Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj përmes një shënimi në facebook ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk ka ndërtuar asnjë rrugë, por vetëm ka përfunduar projektet e nisura nga qeveria e PD-së.
Sipas Shehajt 3 miliardë eurot e marra borxh neto janë shpërdoruare, keqmenaxhuar dhe vjedhur me projekte fasadash, duke përmendur ndër tyre aferën e DH Albania.
Reagimi i Agron Shehajt:
Edi Rama mori mbi 3 miliardë euro borxh neto dhe nuk ndërtoi asnjë rrugë, me përjashtim mbylljen e disa segmenteve të vogla të projekteve të nisura nga qeveria e PD-së, si Unaza e Madhe, me të cilën u mburr sot.
3 miliardë euro janë shpërdoruar, keqmenaxhuar dhe vjedhur me projekte fasadash. Imagjinoni një çast sikur të mos kishim zbuluar aferën DH Albania: rreth 50 milionë euro (bashkë me ato të paguara nga OSSHE për DH Albania) do ishin në llogari private në SHBA. Me gjasa kështu kanë përfunduar qindra milionë euro.
Shqipëria ka nevoja jetike për infrastukturë, për të gjallëruar ekonominë, shfrytëzuar potencialin e saj të madh turistik dhe pozicionin strategjik gjeografik. Të harxhosh 3 miliardë euro borxh dhe të mos ndërtosh asnjë vepër të mirëfilltë infrastrukturore është kriminale. Ndërkohë, potenciali i humbur ekonomik nga mungesa e infrastrukturës është edhe shumë miliardë euro të tjera.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al