Banka Botërore në raportin e saj të fundit të qershorit të perspektivës ekonomike globale ka rishikuar me ulje pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë si për vitin 2021, ashtu dhe për vitin 2022.
Në vitin 2021, shkruan “Monitor”, ekonomia vendase pritet të rritet me 4.4%, me ulje prej 0.7 pikë përqindje nga vlerësimi i muajit janar. Për vitin 2020, vlerësimi është rishikuar gjithashtu me një ulje me 0.7 pikë përqindje, duke e zbritur në 3.7%. Po e njëjta pritshmëri është edhe për vitin 2023, në 3.7%.
Në kahun tjetër, rënia ekonomike në vitin 2020 vlerësohet në -3.3%, shumë më e ulët sesa pritshmëria fillestare e bankës prej -7.5%. Rënia më e ulët se parashikimi në 2020-ën është dhe një nga arsyet e rishikimit të vlerësimit në 2021-shin dhe 2022-shin.
Nga gjithë vendet e Europës, pandeminë e kanë kaluar me më pak pasoja Turqia, që pa një rritje prej 1.8%, Serbia, me një tkurrje minimale prej -1%, Polonia (-2.7%) dhe më pas Shqipëria (-3.3%).
Goditjen më të fortë e pësuan Mali i Zi (-15.2%) dhe Kroacia (-8%), dy vende me varësi të lartë nga turizmi dhe që nuk i hapën dyert në verën e 2020- ës. Banka Botërore vlerëson në raport se ekonomitë me varësi të lartë nga turizmi, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi, do të vazhdojnë të dëmtohen nga kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, në afatin e mesëm, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nxiten nga përshpejtimi i reformave strukturore në përgatitjen për anëtarësimin në BE, nëse negociatat nuk do të vijojnë të shtyhen më tej. Sipas raportit, ekonomia botërore po përjeton një rimëkëmbje jashtëzakonisht të fortë, por shumë të pabarabartë.
Rritja globale vlerësohet të arrijë 5.6 për qind në 2021 – ritmi i saj më i fortë i pas recesionit në 80 vjet – pjesërisht i mbështetur nga aksesi i qëndrueshëm, por shumë i pabarabartë i vaksinave.
Perspektiva globale mbetet shumë e pasigurt, teksa ecuria e pandemisë ka ende rreziqe të mëdha dhe ngarkesat e mëdha të borxhit mund të rrisin stresin financiar. Kontrolli i pandemisë në nivelin global do të kërkojë shpërndarje më të drejtë të vaksinave, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al