Realiteti ekonomik që Rama nuk e sheh

May 26, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

markuMARK MARKU

Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tahseen Sayed dhe Jens Reinke, e kanë përshkruar me nota pesimiste klimën e biznesit që ekziston në Shqipëri gjatë diskutimeve që ata mbajtën në konferencën “Reforma ekonomike dhe klima e biznesit”. Konstatimi i tyre është natyrisht një  lajm i keq për të gjithë qytetarët shqiptarë por, besoj lajm edhe më i keq është qëndrimi i zotit Rama ndaj kritikave për klimën e biznesit të artikuluar prej tyre.

Në vend që të jepte një mesazh mirëkuptimi dhe mbështetjeje për zgjidhjen e problemeve të panumërta që hasin bizneset shqiptare dhe të huaja, Kryeministri Rama e ka parë të arsyeshme t’u bëjë disa vërejtje të shoqëruara edhe me batuta “të kripura” përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare në këtë takim, si dhe dhomave të huaja të biznesit.

“Çfarë janë këta që ngrihen dhe thonë po ikin investitorët? Kush investitor po ikën? E kam dëgjuar edhe nga përfaqësues të dhomave të huaja të tregtisë këtë refren? Kush po ikën, kush?” etj., etj. Vetë ky hakërrim i zotit Rama ndaj zotërinjve në fjalë, por edhe ndaj biznesmenit Patrick Pascal, janë tregues i mjaftueshëm për klimën e biznesit në Shqipëri. Ndërsa përfaqësuesi i firmës franceze po deklaronte në forum se për shkak të “reformës fiskale” të zotit Rama ai kishte humbur një milion euro në 6 muaj dhe kishte qenë i detyruar të dërgonte në shtëpi 80 punëtorë të kompanisë së tij, Kryeministri i drejtohet: “Patrik, je bërë shumë shqiptar, sepse ju e dini që ne e kemi zgjidhur këtë me paketën e re fiskale, por ti duhet ta mbarosh me patjetër fjalimin tënd. Vazhdo!”.

Një Kryeministër që komunikon kështu me një biznesmen jo vetëm që nuk të jep siguri, por të kall datën. Të bën të mendosh thellë për perspektivën e të bërit biznes në këtë vend. Qasja komunikuese e zotit Rama me përfaqësuesit e botës së biznesit është fare e parëndësishme krahasuar me qasjen ekonomike. Duket qartë që zoti Rama ka shumë pak përgjegjësi për pasojat e qeverisjes së tij në ekonominë e vendit.

Nga mënyra se si ai i trajton problemet ekonomike duket se ekonomia përbën shqetësimin e fundit të qeverisë së zotit Rama. Përfaqësuesit e bizneseve flasin për humbje të mëdha, për pengesa administrative, për rreziqe falimentimi, për shkurtime dhe rrudhje të investimeve, për rënie të fuqisë blerëse të konsumatorit, për rritjen e korrupsionit, për pasojat shkatërruese të taksës progresive, ndërkohë që zoti Rama flet për rëndësinë e kuptimit të reformave të tij, për dobinë e shtrëngesave që qeveria e tij u ka sjellë bizneseve, për planet e mëdha që ka në kokë zoti Rama, “për shtetin e premtuar ligjor” etj.

Biznesmenët shohin një perspektivë të zymtë dhe ndihen të rrezikuar nga qeverisja e Ramës, Rama ndihet i fyer që biznesmenët nuk e kuptojnë si duhet perspektivën që u ofron Rama. Biznesmenët thonë po ndodh, Rama thotë do të ndodhë. Është pra një keqkuptim total për ekonominë mes qeverisë që duhet të ketë përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e ekonomisë dhe biznesmenëve, atyre që mbajnë peshën kryesore në zhvillimin e ekonomisë.

Ky keqkuptim u shfaq me tërë shkëlqimin e tij në këtë forum ku përfaqësuesit e biznesit u rrekën t’i shpjegojnë Kryeministrit problemet e shumta që u shkakton qeveria e tij, ndërkohë që Kryeministri u përpoq t’u shpjegojë se ato probleme nuk ekzistojnë, se ata fantazojnë, se ata shohin zymti aty ku është dritë, se ata shohin falimentim aty ku ka sukses. Por përfaqësuesit e biznesit të huaj, që ndihen pak më të guximshëm se përfaqësuesit e biznesit vendës, për shkak se pas tyre ndiejnë mbështetjen e qeverive të vendeve të tyre që mbrojnë me përgjegjësi të madhe çdo biznes të madh apo të vogël në çdo vend të botës, janë të pandreqshëm.

Flasin në këtë forum, kanë folur më parë përmes dhomave të tyre të tregtisë, i kanë dërguar mesazhet deri te përfaqësuesit e tyre diplomatikë dhe ishte kjo arsyeja pse vetëm pak ditë më parë, zv.ambasadori amerikan deklaroi se disa biznese amerikane i kishin dërguar investimet e tyre të destinuara për Shqipërinë në vende të tjera, pikërisht për shkak të atyre problemeve që deklaruan përfaqësuesit e biznesit të huaj në këtë forum.

Madje ata janë aq të pandreqshëm, saqë po dje, pra vetëm një ditë pas qortimeve që u bëri Rama për kritikat e tyre të pavend, përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë i përsëriti edhe një herë, një për një, të gjitha kritikat e kolegëve të tij ndaj Qeverisë. Dhe është shumë e thjeshtë pse ndodh ky keqkuptim mes Kryeministrit tonë dhe përfaqësuesve të bizneseve të huaja dhe vendëse.

Dy palët jetojnë në realitete të ndryshme ekonomike: përfaqësuesit e bizneseve në një realitet ekonomik dekurajues dhe të zymtë, Rama në një realitet ekonomik inkurajues dhe të shkëlqyeshëm. Paradoksi është se të dyja këto realitete i përkasin të njëjtit vend, Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura