Qeveria gjermane lehtëson procedurat, rruga drejt marrjes së pasaportës pritet të jetë më e thjeshtë

Aug 23, 2023 | 14:58
SHPËRNDAJE

Qeveria federale gjermane do të zbatojë dy reforma. Në këtë kuadër do të lehtësohet marrja e nënshtetësisë. Përveç kësaj do të thjeshtohet ndryshimi i gjinisë dhe emrit në pasaportë.

  pasaporta gjermane

Me reformën e ligjit të marrjes së shtetësisë, qeveria federale dëshiron të shkurtojë periudhën e pritjes përpara marrjes së nënshtetësisë. Në të ardhmen, kjo do të jetë e mundur vetëm pas pesë vitesh, krahasuar me tetë vjet që janë aktualisht. Shtetësia e dyfishtë do të jetë gjithashtu e mundur në të ardhmen. Deri tani, në parim, duhet të hiqësh dorë nga shtetësia që ke përpara se të marrësh nënshtetësinë gjermane.

Marrja e nënshtetësisë gjermane është e përjashtuar shprehimisht për personat që kanë kryer vepra penale për motive antisemite ose raciste. Njerëzit që kanë ardhur në Gjermani në vitet 1970 si punëtorë mysafirë ose në RDGJ deri në vitin 1990 si punëtorë me kontratë do t’u nënshtrohen kërkesave më të ulëta gjuhësore. Atyre gjithashtu nuk do t’u duhet të kalojnë një test për marrjen e shtetësisë.

Faeser: Kontribut për aftësinë për konkurrencë

Ministrja e Brendshme Federale, Nancy Faeser (SPD) e sheh thjeshtimin e planifikuar të rregullave të shtetësisë si një kontribut për rritjen e fuqisë konkurruese të Gjermanisë. “Ne jemi në mes të një gare globale për të tërhequr talentet më të mirë”, tha Faeser. “Por ne do të fitojmë mendjet më të mira vetëm nëse ata mund të bëhen pjesë e plotë e shoqërisë sonë në të ardhmen e afërt,” shtoi ajo.

Sipas të dhënave nga ministria e saj, deri tani rreth 14 për qind e popullsisë nuk ka pasaportë gjermane – pak më shumë se dymbëdhjetë milionë njerëz. Prej tyre, rreth 5.3 milionë kanë jetuar në Gjermani për të paktën dhjetë vjet. Edhe kjo tregon se ligji i shtetësisë duhet të modernizohet, shpjegoi Faeser. Në vitin 2022, për pasaportë gjermane aplikuan 168.545 persona, shifër që përfaqëson vetëm 3.1 për qind të shtetasve të huaj që kanë jetuar këtu për të paktën dhjetë vjet. Krahasuar me Bashkimin Evropian, kuota e marrjes së nënshtetësisë gjermane është nën mesataren.

Më pak pengesa për ndryshimin e gjinisë në pasaportë

Kabineti federal gjithashtu dëshiron të zbatojë të ashtuquajturin ligj të vetëvendosjes. Në të ardhmen, të gjithë në Gjermani do të mund të përcaktojnë vetë gjininë dhe emrin e tyre dhe t’i ndryshojnë ato përmes një procedure të thjeshtë në zyrën e gjendjes civile.

Sipas Ministrisë së Familjes dhe Drejtësisë, ligji u drejtohet personave transgjinorë, ndërgjinorë dhe jobinarë. Ligji për vetëvendosje kritikohet herë pas here, veçanërisht nga CDU/CSU dhe AfD.

Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann (FDP) e konsideroi projektligjin një sukses të koalicionit tripartiak në pushtet dhe e mbrojti atë kundër dyshimeve. Ai tha për gazetën e Berlinit “Tagesspiegel” se reforma ka të bëjë me lirinë dhe dinjitetin e personave transgjinorë. Shteti nuk duhet t’i trajtojë ata më si “të sëmurë”/DW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura