Raporti sekret/ “Llambi Peçini, miku i Mehmet Shehut, fuste në zyrë femra të dyshimta”

Jul 2, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOCI

Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët të vitit 1982, kur Kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete në rrethana tepër misterioze, për të cilat dhe sot pas 36 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”?!

Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-Kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj., etj..

llambi pecini

Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e Partisë të rretheve përkatëse kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së.

Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.

Po kështu, përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulëta që nga Komiteti Qendror e më poshtë, si të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, apo dhe raporte kolegjiale të shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së Korpuseve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte Ushtria Shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze sot po publikojmë pjesën e tretë që i përket Komitetit të Partisë së Korpusit të Fierit (Rep. 6561), të nënshkruara nga sekretari i Partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku…

Dokumenti

PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË

Sekret

KOMITETI PARTISË Nr. 957 prot.

REP. 65.61 Fier, më 25 tetor 1982

I N F O R M A C I O N

MBI DISA PROBLEME QË DOLËN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË, TË SHTABEVE DHE KOMITETIT TË PARTISË SË KORPUSIT GJATË DISKUTIMIT TË MATERIALIT TË BYROSË POLITIKE TË K.Q. TË PARTISË “MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJELENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË KADRI HAZBIUT NË KOHËN QË ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONET E PLENIUMIT TË 5-të TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH KOMITETIT QENDROR TË PPSH

T i r a n ë

Të ndryshme

Kritikohet organizata bazë e Partisë së degës së Sigurimit të Ushtrisë për qëndrim oportunist ndaj Çerçiz Xhelos dhe veprimtarisë së tij. Çerçiz Xheloja duhet të arrestohet. Ka mbajtur afër Diftir Hysin. Shërbimi i Policisë nuk i përgjigjet ruajtjes së rregullit dhe rendit publik dhe pasurisë kombëtare. Kjo të shikohet, të jenë policë me rrogë, pa qenë ushtarë, ose po qenë ushtarë, të jenë nga jashtë rrethit.

Në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore kanë vajtur kuadro me shoqëri, të tillë janë Banush Bega dhe Jani Stepa. Arjan Qirjakos dhe Gaqo Pojanitit u janë dhënë padrejtësisht tituj shkencorë. Arjani në R55AB (Regjimenti 55 i Artilerisë Bregdetare), ka bërë dy lloj vlerësimesh, ndryshe në regjiment dhe ndryshe te Kadri Hazbiu.

Të shikohet grupi i instruktorëve në Komitetin Qendror për Ushtrinë se nuk janë treguar vigjilentë, ndaj të qarkullojnë. Më tepër të ushtrohet kontroll nga ata në Komitetin e Partisë të MMP, në aparatin e MMP dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Llambi Peçini dhe Meramet Hila, kur i hoqën triskën e Frontit Mihal Popit në Nartë të Vlorës, këta vajtën e ia dhanë prapë. Diftir Hysi ka sabotuar dhe ka penguar riparimet e furnizimeve të autotraktorëve. Ka qenë servil dhe njeri i afërt i armiqve Kadri Hazbiu dhe Veli Llaka. Ka urdhëruar për konservimin e agregateve të STD, APG, megjithëse ky urdhër është kundërshtuar.

Në Tiranë ka tre inspektorë ushtarakë për automjetet e ushtrisë dhe 10 prej tyre janë miqtë e Diftir Hysit. Pipi Mitrojorgji, kur i është thënë se po çon në universitet njerëz të deklasuar, ka thënë se “kanë kaluar 40 vjet”. Arif Haskoja ka thënë: “Nënoficerët dhe minjtë po na prishin Ushtrinë”. Tahir Malo, ish-kryetar i Degës së Brendshme të Lushnjës, më shumë rrinte në Dajlan e Godull ku kishte rosa e peshk, se sa në krye të detyrës.

Spiro Adhami ngrinte rolin e Mehmet Shehut shumë lart, si strateg ushtarak. Ai është shprehur: “Neve si Akademi mbledhim shkrimet e Mehmet Shehut në dy vëllime, por ai nuk i pranoi”. Në Akademi është futur fryma e Mehmet Shehut dhe nuk ka kritikë as në komandë, as në Parti, ka familjaritet dhe duhet të shikohen kuadrot që janë atje. Enver Llaka, vëllai i Veli Llakës, merrte shpesh leje nga Akademia se gjoja kishte sëmurë fëmijët.

Kur kthehej, thoshte: “Isha me Veliun atje e këtu, ishim me motoskaf për të gjuajtur etj.”. Ka shoqëruar edhe gruan e Veliut për kurime në Austri. Të shikohet qëndrimi i Ligor Çifligut e Riza Kuçit se edhe pas dënimit të këtij të fundit, Ligori kur vinte në Fier nga Durrësi bënte xhiro me të, ka qenë arrogant dhe prepotent. Pëllumb Çakërri në Drejtorinë e Tankeve ka qenë mendjemadh, fodull dhe mospërfillës dhe kur i kërkoheshin pjesë këmbimi për tanke, ai përsëriste vazhdimisht se ka vështirësi që do t’i kapërcejmë për dy vjet.

Shkëlzen Bajraktari, ish-Shefi i Hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme në Fier ka mbrojtur shkeljet që janë bërë në ndërmarrjen e Grumbullimit të Fierit, nuk janë dënuar fajtorët kryesorë, por ata që patën më pak faj. Ka mendime se Shkëlzeni ka nxitur rrahjet dhe grindjet që ndodhnin në qytetin e Fierit midis çamëve dhe çobanëve. Në shkollën “Skënderbej”, gjatë viteve 1958-1959, është shpërndarë dy herë organizata bazë e Partisë se nuk kishte pranuar në Parti agjitatorin e Petrit Dumes, Skënder Bajraktarin. Thimi Andoni nuk është interesuar për furnizimin me material të ofiçinës dhe riparimin e mjeteve të ndërlidhjes.

U bënë vërejtje për Mato Kollozin, i cili të shikohet nga rrethana biografike. Në një stërvitje në vitin 1980, Llambi Peçini u thirr për të bërë një bisedë me kuadrot, me ushtarët mbi kujtimet e tij për shokun Enver Hoxha, por ai e niste bisedën për shokun Enver dhe vazhdonte të tregonte episode nga jeta e Mehmet Shehut. Ai thërriste shumë njerëz të dyshimtë në zyrën e tij dhe sidomos femra.

Anëtari i Partisë, Vlash Shtrepi, shef i Shëndetësisë Br 56K, në vitin 1976 është përjashtuar nga Partia, sepse vjehrri i tij, Hil Doda, ka qenë major i Gestapos në Shkodër dhe është arratisur jashtë shtetit. Vlashi u rikthye në Parti nga Komisioni Qendror i Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë. Veç kësaj, Vlash Shtrepi ka pasur shoqëri me Llambi Peçinin që e shpjegon se një vajzë e adoptuar e tezes së Llambit, e ka marrë për grua vëllai i Vlashit.

faksimile e raportit per pecini

Të dënohet qëndrimi i Shefit të Sigurimit të Flotës Luftarake Detare, Kiço Priftit, pasi vëllanë e gruas e ka pasur të arratisur dhe babanë në burg për vjedhjen e pasurisë. Kristaq Blushi kritikohet për politikë personale, miqësore dhe taraf në ngritjen dhe lëvizjen e kuadrove, për zvarritje dhe punë burokratike. Kudo nxiste “unin” dhe bënte jehonë “veprave” të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut për politikën e kuadrit, ishte mospërfillës me njerëzit poshtë.

Ai ka marrë në Tiranë nga Korça nipin e tij oficer, ka shkelur vendimin e Byrosë Politike për nomenklaturën e kuadrit ku i donte qejfi, ka zvarritur vendimet e Komitetit të Partisë të Korpusit prej 6 muajsh për shkarkimin nga detyra të Dalip Pashës dhe Petrit Arapit. Ka vërejtje se për emërimin e kuadrit Veliçan Golemit, është nisur vetëm nga porosia e Kadri Hazbiut. Veliçani ka qenë me përbërje të keqe politike. Shefi i Lokacionit në MMP është shprehur se në fshatin Gurrë, kam një mik, Ibish i thonë, që tani është në Kosovë, ai ka thënë gjithashtu në Kolegjium, se batalionet me çamë dhe evgjitë duhen prishur. Jano Andoni ka qenë mik i ngushtë i Veli Llakës.

Kur ishte shef i Degës Ushtarake në Vlorë, bëri çmos për të veshur oficer vëllanë e Veliut dhe e veshi, të japë llogari në organizatën bazë të Partisë ku është. Hito Goxhi ka dëmtuar në organikat e kompletimit të Ushtrisë. Oficerët e SHLU (Shkollave të Lira Ushtarake), janë të parreshtuar në organikat e kohës së luftës, si dhe nënoficerët aktivë të SHLU. Në disa batalione artmitraljere, organikat me efektivë janë të strukturuara dhe dëmtojnë gatishmërinë luftarake.

Organikat e degëve ushtarake i kanë fryrë vitet e fundit. Për Zimet Azizin, pedagog në Akademinë Ushtarake dolën kritika, që kur ka qenë në Korpusin e Fierit, ka sjellë shqetësime për Partinë si në shkollën e Korpusit, ashtu dhe si shef Operativ. Kritikohet si karrierist, është mbajtur vazhdimisht afër nga Veli Llakaj dhe ka qenë servil i tij. Për transferimin e tij në Tiranë ka ndërhyrë Veli Llaka. Të shikohet edhe biografia e tij dhe e bashkëshortes. Për Polikron Liton dolën kritika që ka pasur shfaqje të gjaknxehtësisë, nuk di të komunikojë mirë me njerëzit dhe ka nënvleftësuar kolegët e tij gjatë kohës që ka qenë komandant i BR.72k Himarë.

U bë vërejtje që të rishikohen edhe njëherë dosjet e deponimeve të grupit armiqësor të ish-oficerëve të dënuar në vitin 1975 në Fier, Faik Allushi, Rexhep Bleta e Halim Mema, për arsye se hetimi nuk është bërë mirë nga Hetuesia e Rrethit të Fierit. Për Rustem Peçin, dolën kritika se ka pasur shfaqje të imoralitetit në Shkollën e Bashkuar. Në vitin 1975 ky problem i është bërë i njohur shokut Llambi Gegprifti nga dy oficerë të shkollës së Bashkuar dhe problemi është mbyllur.

Komunistët dhanë mendime që të analizohet edhe puna e Gjykatës së Lartë në Tiranë që ka gjykuar grupin e puçistëve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e kompani. Ka vërejtje për Shkollën e Bashkuar se nuk ka nxjerrë oficerë të specializuar për radioteknik, AKA dhe ABD. U bënë kritika për , që kur i është bërë propozimi për vendosjen e komisarëve në bateritë kundërajrore me efektivë, është përgjigjur: Na mbytët me këta komisarë, ata rrinë kot dhe ne nuk kemi kuadro të kundërajrorit.

Në Shtëpinë e Oficerëve Vlorë, shoferi i furnizimit ka të dënuar për agjitacion e propagandë të vëllanë, duhet të shikohet qëndrimi i tij në punë. Komunistët dhanë mendime që armiku Kadri Hazbiu, Veli Llaka dhe Maliq Sadushi të ndiqen penalisht dhe të dënohen si tradhtarë të Atdheut, ndërsa Alfred Moisiu dhe Mendu Backa të përjashtohen nga Partia.

SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË REP.6561 ANDON DOLLAKU

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura