Raporti sekret i SHISH: 89 xhami në Shqipëri janë jashtë kontrollit

Nov 26, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Shërbimi Informativ Shtetëror ka paraqitur si shqetësim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se janë 89 xhami në të gjithë Shqipërinë jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërkohë që vetë Komuniteti Mysliman ka deklaruar se në total janë vetëm 9 xhami të shkëputura nga ky komunitet.

alushi“Panorama” ka zbardhur pjesë të raportit sekret që iu paraqitën dje deputetëve gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura nga zëvendësdrejtori i SHISH-it, Ylli Allushi. SHISH- i ka quajtur si shqetësues që numri i lartë i xhamive jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman, kjo në kuadër të masave të antiterrorizmit dhe kërcënimet për sulme të mundshme nga ISIS-i.

Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, mësohet se Shërbimi Informativ ka shprehur shqetësim dhe për buxhetin e alokuar nga qeveria për vitin 2016. Mësohet se SHISH- i i ka quajtur të pamjaftueshme fondet e dhëna nga qeveria, duke evidentuar se rritja e vetme prej 60 milionë lekësh janë për të paguar agjentët e SHISH-it nëpër ambasadat në botë.

Pagesat për agjentët e SHISH-it në selitë diplomatike në buxhetet e shkuara bëheshin nga Ministria e Jashtme, por kjo e fundit i hoqi nga organika e saj, duke ia kaluar Shërbimit Informativ faturën financiare.

Mësohet se Ylli Alushi në emër të SHISH-it ka kërkuar më shumë investime në infrastrukturë dhe logjistikë, duke theksuar se kanë probleme me automjetet, pjesën më të madhe të të cilave e kanë jashtë funksionit.

FATION BINJAKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura