“Rama u kthye te vendi i krimit”, Basha: Shqiptarët paguajnë 60% të shërbimeve shëndetësore nga xhepi. SPAK të hetojë

Jul 1, 2024 | 15:08
SHPËRNDAJE

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, e ka konsideruar si kthim në vendin e krimit takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama në QSUT.

basha

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se kryeTixhja e pandemisë me tenderat sekretë është maja e piramidës së korrupsionit. Ai shkruan se Rama u shfajësua siç bëri me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra dhe ish-kryebshkiakët, me parrullën “përgjegjësia është individuale”.

Në reagimin e tij, Basha gjithashtu thotë se ishte Rama që premtoi shëndetësi falas dhe sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të sherbimeve për shendetësinë. Ai sjell në vëmendje konkluzionet e OBSH se shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%.

Sipas tij, problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që abuzon me shëndetin e familjeve shqiptare. Dhe për këtë si zgjidhje Basha sheh inkurajimin e SPAK në luftën kundër korrupsionit në çdo apekt dhe alternativën e demokratëve euroatlantik që qytetarëve të mos u shkojnë dëm paratë e sigurimit shëndetësor, por të marrin sherbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Pas skandalit çnjerëzor të Onkologjikut, Edi Rama u kthye sot te vendi i krimit.

Me propagandën e tij bajate, u përpoq të lajë duart me përgjegjësitë, për t’ia lënë ato vetëm mjekëve.

Kujtonte me paturpësinë më të madhe Tixhen, ndërkohë që kryeTixhja e pandemisë ishte vetë ai me tenderat sekretë.

Me parrulla të lodhura dhe kundërthënëse, ku sipas interesit të tij një herë e ka fajin individi, një herë sistemi, ndërsa koka, maja e kësaj piramide korruptive, fletë sikur ka ardhur sot në pushtet.

Siç ka berë me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra, kryebashkiake e ish-kryebashkiakë, edhe këtu u shfajësua me frazën “përgjegjësia është individuale”.

Nuk është aspak i shqetësuar për paragjykimin që në raste të tilla bie mbi mjekë e infermierë, që në kushte jo normale përpiqen me gjithçka për t’u dhënë ndihmë pacientëve. Për ta kemi dhe do të kemi mirënjohje për jetë. Por Rama ka hallin e tij, sepse ai është arkitekti që qëndron në majë të piramidës së korrupsionit.

Rasti i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është vetëm dëshmia më e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv, që si në çdo hallkë të zinxhirit drejtues të Ramës, prodhon dhimbje dhe kosto për familjet shqiptare.

Sot për t’u hedhur hi syve shqiptarëve ka shpikur menaxherë të huaj. Siç është dëshmuar edhe më parë, pas çdo skemë të tillë është një tjetër plan abuzimi me paratë e shqiptarëve dhe më pak shërbim për ta.

A thua se nuk është ky që u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas, e sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shërbimeve për shëndetësinë.

Me qeverisjen e Edi Ramës, Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82 për qind.

Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi në krahasim me çdo vend tjetër në Europë.

Po aq kriminale është skema korruptive e barnave, që lejon futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurtë, me cilësi të ulët dhe pa efekt, duke mos përfshirë në listën e rimbursimit barna për sëmundjet e rënda.

E si të harrojmë milionat e eurove që vidhen në tendera e koncesione korruptive, të cilave u doli zot me pafytyrësi. Miliona që do të mjaftonin për t’u ofruar qytetarëve shërbim shëndetësor cilësor për të gjithë.

Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre.

Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj skeme korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë.

Prandaj rasti i Onkologjikut, që fatkeqësisht nuk është i vetmi, është një metastazë e tumorit të korrupsionit që ka instaluar kjo qeveri në sistemin e shëndetësisë.

Problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që abuzon me shëndetin e familjeve shqiptare, ndërsa ata ikin dhe për shkak të sistemit shëndetësor që është pasqyrë e qeverisë më të korruptuar në Europë.

Prandaj së pari gjithçka duhet të nisë me luftë pa kompromis kundër korrupsionit.

Inkurajoj SPAK të ecë përpara me vendosmëri në luftën e korrupsionit, kudo që ai shpërfaqet dhe në çdo nivel të pushtetit.

Së dyti, ne kemi ofruar alterantivën tonë. Modelin që qytetarët të cilët paguajnë sigurimet shëndetësore të mos u shkojnë dëm paratë, por të marrin shërbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm.

Shqipëria meriton më shumë se gjendja në të cilën e ka futur korrupsioni i Edi Ramës, familjet shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, e jo një qeveri që i trajton jetët e tyre si plaçk për të mbushur xhepat e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura