Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përplasjen mes kryeministrit e presidentit, deklaroi se shikon Ramën si rrezikun më të madh të demokracisë në Shqipëri. Ai theksoi se jetojmë në një vend, që në çdo parametër nuk është normal.
“Të dy, Rama e Meta shfrytëzojnë postet në fushatë elektorale. Jemi në një vend anormal, për mendimin tim, ku derisa votat shiten e blihen nuk mund të presësh që të ketë respekt për disa norma normale të votimeve. Edhe në Kosovë kishte kulturë votimi. Këtu është kush t’ja hedh njëri-tjetrit dhe kush është më i fortë e ka më shumë para. Edhe presidenti ka dalë nga roli i tij normal.
Presidenti reagon ndaj një kryeministri që është ekstrem në keqpërdorimin e pushteteve. Në mendimin tim, Rama është njeriu më i rrezikshëm që ka Shqipëria sot, kjo bën që të mbyllësh syrin ndaj presidentit. Unë kam thënë më mirë tre banda sesa një, sepse krijojnë balancën. Unë mendoj që kjo drejtësi është më e kapur se ajo përpara. ne jemi popull i rrahur shumë dhe të nënshtruar. Ky populli rrahur kështu mund të shkojë në shpërthim, që ndoshta çon edhe në shkatërrim. Këta e kanë çuar situatën shumë larg gjendjen, shumë keq”, tha Lubonja.
Më tej, Lubonja komentoi edhe faktin sesi e shikon fushatën e secilës parti politike.
“Edi Rama, partia në pushtet si fjalë kyçe ka se ne jemi më të mirët, e këta të tjerët janë të dobët, duke nënshtruar opozitën. PD e shikoj që i mëshon një programi ekonomik, që të them të drejtën nuk më krijon besim shumë të madh, se premtime janë më shumë. PD nuk reagoi për personalitet, ka dyshime këtu. LSI ka më shumë nerv. Ndarja e opozitës më duket problem. Partitë e reja nuk i shikoj aktive fare. Duhet të merremi me pandeminë më shumë sesa për fushatë elektorale”, u shpreh Lubonja.
Në lidhje me vaksinimin e personaliteteve, Lubonja nënvizoi se Rama me këtë lëvizje, shkon deri në shkelje të Kushtetutës, kurse shtoi se cenon po ashtu edhe barazinë njerëzore.
“Polemika për çështjen ia vlente, ishte reagim ndaj një akti që flet shumë, për realitetin tonë, për shoqërinë që kemi ndërtuar, ishte edhe një lloj shkelje e Kushtetutës mund të themi, edhe e barazisë së njeriut përpara disa gjërave themelore që shteti duhet t’ja garantoj, një gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që kriteret të përcaktohen paraprakisht.
Në botë, arsimtarët dhe mjekët janë vaksinuar të parët, pa thënë nëse janë të shquar apo jo, është edhe kriteri nëse janë njerëz që janë më në rrezik, shtresat më në nevojë dhe pastaj të tjerët me radhë, sipas moshës. E lexoj si propagandë të Ramës, vaksinon personalitetet, bën bujë me ata pak vaksina që ka siguruar. Rama në vitin 1991 tallet me artistët dhe shkrimtarët e shquar të viteve 91, kurse tani i dekoron. Jam kundër dallimeve të tilla, dallimet janë ata që thashë. Nuk reagoi as opozita për këtë çështje, ka mundësi që kalkulon votat. Edhe këta të japin idenë që jam me VIP-at. Është një mjerim”, përmbylli Lubonja.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al