Reali i sfilitur nga kalendari dhe udhëtimet, ja si Atletiko e “dogji” në Kupën e Mbretit

Jan 21, 2024 | 14:12
SHPËRNDAJE

Dashamirësit e futbol lit kanë shijuar një spektakël puro të enjten në mbrëmje në 1/8 e finaleve në Kupën e Mbretit. Derbi i Madridit në “Metropolitano” pati gjithçka brenda tij. Në fund pas një 120 minutëshi vibrant, ka qenë skuadra e Simeones që ka fituar 4-2, duke iu kundërpërgjigjur Realit për humbjen 5-3 në Arabinë Saudite në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës.

real-atletiko

Eliminimi i Realit të Madridit në Kupën e Mbretit ka disa lexime. Kryesorja dhe ajo që ata zgjedhin të bëjnë në pjesën e bardhë të kryeqytetit është fokusuar në epërsinë e Atletikos në aspekte kyçe, të cilët kanë përmbysur ekuilibrin në favor të “colchoneros”, pavarësisht lojës së mirë të ekipit të Ançelotit.

NGARKESA FIZIKE –

Ndryshe nga derbi në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës, në Kupën e Mbretit, menaxhimi i stolit ishte më i mirë nga Atletiko e Madridit. Lojtarët e Atletikos u shfaqën më të freskët, ndërkohë që me zëvendësimet e tij Ançeloti nuk mundi ta bënte një gjë të tillë me Realin, veçanërisht në mesfushë. Kros dhe Brahim Diaz të futur për të ekuilibruar forcat në mesfushë, nuk ishin në gjendje të ringjallnin ekipin, duke bërë që Reali të mbetej peng i zgjidhjeve individuale të Bellingamit dhe Viniciusit.

GABIMET INDIVIDUALE –

Portieri i Realit, Lunin dhe mesfushori Tçuameni ishin dy nga përgjegjësit kryesorë në eliminimin e “los blancos”. Mbi ta rëndon pesha e dy golave vendimtarë për rezultatin e ndeshjes. Në momentin e 2-1 të përkohshëm të Atletikos, portieri ukrainas bëri një gafë kolosale duke i dhënë një asist Moratës. Ndërsa në momentin e 3-2, Tçuameni ndonëse i freskët i ardhur nga stoli, humbi një pasim për Vinicius dhe më pas ai nuk e mbylli Grizmanin, i cili i shkoi aksionit deri në fund.

INTENSITETI I ATLETIKOS –

Natyrisht, shumë “faj” për eliminimin e Realit të Madridit kishte dhe Atletiko, e cili imponoi një intensitet të jashtëzakonshëm që në minutën e parë. Mbi të gjitha, Samu Lino në krahun e majtë dhe Koke që ishte gjithmonë shumë pranë Bellingamit, përveçse ishte fanar i skuadrës në mesfushë.

ATMOSFERA NË “METROPOLITANO” –

Megjithëse nuk është e matshme, atmosfera në stadiumin “Metropolitano”, ishte gjithashtu vendimtare në suksesin e “colchoneros”. Publiku nuk i ktheu asnjëherë shpinën ndeshjes duke u përfshirë gjerësisht në lojë. Publiku i Atletikos përmbushi funksionin si një lojtar më shumë nën urdhrat e Simeones, i cili nuk rreshti së inkurajuari.

VINICIUS NË FOKUS –

Së fundi, një pjesë e rëndësishme e eliminimit të “Merengues” ishte se një nga lojtarët e tyre më të mirë, Vinicius, ishte më i përqendruar në tribuna sesa në lojë, duke i lënë shokët e tij me një sy në lojë dhe tjetrin në sjelljen e tij. 

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura