Rama, nacionalizmi dhe forca e autokracisë ballkanike

Apr 10, 2023 | 7:38
SHPËRNDAJE

ben andoniBEN ANDONI

“Nacionalizmi nuk e përfaqëson zgjimin… e vetëdijes së kombeve; nacionalizmi shpik kombe aty ku nuk ekzistojnë”, shkruante dikur Ernest Gellner, teoricieni i nacionalizmit. Më i hidhur në këtë konstatim ishte historiani Benedict Anderson që i përcaktonte kombet si “komunitete imagjinare”!!! Pse vijon kjo logjikë në Ballkan? Zhvillimet e fundit në Kosovë-Serbi pas marrëveshjes pa firmë të Ohrit kanë nxjerrë në pah dukshëm nacionalizmin e fshehur ndër shqiptarë. Pa e llogaritur Serbinë, ku nacionalizmi është gati religjion. Më thukët, ky sens, është ringritur në Kosovë me rastin e përballjes së ishliderëve të UÇK-së në Gjyqin e Hagës, juridiksionin e së cilës paradoksalisht e ka vetë Prishtina zyrtare. Po ndërsa Kryeministri Kurti hesht për Hagën dhe po mundohet të bëjë qasjen më teknike dhe të pamundur të aneksit të marrëveshjes (e cila ka nisur të zhvillohet), Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nën artikulimet e ndryshme nacionaliste të liderëve të tyre po gëlojnë dhe po vuajnë pasojat e peshës së autokracisë. Si do të ndodhë, nacionalizmi është një lloj ideologjie që po e mbizotëron kohën tonë dhe madje këtë e kanë kuptuar më së shumti politikanët e Ballkanit, pas së cilës mbrohen dhe kamuflohen kur u duhet të fashisin politikat e tyre të dobëta të brendshme ekonomikosociale. Sërish: A e ka frymën e duhur nacionalizmi në Shqipëri? Nëse dikur kemi pasur deri lëvizje dhe platforma për “Shqipërinë natyrale” e më gjerë, këtë domen tashmë më së shumti, kur duhet të shmanget vëmendja nga problematikat jo të pakta në vend, e merr kryeministri i vendit, Rama. Pak më patetike e bënte edhe ish-paraardhësi i tij, Berisha, me kumtin e tepruar nacionalist (tashmë njerëzve të tij s’u bën madje përshtypje kontrabanda e naftës me ish-Jugosllavinë, më së shumti kosovarëve(!!!).

Edi Rama do të bëhej i njohur në fillimet e viteve ‘90 për elokuencën dhe eklektizmin e ideve, shpalosur para një publiku të etur për ndryshim; po ashtu, lloji i qesëndisë ndaj nacionalizmit, që komunistët e kishin gati si religjion, e veçoi pedagogun e ri të Arteve, asokohe të etur për protagonizëm. Kolegët e tij të sotëm të Ballkanit e nisën ndryshe duke e demonstruar pa fre nacionalizmin, ndaj nuk ke çfarë t’i kujtosh në këtë lëmë për mirë presidentit të tanishëm serb, Vuçiq, për pjesëmarrjen e tij me një politikë tejet të egër shoviniste; ish-kryeministrit Daçiq, sot ministër i Jashtëm dhe dishepull te socialistët e Sllobos; “personalitetit” të Republikës, Srpska Dodik, kundërshtarit të tij Izetbegoviq i Riu; Gruevskit, Zaev dhe tashmë Kovaçevski dhe deri te serbët mendje hapur Gjingjiq dhe Tadiq, ku i pari e pësoi me kokë ngaqë nuk diti të notojë mirë në ujërat nacionaliste. Paradoksalisht rajonit tonë i këshillohet pajtimi Franko-gjerman, edhe pse në bazë të marrëveshjes serbokosovare është një plan franko-gjerman, që serbët e pranojnë… por pa mëvetësinë e padiskutueshme të Kosovës!!!

Në një vëzhgim studimor të para-pak-mëparshëm, provohej hidhësisht se ka më shumë sot nacionalistë se dikur dhe ata i gjen në të gjitha strukturat shoqërore, që nga intelektualët dhe deri te njerëzit fare të thjeshtë. E përsërisim se nacionalizmi sot është gati një fe, pasi nga jo pak liderë, qeveritarë, studiues, njerëz të zakonshëm po përshfaqet natyrshëm dhe gati mendohet si mënyra nga ku mund të organizohemi në marrëdhënie, por edhe në narracionet e ndryshme. Dhe, e gjen një provë në logjikën e organizimit dhe përpjekjeve për të marrë Olimpiadat dhe Kampionatet e Futbollit; mbrojtjen që bënin shtete të veçanta për bashkëkombësit e tyre në kohën Covid (duhet vlerësuar asokohe apeli i Ramës dhe ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ashtu si nuk duhet të harrohet lidershipi i saj që nuk e pranoi); e duke shkuar deri te zallamahia e pikëzimit nacionalist te Festivali i Eurovizionit? Po? Sa shumë gjëra mund të rreshtohen! Anipse edhe në këto ditë të fundit atë që kupton në rrënjë të negociatave të vazhdueshme Kosovë-Serbi është dhe mbetet parimi i madh i këqyrjes së problematikave në bazë të ideologjisë së nacionalizmit.

Kosova është djepi i Serbisë për politikanët patetikë dhe klerikët serbë, Kosova është e pavarur për shqiptarët. Po shqiptarët e Shqipërisë? Nacionalizmi është dhe mbetet një strehë që i mbledh të gjithë (lexo:politikanët) kur duan të shtojnë valencën e tyre në publik. Kryeministri Rama në momente delikate e ka përmendur natyrshëm bashkimin me Kosovën, por që pastaj kur ka parë vrenjosjen e burokratëve të BE-së e ka modifikuar si bashkim në kuadër të BE-së, edhe pse vazhdimisht i është dashur ta përmendë sa herë i është dashur për konsum të brendshëm dhe mbi të gjitha afrimin dhe bashkimin me Kosovën. A ka një sens që flet se në thelb të riorganizimeve të shteteve tona në Ballkan kërkohet nacionalizmi si një shfryrës i retorikave boshe apo duhet të mbajë dhe të justifikojë sensin e ashpërsisë de jure që politikanët rreshtojnë për fqinjët? “Megjithatë, nacionalizmi rrallëherë është një shkak i drejtpërdrejtë i dhunës. Më shpesh sesa jo, nacionalizmi shfaqet si pasojë indirekte e ndryshimeve më të mëdha strukturore, duke përfshirë krijimin, thyerjen dhe riorganizimin e shteteve”, shprehet Siniša Maleševiæ në studimin e tij “War, State Formation, and Nationalism”.

Po pse flasim sërish për nacionalizëm, pse populizmi është pjesë e politikave dhe mënyrës për të fituar vota, pse demokracia jonë po mbetet në vend (shiko indekset që masin demokracinë)? Për Ramën and & Co e ka një arsye: Përballë kanë një opozitë inekzistente mbathur me shumë probleme, të kryesuar me njerëz me shumë telashe me faktorin ndërkombëtar; përçarje të madhe dhe mbi të gjitha mungesë të dukshme vizioni. Aman, vetë Rama harron se premtimet e tij populiste para zgjedhjeve për rrogat dhe pensionet janë të tepruara, ashtu si fuqia që ka marrë një pjesë e biznesit afër tij. Veçse s’është vetë Rama në këtë udhë, pak a shumë njësoj po shkon i gjithë Ballkani, ku demokracia ka mbetur, kurse rritja e populizmit është bërë e frikshme. Në këtë kuadër po merr jetë një term që tashmë po zë vend gjithnjë e më shumë dhe që njihet si “anti-politikë”. Një nga njerëzit që e ka ideuar si koncept shkon edhe më tutje: “Ky është nocioni që asgjë nuk funksionon, gjithçka është më keq. Udhëheqësit janë të tmerrshëm, të korruptuar dhe pa asnjë kapacitet për të përmirësuar shumë njerëz.

Përshkon ajo ndjenjë e nihilizmit politik, gjithçka është e keqe. Është një emërues i përbashkët në shumë shoqëri”, citojmë Moisés Naim, autorin e librit “The Revenge of Power: How Autocrats Are Reinventing Politics for the 21st Century”. Më saktë, më hidhur dhe në mënyrë më të thukët se kaq nuk mund të thuhet. Po nëse ky diskurs politik kaq populist, nxjerrë nga goja e politikanëve ka kaq probleme, pse nuk sjell reagime? Ka një perceptim në Ballkan, që kushdo që të vi në pushtet do të bëjë pak a shumë të njëjtën gjë. Dhe, si vjen reagimi? Abstenimi masiv. Prej vitesh, Ballkani qeveriset nga vota e më pak se 50% e zgjedhësve! Relativizimi i çdo përpjekje të mirë apo të keqe i ka bërë njerëzit në Ballkan që më shumë ta shikojnë politikën, si pjesë të imponuar të jetës por jo si zgjidhje. Vuçiq anatemon gjithë kohën opozitën dhe u kujton ngjarje të shkuara, pa harruar si ai vetë ishte te skifterët e luftërave shkatërrimtare për Federatën; Abazoviq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, e ka të gjithë inatin ende me ish-presidentin Gjukanoviq; ashtu si Kovaçevski përdor një gjuhë populiste gati hiperbolike, kur i duhet të tregojë ecjen e Maqedonisë së Veriut. Kur përballen me arsyen, liderët autokratikë të Ballkanit janë pa gojë. Maleševiæ i kujtonte serbëve se: Nacionalizmi i madh serb ishte dhe mbetet i ndërtuar, d.m.th., përbën vetëm një efekt anësor të konkurrencës ndërmjet elitave (dhe dinastive) politike dhe jo aspiratës primare të popullit serb.

Anipse vazhdon Vuçiq, të mbështesë doktrinën e politikës bashkuese të serbëve në Ballkan? Pse Rama flet për bashkim, kur vetë shqiptarët po ftohen për këtë mesazh? Kuptohet që një tip autokrati i shkon populizmi nacionalist, pasi kështu fashit e justifikon marrjen e të gjithë pushteteve të pavarura, kontrollin e parlamentit, një ekzekutiv pa gojë sepse është vetë kryeministri që kumton dhe rrogat, masat e pandemisë, çmimet etj. Në këtë rast, më shumë i shkon populizmi, sepse me këtë rast fashit edhe deklarata për “Shqipërinë e madhe” që ia hedhin poshtë indiferenca e vetë shqiptarëve. Dhe, kur e hedhin poshtë shqiptarët, llogarit sesi reagon BE-ja, që tashmë është duke e trajtuar me kujdes dhe atë risi që mund të sillte i ndjeri Gjingjiq dhe mendjehapur të tjerë në Ballkan, që tek e fundit po na e sjellin nacionalizimin të mbështjellë ndryshe. Si për ironi, nacionalizmi i vërtetë është vërtetë sfidues dhe këtë po ia tregon sot Skocia, Anglisë; Rusia botës me pushtimin e Ukrainës; vetë Brexit etj. Nacionalizmi po tregon dhëmbët, por në rastin e autokratëve tanë në Ballkan, na tregon se koha të errëta kemi përpara prej kësaj ideologjie. Pasi nuk flitet më për probleme reale, por “shndërrimin e shtetit në instrument të kombit” (Arendt, 1952), ku ai që humbet është vetë qytetari i thjeshtë. (Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura