Ministria e Brendshme sqaron se lajmi i dalë në media në lidhje me publikimin e një raporti të ri të CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.
Sipas ministrisë: raporti është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016 dhe jo aktual.
“Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.
‘The World Factbook’, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i ‘Factbook’ si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.
Aktualisht për Shqipërinë, ‘Factbook’ ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot ‘print-screen’ të faqeve përkatëse të ‘Factbook’ sipas viteve.
Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al