Kryeministri Rama i ka kujtuar Bashkimit Europian se hezitimi për zgjerimin e Europës mund të krijojë hapësira të mëdha për islamin radikal. Në një takim me gazetarë të mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat ndodhen në Tiranë për të raportuar mbi zhvillimet në Shqipëri, kreu i qeverisë shqiptare i është përgjigjur interesit të tyre mbi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian dhe zhvillimeve në rajon.
Njëri prej tyre është editori i Europës në “Financial Times”, Tony Barber, i cili e nis artikullin duke me një përshkrim për Kryeministrin shqiptar, që sot mbush 51 vjeç.
Barber e përshkruan Ramën si “njeri që flet një anglishte në mënyrë precize, gramatikisht” dhe “si një mendje e pavarur prej një intelektuali ballkanas, i rritur në epokën komuniste”. “Financial Times” shkruan se Rama flet me plot pasion për të ardhmen e Shqipërisë në BE, por parashikon rrezik në të ardhmen, nëse vendit të tij dhe atyre në Ballkan u mohet e ardhmja europiane.
“Lodhja nga zgjerimi, në vendet e Europës Perëndimore, është një lloj vetëkënaqësie për ata që kanë harruar motivin pse BE-ja është ndërtuar. Unë jam i sigurt se etërit themelues të BE-së do të turpëroheshin. Pikëpamja ime e përulur është se Europa ka nevojë për Ballkanin sot, aq sa Ballkani ka nevojë për Europën. Kjo është për shkak se zgjerimi në Ballkan është, para së gjithash, një çështje e sigurisë për Europën”, është shprehur Kryeministri shqiptar.
RADIKALIZMI
Për kreun e qeverisë shqiptare, mungesa e shpresës për të ardhmen dhe mosintegrimi i vendit në familjen europiane, mund të krijojë premisa të rrezikshme. Rama u ka folur gazetarëve perëndimorë edhe për rreziqet potenciale të shpërndarjes së radikalizmit islam në Ballkan.
“Një i ri në Tunis apo Tobruk ndihet se ai nuk ka të ardhme. Por në Shqipëri, ylli në qiell është Europa. Nëse BE-ja nuk do të jetë në gjendje të performojë si duhet, atëherë do të krijohet një hapësirë e madhe për islamin radikal. Në rajonin e Ballkanit ndodhen më proamerikanët dhe ata më proeuropianë myslimanët në botë, siç janë komunitetet myslimane në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Gjërat po ndryshojnë. Nuk janë sikurse ishin 10 vite më parë. Në atë kohë, pra 10 vite më parë, ishte e pamundur të kishim luftëtarë të huaj nga Shqipëria, duke luftuar në Irak apo Siri. 98 % e njerëzve besonin tek Amerika dhe në Zot, e më pas në Europë. Sot kjo nuk është e njëjta çështje”, është shprehur Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu ka shprehur mendimin e tij për krizën greke dhe impaktin politik në Athinë, e më gjerë në rajonin e Ballkanit. “Përpara krizës, grekët ishin fqinjët e parë tanët europianë, ‘vëllezërit e mëdhenj’. Ata gjithashtu ishin të vetmit anëtarë të NATO-s dhe anëtarë në BE. Kriza i ka detyruar ata ta abandonojnë disi këtë. Antonis Samaras, ish-kryeministër, bëri përpjekje të respektueshme për ta rikthyer Greqinë në vendin e duhur, por tani nën qeverisjen e radikalëve të majtë të Alexis Tsipras, gjërat ndryshuan përsëri”, ka theksuar Rama. “Financial Times” shkruan se Rama e ka mbyllur këtë darkë me një histori nga gjyshja e tij katolike, siç është edhe ai vetë, me të cilën Tony Barber përmbyll shkrimin.
“Një ditë ju do të bëheni burrë. Edhe burri mund të jetë brutal. Një burrë edhe mund të gënjejë. Një burrë mund të marrë vendime të gabuara. Por ajo që një burrë kurrë nuk duhet të ofrojë është të mos jetë i mërzitshëm”. Deklaratat e Kryeministrit Rama bëhen kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe pret hapjen e negociatave për anëtarësim, dhe pse Brukseli e ka ngrirë procesin e anëtarësimit të vendeve të reja në këtë familje për një periudhë 5-vjeçare.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al