Nga fëmijëria, si çdokush, edhe unë kam shumë gjëra për të treguar, por po ndalem këtu te pushimet verore, sepse ato kanë lidhje me diçka shumë të rëndësishme për fatin e jetës sime. Kur vitet shkonin, në moshën e adoleshencës, gjatë kohës së pushimeve të verës, unë njoha atë që do të bëhej shoku im i jetës… Familja ime çdo vit i kalonte pushimet në plazhin e Durrësit, bashkë me familjen e xhaxhait tim, Ramiz Alisë. Ishim si një familje e vetme, për vetë rrethanat e jetës që kishin kaluar të dy vëllezërit, që nga rinia e tyre e hershme. Në dy familjet tona mbizotëronte harmonia.
Kjo vinte, sa nga dashuria dhe respekti i ndërsjelltë që kishin babai im me të vëllanë, po aq edhe nga mirëkuptimi i të dy kunatave dhe i neve, fëmijëve. Unë me kushërirën time, Zanën, që ishim gati në një moshë, ishim si motra, por edhe shoqe të ngushta. Jemi rritur bashkë dhe ia rrëfenim çdo gjë njëra-tjetrës. Xhaxhi Ramizin, siç e thërrisja, e mbaj mend gjithnjë të dashur e të qeshur dhe të afrueshëm me në. Autoriteti i tij në familjen tonë nuk vinte aq nga pozita e rëndësishme politiko-shoqërore që ai kishte, se sa nga pesha e personalitetit të tij, nga ajo mirësi e natyrshme që ai rrezatonte në tërë familjen.
Ndërsa babain tim, Reshatin, hallet e jetës, që i kishin rënë qysh në moshë të re, duke e detyruar të mbante një familje të madhe, e kishin bërë njeri të durueshëm dhe që mendonte më shumë për të tjerët, sesa për veten. Ai ishte njeri modest dhe asnjëherë nuk u përpoq të përfitonte nga një pushtet, për të cilin kishte luftuar dhe e konsideronte të vetin.
Kjo është arsyeja që ai asnjëherë nuk pati ndonjë post të rëndësishëm dhe nuk dëgjova kurrë të kishte ndonjë pretendim për këtë, por kreu me përkushtim dhe korrektësi nëpunësi të zakonshme. Ishte fjalëpak, i ndershëm, i dashur dhe i shkueshëm me njerëzit. Zakonisht në plazh, ne qëndronim nga fundi i qershorit deri në fund të gushtit. Përherë na shoqëronte gjyshja jonë, me të cilën, ne, katër vajzat e të dyja familjeve, ishim shumë të lidhura.
Gjyshja na donte shumë, por, ndër ne, i përkëdheluri i saj ishte djali i xhaxhait, Arbeni. Ai ishte gëzimi i të gjithëve dhe krenaria e gjyshes, e cila nuk mbahej nga gëzimi që familja e saj u bë me djalë (nip). Ne e thërrisnim gjyshen tonë “nana”. Ajo ishte njeriu më i nderuar dhe i dashur në familjen tonë… Shtëpia ku rrinim ishte një vilë e vogël njëkatëshe, brenda zonës ku ndodheshin shtëpitë e pushimit të udhëheqjes së asaj kohe, zonë e cila kishte marrë emrin “Blloku” i Durrësit. “Bllok” quhej zona e plazhit të Durrësit, që fillonte pas shtëpisë së pushimit të kuadrove të Ministrisë së Brendshme dhe përfundonte aty, ku fillonte plazhi “Iliria”.
Në atë kohë, të gjitha vilat e këtij “Blloku” ishin njëkatëshe dhe kishin bodrume nën vete. Vetëm vila ku pushonte Enver Hoxha dhe ajo ku pushonte Mehmet Shehu ishin me dy kate. Shumë nga këto vila ishin ndërtuar para çlirimit të vendit, ndaj kishin arkitekturën e asaj kohe. Shtëpia ku ne rrinim ishte e rrethuar me veranda, ambiente, të cilat familja i përdorte shumë. Veranda që shihte nga deti, zakonisht përdorej në mëngjes, ku më kujtohet që rrinte gjyshja jonë, ndërsa ajo nga ana e pasme, ku pasdite ishte hije dhe mjaft freskët, mblidheshin jo vetëm të rriturit, por edhe ne fëmijët, që të ngopur me detin dhe rrezet e diellit, pushonim dhe luanim aty.
I gjithë “Blloku” qe i rrethuar dhe ruhej nga ushtarët e Gardës. Vendi prapa shtëpive mbulohej nga bimësi e egër, që rritet në tokë ranore, kishte edhe pisha dhe ndonjë ekualiptus të lartë. Një mjedis i pëlqyer, sidomos nga ne fëmijët, aty në Bllok ishte një godinë, që e quanin “Stabilimenti”. Kështu i kishte mbetur emri që nga koha kur e kishin ndërtuar, para çlirimit, italianët. Aty ishte klubi, ku mblidheshin pushuesit, zakonisht, në mbrëmje. Ishte një ndërtesë e këndshme, njëkatëshe, që shtrihej së gjati, e ndërtuar me dru dhe e lyer me ngjyrë deti. Në gjithë gjatësinë e saj kishte një ballkon të ngushtë me kangjella druri, brenda ishte kinemaja, një sallë e vogël, të cilën e quanin “klinika”.
Më kujtohet vetëm doktor Sulçebegu, mjeku i njohur i fëmijëve. Përpara “Stabilimentit” ishte një si verandë, në formë rrethore, e madhe dhe plot lule. Në të mblidheshin pasditeve udhëheqësit që ndodheshin aty me pushime. Ne, fëmijët, e pëlqenim shumë “Stabilimentin”, sepse aty ishte dhe argëtimi më i madh për ne, kinemaja, shfaqja e filmave, që bëhej pasditeve, dy-tri herë në javë. Megjithëse shihnim të njëjtin film disa herë, pasi përsëriteshin shpesh dhe gati i kishim mësuar përmendësh, ne i ndiqnim tërë qejf. Sa i dashur ishte bërë për ne operatori i kinemasë, Meti!Sa e pikasnim së largu Metin me ndonjë bobinë filmi në dorë, gëzonim se do të shihnim ndonjë film të ri.
Në mbrëmje, pas darke, shfaqeshin filma për të rritur, ku nuk lejoheshin fëmijët. Pas disa vjetësh, një pjesë e “Stabilimentit” u prish, ngaqë ishte amortizuar nga lagështia dhe era e detit. Më pas, aty u ndërtua një ngrehinë tjetër, që u quajt po “Stabilimenti”. Pjesa që mbeti nga godina e vjetër u ruajt edhe disa kohë, por, nga mosfunksionimi, edhe ajo u rrënua. Atëherë u ndërtua një kinema tjetër, por shumë e shëmtuar, siç dëgjova më vonë Enverin ta quante “katoq lopësh”. Ajo u përdor shumë pak si kinema dhe, me sa më kujtohet, u kthye në magazinë. Kuptohet ne i gëzoheshim më shumë detit, rërës, diellit dhe tërë atmosferës gazmore që të krijon plazhi. Ndaj pjesën më të madhe të ditës e kalonim në det dhe në rërën e nxehtë. Plazhi i Durrësit, në këtë kohë, ishte vërtet një mrekulli.
Deti i pastër si kristali, rëra plot jod dhe ajri i shëndetshëm i bënte pushimet shumë të bukura. Në plazhin e Durrësit, i kam kujtimet, kur e kam parë për herë të parë Enver Hoxhën. Më ka mbetur në kujtesë dhe e kam para syve imazhin e “xhaxhit Enver”, siç e thërrisnin asaj kohe të gjithë fëmijët e Shqipërisë, në shëtitjet që bënte buzë detit. Ai vinte në këmbë bregut të detit nga shtëpia e tij, që ndodhej “në fund të Bllokut” siç i thoshim ne, deri në anën tjetër, “në fillim të Bllokut”, ku ndodhej shtëpia ku rrinim ne. “Fillim Blloku” quanim zonën pranë plazhit “Iliria”… Ndërsa Nexhmijen, asnjëherë nuk më kujtohet ta kem parë në këto shëtitje buzë detit. E mbaj mend në krah të të shoqit, zakonisht, në shëtitjet e pasditeve, nëpër rrugët e ngushta të “Bllokut”, ose kur shkonin në “Stabiliment”.
Gjatë pushimeve në Plazhin e Durrësit, më kujtohet edhe Kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, tek bënte mëngjeseve në breg të detit shëtitjet e tij të përditshme. Mehmet Shehu pjesën më të madhe ose gjithë kohën e pushimeve verore e kalonte aty, në plazhin e Durrësit. Çdo mëngjes e shihnim në breg të detit, të ecte me hap të shpejtë, me sytë e ulur përdhe, sikur numëronte hapat që hidhte. Distanca që ndiqte ishte e shkurtër, gati sa ishte territori para shtëpisë së tij, por meqë shtëpia jonë ishte shumë pranë, ai vinte shumë afër vendit ku ne kishim ngritur çadrën e diellit.
Kur e shikonim të afrohej, ne fëmijët bënim mënjanë që të mos e shqetësonim me lojën dhe zërat tanë. Të gjithë shmangeshin dhe nuk kalonin aty pari, deri sa ai të mbaronte shëtitjen dhe të futej në tendën e ngritur shumë pranë detit dhe që ngjasonte me atë të Enver Hoxhës. Më kujtohet që të rriturit na thoshin se ai nuk donte ta trazonte njeri në ato ecejake.
Atëherë nuk e dinim përse na thoshin kështu, por edhe ne fëmijëve ai na krijonte një druajtje. Kjo mbase kishte zënë vend te ne, sepse siç na kishin thënë të rriturit, ai kërkonte të kishte gjithmonë qetësi, të mos pipëtinte asgjë përqark shtëpisë së tij. Mbaj mend që në orët e drekës, kur ktheheshim nga deti dhe kalonim pranë shtëpisë së Mehmetit, ne ulnim zërat, sepse në të kundërt, oficeri i shërbimit e vinte gishtin në buzë për të na treguar që nuk duhej të bënim zhurmë.
Por më kujtohet që kur kalonim pranë tendës së tij, kishte raste që ai na bënte shenjë t’i afroheshim. Ne shkonim, ai na takonte, madje, dhe na ofronte ndonjë frut, që ndodhej në tavolinë. Por autoriteti i ftohtë na bënte që mezi prisnim të largoheshim. Por rastet më të gëzuara për ne ishin kur kthehej me varkë në breg.
Ai shkonte me të në det për të nxjerrë rrjetën që kishte hedhur për të kapur peshk. Sa zbriste ai, ne suleshim afër varkës për të parë peshkun që kishte zënë rrjeta. Atëherë ai i thoshte oficerit: “Bëju fëmijëve një shëtitje me varkë”. Ne fluturonim nga gëzimi dhe kush e kush të hipte më parë. Kënaqeshim pa masë nga këto shëtitje në det, prandaj dhe e falënderonim tërë dashuri xhaxhin Mehmet…
PERIUDHA E BUKUR E ADOLESHENCËS
Kalonin vitet dhe, si pa kuptuar, edhe ne po rriteshim. Nuk ishim më ato vajzat e vogla lozonjare që luanim buzë detit me kova dhe lopata në duar, për të ngritur kështjella rëre apo që të na merrnin për dore të rriturit dhe na ruanin kur laheshim në det. Kishim hedhur shtat dhe silleshim me shoqet dhe shokët si të rritur.
Sjellja jonë, pra e imja dhe e Zanës (vajza e Ramiz Alisë), siç na e thoshin shpesh në atë kohë, ishte shembullore. Kjo, falë edukatës që na jepnin prindërit tanë. Ishte viti 1970. Po ndalem në verën e këtij viti, sepse gjatë saj, aty, në plazh, ndodhi ndryshimi i madh në jetën time…
Kishte ardhur koha kur kishim lënë pas ato lodrat fëminore buzë detit dhe kohën e plazhit ia kushtonim më shumë notit. Madje ishim bërë notare shumë të mira. Mbaj mend që, në muajin maj, kisha marrë pjesë në një garë noti te Liqeni Artificial i Tiranës, që zhvillohej në kuadër të një olimpiade të shkollave tetëvjeçare të kryeqytetit.
Si më të rritura, tani shkonim e laheshim më larg bregut, në thellësi, e cila na tërhiqte shumë. Shkonim me not deri te një trampolinë, që e kishin ngritur në goxha distancë nga bregu. Aty kënaqeshim, jo vetëm nga uji i kthjellët i detit, por edhe sepse bënim hedhje nga trampolina.
Përveç kësaj, ajo trampolinë u bë edhe vendi ku mblidheshin të rinjtë e moshës sonë, por edhe ata që ishin disa vjet më të mëdhenj. Uleshim në platformën e saj, bënim banjë dielli, hidheshim në ujë, si në një garë se kush do të bënte hedhjen me kokë dhe zhytjen më të bukur.
Më kujtohet Shpresa Ngjela ose Çukja, si i thërrisnim të gjithë, që hidhej me një elegancë të admirueshme. Notonim, hipnim përsëri në platformë dhe kalonim kohë me biseda dhe shakara. Te trampolina vinte shpesh edhe Iliri.
Përshëndeteshim dhe takonim njëri-tjetrin si me të gjithë të tjerët. Në shumë raste gjendeshim të ulur pranë e pranë aty në platformë, ku mblidhej i gjithë grupi për t’u çlodhur e biseduar. Atje, në mes të detit, të gjithë sa ishim ndiheshim më të lidhur në atë shoqëri.
Secili tregonte kujdes për tjetrin e, sidomos, kur hidheshim nga trampolina, ne më të rinjtë ishim përherë nën vëzhgimin e më të mëdhenjve. Unë isha më e vogël se shumë prej tyre dhe kisha njëfarë droje, sepse ata ishin fëmijë udhëheqësish, prandaj rrija pak e tërhequr në biseda dhe i vështroja e dëgjoja shakatë që bënin. Ndihesha mirë në shoqërinë e tyre, ishin të dashur e të sjellshëm.
Ndër ta, Iliri se si më dukej ndryshe nga të tjerët, më i afrueshëm, shumë i dashur me të gjithë, ndaj dhe më bënte përshtypje të veçantë.
Në asnjë rast nuk e kam parë atë të tregohej me të madh ngaqë ishte djali i Enver Hoxhës. Përkundrazi, ashtu siç e njoha shumë mirë më vonë, ai përherë e shmangte këtë gjë. Mbaj mend që Iliri vinte te trampolina, zakonisht, me një varkë me motor, disa herë i shoqëruar nga dy shokët e tij, Lad Balluku e Gëzim Nushi.
Ishte një varkë e zakonshme, prej druri dhe mjaft e rëndë. Kur ktheheshim me të në breg, vija re se atë varkë duhej ta tërhiqnin disa burra për ta nxjerrë në rërë. Shpeshherë Iliri, pasi bënte disa hedhje nga trampolina, na ftonte të gjithëve të bënim shëtitje me varkë.
Edhe unë me Zanën shpesh shkonim bashkë me gjithë të tjerët. Varka largohej nga bregu dhe ndalonte diku në mes të detit, në afërsi të Portit të Durrësit dhe, që të mos lëvizte, hidhnim spirancën. Na kënaqej syri, nga kaltërsia magjepsëse e ujit dhe e qiellit të ndritshëm. Flladi i detit, rrezet e diellit, qetësia që mbretëronte larg bregut të zhurmshëm na jepnin një kënaqësi tjetër.
Nuk vononim dhe hidheshim në thellësinë e madhe të detit, laheshim duke notuar rreth varkës e duke bërë plot shakara me njëri-tjetrin, siç bëjnë të gjithë të rinjtë në të tilla raste. Kështu, duke shëtitur në det e duke u larë së bashku, pak nga pak nisi të forcohej shoqëria midis nesh. Por edhe gjatë shëtitjeve të mbrëmjeve buzë detit, ai shpeshherë linte shokët dhe i bashkëngjitej grupit tonë të vajzave.
Kuptohet, ai mundohej të sillej sikur e bënte këtë si rastësisht. Por, pak nga pak, edhe tek unë, si te çdo vajzë me atë nuhatjen instiktive të moshës, veprimet e sjelljet e tij, afrimi dhe shoqërimi gjithnjë e më i shpeshtë me ne nuk kalonin pa më rënë në sy.
Ndonjë fjalë e hedhur si pa të keq, zgjedhja e tij për të qëndruar përkrah meje kur shëtisnim, ndonjë vështrim që më hidhte ngultazi etj.
Vërtet, dukeshin si gjëra krejt të parëndësishme, por, gjithsesi, nisën të tërheqin vëmendjen time. Edhe pse këto veprime të tij kishin lidhje me mua, nuk arrija deri atje sa të mendoja se ai mund të ndiente diçka ndaj meje.
Sa më shumë kalonin ditët e pushimeve të asaj vere, aq më shumë e shihja se Iliri në sytë e mi po shfaqej më hapur. Këtë e vura re një mbrëmje, kur erdhi te shtëpia jonë dhe kërkoi të na merrte për një shëtitje, por unë nuk dola, se isha pa qejf.
Për habinë time, vajzat kur u kthyen më treguan se Iliri, pasi kishte dëgjuar që unë nuk dilja dot, seç kishte mërmëritur një justifikim dhe qe larguar. Kur ma thanë këtë, në vetvete ndjeva gëzim në shpirt. Dhe mendova që Iliri kishte ardhur për mua…
Me sa dukej, thellë-thellë brenda meje kishte nisur të lindte diçka. Atë natë bëra gjumë të trazuar. Shëtitjet me varkë me Ilirin u bënë edhe më të shpeshta. Unë vija re se vështrimet e tij nuk më ndaheshin, madje, bëheshin më të drejtpërdrejta dhe më ngulmuese.
Kur sytë tanë kryqëzoheshin, ndieja fytyrën të më skuqej nga një lloj ndjesie, të cilën unë nuk isha në gjendje ta shpjegoja. Nuk do ta harroj atë moment, kur një herë desha të hidhesha në det e të “shpëtoja” nga vështrimet e tij, sepse më dukej se të gjithë po e vinin re, por Iliri mu afrua e më tha të qëndroja me të. Ndërkohë, ashtu si pa kuptuar, e gjeja veten, kur nuk dilnim bashkë, ta kërkoja me sy në turmën e ngjeshur të plazhistëve.
Unë e dalloja që larg kur shfaqej, shtatlartë dhe me kokën që e mbante gjithnjë të pozicionuar në një anë. Iliri kur na pikaste, vinte drejt nesh dhe na takonte, duke shfaqur hapur gëzimin që na shihte. Por ajo që u bë shkak që unë të kuptoja diçka më shumë ndodhi një mbrëmje gushti gjatë një shëtitjeje që po bënim bashkë me të.
Kishin mbetur edhe pak ditë nga pushimet dhe do të iknim nga plazhi. Por, atë natë, i them Ilirit se ne do të largoheshim më parë, pasi mamaja ime kishte vendosur që javën e fundit të shkonim në Lushnjë, ku jetonte tezja ime.
Më kujtohet që atë çast Iliri më kapi dorën, sikur donte të më mbante dhe pothuaj me lutje më tha të mos ikja. Megjithëse edhe vetë kisha dëshirë të rrija, nuk mund të gjeja ndonjë justifikim para prindërve të mi. U ndamë atë natë për t’u takuar pas një muaji.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al