Rasti “Caja”/ Agron Tufa padit ish-drejtorin e Qafë Barit: Ne po bëjmë detyrën. Topi në pushkë le t’i ngelet drejtësisë shqiptare

Jun 23, 2019 | 16:16
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/“Jam rrahur në mënyrën më çnjerëzore nga Policia, me në krye shefin e Policisë së Repartit”… Këto rreshta që flasin për Edmond Cajën, ish-komandantin e Togës së Burgut të Qafë-Barit, i shkruan një 18-vjeçar i dënuar në fillimet e viteve ’80.

agron tufa

Në të thuhet se si të burgosurit lihen pa bukë dhe ashtu të pangrënë detyrohen të punojnë me dy turne, edhe në zona me rrezikshmëri të lartë. Agron Çipllaku, edhe pse i transferuar nga Burgu i Spaçit në Qafë-Barë, mes sëmundjeve, izolimeve e torturave të kamxhikut e shikon gjendjen aq të pashpresë, sa i shkruan vetë diktatorit Enver Hoxha.

Ky është vetëm një nga materialet që Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit disponon kundër Cajës. Bashkë me viktimat-dëshmitarë, Agron Tufa, si përfaqësues i këtij institucioni, ka çuar ish-komandantin e Togës së Burgut famëkeq në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke shënuar edhe rastin e parë të krimeve të komunizmit që është në gjykim.

Mbi Cajën rëndojnë ndër të tjera akuzat për pushkatimin e të dënuarave Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, si dhe vdekja makabre e Sandër Sokolit, pasi ish-komandanti i Policisë i theu shtyllën kurrizore. 28 vite indiferencë ndaj këtyre krimeve, Tufa i shpjegon si pasojë e pranisë së gjeneratës së Cajës në hallka të larta të pushtetit, si dhe me mungesën e besimit që njerëzit kanë tek institucionet e drejtësisë.

Një mungesë besimi e justifikuar, pasi pjesë e këtyre organeve kanë qenë njerëz të implikuar në krime të diktaturës, apo bijtë e tyre. Sot Tufa pohon se më e mira do të ishte që kjo çështje të zgjidhej në Shqipëri, por nëse kështu nuk ndodh, do të shkojnë deri në Hagë.

“Kjo është edhe një mundësi që ne u japim organeve të drejtësisë. Pasi ne u kemi shpënë prova, dëshmitarë okularë dhe pastaj ata vetë duhet të tregojnë nëse janë të aftë të vënë drejtësi dhe të zbatojnë ligjet”, tregon Tufa për “Panoramën”.

Zoti Tufa, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka bërë një kallëzim penal kundër Edmond Cajës, ish-komandantit të Togës në ish-burgun e Qafë-Barit. Çfarë ju nxiti të ndërmerrnit një iniciativë të tillë dhe t’i drejtoheshit Prokurorisë së Krimeve të Rënda?

Bazuar në nenin 74 të Kodit Penal, kushdo person zyrtar që ndesh në gjurmë krimi gjatë praktikës së punës, ka të drejtë të bëjë kallëzim penal për persona konkretë dhe jokonkretë. Po ashtu, neni 281 i Kodit Penal thotë se: “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi, të cilit i atribuohet vepra penale”.

Në këtë kushte, edhe unë si përfaqësues i Institutit të Studimeve Kundër Krimeve të Komunizmit i jam drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, me qëllim kallëzimin dhe ndjekjen penale të shtetasit Edmond Caja. Ky i fundit ka qenë shef i Togës së Policisë në Kampin 311 të Qafë-Barit, nga periudha 1982 deri në 1984, kur kulmon kryengritja e ish-të burgosurve politikë. Pas shtypjes së revoltës, në ‘85-ën shteti e gradon dhe e shpërblen Cajën, duke e bërë drejtor të këtij kampi deri në vitin 1989. Më pas, ai vijon të ngrihet gjithnjë e më lart në detyrë. Në materialet tona arkivore, intervistat e të mbijetuarve nga ky person, ne kemi ndeshur mjaft gjurmë të krimeve që ai ka ushtruar dhe përpos kësaj, janë edhe dëshmitarët okularë.

Pra, flitet për krime të tmerrshme që Caja ka kryer, të cilat konsistojnë në tortura të vazhdueshme, gjymtime dhe kryesisht ushtrim të terrorit fizik e psikik deri në skllavërimin e plotë të ish-të burgosurve. Këta dëshmitarë janë të gatshëm të përballen në gjyq kur të jetë e nevojshme. Dhe janë me dhjetëra raste. Emri i Cajës u përfol fillimisht në medie, për një padi që ky i fundit kishte ngritur ndaj zonjës Fatmira Dine, gjyshi i së cilës është një nga viktimat e komunizmit. Mirëpo, ai jo vetëm që e mohoi një fakt të tillë, por në njëfarë mënyre “baltosi” disa nga dëshmitarët tuaj…

Sigurisht që, si gjithmonë, ai gënjen. Avokati i zonjës Dine ka marrë të dhëna dhe informacione të plota nga Instituti i Krimeve të Komunizmit. Unë personalisht i kam dorëzuar gjithçka kishim mundur të mbledhim dhe në fund Caja u tërhoq. Ai tërhoqi padinë “Për prishje imazhi” dhe të drejtën e gëzon zonja Dine. Të tjerat që Edmond Caja ka shtuar janë pa dyshim gënjeshtra për qëllime të caktuara, për të ulur profilin apo baltosur ish-të dënuarit politikë të Qafë-Barit, të cilët asokohe i torturoi. Disa prej tyre i ka gjymtuar e më fatkeqit humbën jetën në mënyrë çnjerëzore.

Rasti “Caja” shënjon edhe kallëzimin e parë të bërë kundër krimeve të njerëzimit, në këtë rast të diktaturës komuniste. Kanë kaluar afro 29 vite prej përmbysjes së sistemit, sipas jush pse nuk është ndërmarrë më herët një nismë e tillë ligjore?

Të tjerët duhet të përgjigjen për këtë. Unë e ndërmora. Nuk kam qenë në këtë detyrë përpara 29 vitesh, por besoj se tani do të shfrytëzohet hapësira ligjore dhe e drejta kushtetuese që edhe për kriminelët e tjetër të ngjashëm me Edmond Cajën të bëhen kallëzime penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Mendoni se ka ende njerëz të fuqishëm, të cilëve nuk u leverdis që këto çështje të hapen?

Kështu ka qenë gjithmonë. Ka pasur grupe të fuqishme që i mbrojnë këta persona me të kaluar kriminale. Jetojmë në një kohë, kur siç e kam bërë me dije, sundojnë kolegët e Cajës. Pushteti i bashkëmoshatarëve të një gjenerate të ishSigurimit të Shtetit ndihet ende, oficerët e Sigurimit të Shtetit janë në institucione qendrore shtetërore dhe kanë një protagonizëm jashtëzakonisht të theksuar. Dhe kundrejt saj, drejtësia duhet të bëjë punën e vetë. Më e mira dhe më e ndershmja për ne është që drejtësia të gjendet këtu. Nëse jo, do ta kërkojmë në rang ndërkombëtar.

Duke pasur parasysh se kjo është një çështje që u përket të gjithëve, a keni pasur mbështetje nga institucione të tjera?

Nuk jemi ndalur të mendojmë për diçka të tillë. Për ne kjo është një detyrë publike. Një ndër detyrat bazë për të cilat kjo shoqëri duhet të kontribuojë, për pastrimin e ndërgjegjes. Synimi ynë parësor ka qenë ndëshkimi i kriminelëve dhe nuk i kemi bërë llogaritë për institucionet. Ne po shfrytëzojmë ligjin, hapësirën që jep Kodi Penal në bazë të punës dhe lirisë së kemi. Sigurisht që, më duket anormale që diçka e tillë nuk është bërë më përpara, por për mendimin tim, kjo ka të bëjë me mosbesimin e plotë ndaj organeve të drejtësisë. Mosbesim, të cilin edhe ne e kemi, e megjithatë nuk mund të rrimë pa bërë detyrën. Pastaj, topi në pushkë le t’i ngelet drejtësisë shqiptare. Drejtësisë së re që po proklamojnë.

Situata e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk është favorizuese, pse nuk ju drejtuat instancave të tjera ligjore jashtë vendit?

Po i bëjmë hapat shkallë-shkallë… Në qoftë se nuk gjendet drejtësi këtu, ne do ta kërkojmë atë deri në Hagë. Edhe pse ndaj Edmond Cajës është bërë padi edhe jashtë nga Ahmet Tufa, ish-i burgosur politik i burgut të Qafë-Barit. Një kallëzim penal për torturat e ushtruara nga Caja, ndaj tij dhe shokëve të tij në 1984-ën.

Përveç Cajës, cilat janë personat e tjerë ende në jetë, që kanë përgjegjësi për krimet e Qafë-Barit?

Vazhdimisht nëpër informacione ndeshet emri i Ludovik Calit, i cili nuk dihet se ku gjendet. Kjo, pasi ata janë infiltruar dhe kanë depërtuar me mashtrime nëpër shtetet e lira perëndimore. Këta persona kanë përfituar nga ajo liri, për të cilën të burgosurit e Qafë-Barit dhe të Spaçit u dënuan rëndë dhe u pushkatuan. Këta tipa që sot janë strehuar në vendet e mohuara të diktaturës, qenë xhelatët e tyre. Ndaj, unë sugjeroj të shqyrtohet rasti i secilit prej tyre, që të zbulohet sesi ata kanë mashtruar në vendet ku kanë marrë azil. Rikthimi në dosjet e tyre, ku mund të vërehet sesi i kanë plotësuar formularë të caktuar, do të nxjerrin në shesh gënjeshtrat që kanë përdorur. Një fakt i tillë do të duhet t’u bëhet me dije shteteve demokratike, që ne i marrim si etalon të lirisë, për të faktuar se si këta kriminelë që i kanë shpëtuar vendit, mashtruan edhe atje. Janë procedura racionale, të cilat ne i njohim. Ndaj, është i nevojshëm kallëzimi penal, gjyqi dhe dënimi mbi këta persona me një të kaluar kriminale në diktaturë.

Puna që po bëhet në Institut, në një moment, krahas Spartak Brahos, u duk se u vu në diskutim edhe nga vetë Kryeministri…

Ky është një formë presioni. Pra, çështja shtrohej: “Nëse ata kanë thyer ligjin kur paguhen me paratë e taksapaguesve, ne duhet të çojmë një komision hetimor, që të verifikojmë nëse ka ndodhur diçka e tillë”. Për këtë, unë Spartak Brahon e hodha në gjyq dhe ka materiale e prova të mjaftueshme, që tregojnë se akuzat e tij janë shpifje.

Caja u bë i gjallë para disa kohësh përmes deklaratave mediatike, dhe nuk u duk i penduar. Përkundrazi, në një moment, replika e tij (Caja-Tufës: “A ke familje, mor zotëri, a ke dinjitet, a ke së paku respekt për veten tënde?”) u interpretua edhe si kërcënim ndaj jush…

Një kriminel, i cili i ka lyer duart me gjak dhe mbi të cilët rëndojnë dy të pushkatuar, dhe një person të cilit i theu shtyllën kurrizore me pasojë vdekjen, siç ishte Sandër Sokoli…, një ndërgjegje e tillë kriminale nuk mund të bëjë një apel të tillë. Xhelati nuk mund të ndërmerret si etalon dhe referencë për çfarëdolloj fjale që të thotë. Sigurisht, që atij iu hapën bujarisht dyert e shtypit nga të ngjashmit e tij, si Spartak Braho me shokë, duke e bërë që të thyente heshtjen 28-vjeçare. Me xhevahiret që nxori Edmond Caja, pamë gratis ndërgjegjen e kriminalizuar, qe mundohej edhe një herë të hidhte baltë mbi ata fatkeq, të cilët i torturoi dhe skllavëroi kur ishte shef Toge i Burgut të Qafë-Barit. Sigurisht që ndaj meje mund të bëjë edhe kërcënim, po unë nuk jam nga ata persona që u jap vlerë kërcënimeve. Unë do zbatoj detyrën, për të cilën jam zgjedhur.

Zoti Tufa, ky rast ka evidentuar edhe urdhrat që vinin nga hallkat e larta të pushtetit asokohe, për të torturuar jo vetëm deri në vdekje dhe pas saj të dënuarit. A është e vërtetë që pjesë të trupit të burgosurve pas pushkatimit, përdoreshin për eksperimente shkencore?

Sigurisht që është e vërtetë. Sytë e të dënuarave që pushkatoheshin në Qafë-Bari, në disa raste i janë dhënë Ministrisë së Shëndetësisë, për eksperimente. Mirëpo, urdhri për këtë është dhënë nga Ministria e Brendshme, me në krye Hekuran Isain.

Në këtë hallkë pushtetarësh të implikuar në krimet e komunizmit, Caja u justifikua se ai, një ish-komandat toge 25-vjeçar, nuk mund të ketë pasur shumë në dorë. Sa qëndron një deklaratë e tillë?

Caja ishte xhelati i atij burgu, shef i Togës së Policisë. Ai ishte telekomanduesi i rrahjeve, gjymtimeve dhe skllavërimeve. Mandej, më vonë, u bë drejtor. Në këtë pozicion dhe në ato rrethana, kjo do të thoshte se ai kishte në dorë të bënte ç’të donte me secilin. Kjo lloj mbrojtje që ai i bën vetes nuk ka asnjë bazë logjike dhe nuk ia vlen të merret në konsideratë.

A do të vijojnë kallëzimet? Cili do të jetë rasti tjetër?

Pa dyshim që po. Ne jemi duke mbledhur dokumentacione, si dhe dëshmitarë, siç bëmë në rastin e Cajës. Informacione të tjera do të bëhen me dije mediatikisht në kohën e duhur. Siç të gjithë po e shohim, ne e kemi ndërmarrë këtë nismë në kohë të paqëndrueshme dhe të disfavorshme, ndaj është me shumë rëndësi që të gjithë të zbatojnë detyrën pa u frikësuar dhe lëkundur. Ne po e bëjmë të gjithë këtë, jo vetëm sepse është bindja jonë si qytetarë, por edhe sepse e kemi për detyrë!

Siç ju e thatë, nuk e keni llogaritur ndihmën e institucioneve dhe ato vetë nuk kanë ofruar mbështetje. Në një situatë të tillë, sa besim keni se shqyrtimi ligjor i kësaj çështjeje do të vendosë pak drejtësi për viktimat e diktaturës?

Besimi jonë është i palëkundur, përndryshe, nuk do ta nisnim një kauzë të tillë. Të paktën edhe simbolikisht, të fillohej e të flitej për drejtësinë e munguar të viktimave të diktaturës. Në njëfarë mënyre, kjo është edhe një mundësi që ne u japim organeve të drejtësisë. Pasi ne u kemi shpënë prova, dëshmitarë okularë dhe pastaj ata vetë duhet të tregojnë nëse janë të aftë të vënë drejtësi dhe të zbatojnë ligjet. Përndryshe, ne do të kapërcejmë në një stad tjetër më të lartë, deri në Gjykatën e Hagës! Diku drejtësi do të ketë! Një nga problemet ka qenë besimi krejtësisht i rrënuar nga pushtimi i drejtësisë nga njerëz të implikuar direkt me diktaturën, miq të tyre, të afërm apo direkt bijtë e tyre, që fatkeqësisht kanë shtrembëruar çdo gjë. Dhe prandaj ne jemi i vetmi vend në ish-kampin komunist të gjithë Europës, që nuk kemi asnjë rast ku të jenë hapur gjyqe të kësaj natyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura