RECETAT/ Mjedra, vlerat e frutit që po kultivohet në Shqipëri

Nov 26, 2016 | 14:26
SHPËRNDAJE

Nëse keni qenë të vëmendshëm, me siguri keni parë nëpër tregjet e frutave dhe zarzavateve të shtohet mjedra. Fruti i kuq i athët që, njësoj si luleshtrydhet disa vite më parë, po vjen në tryezat tona. Përveç shijes, vlerat e saj janë të shumta. Ka përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe mbron organizmin e njeriut nga veprimi i dëmshëm i radikaleve të lira. Një tjetër veti e tyre është nxitja e qarkullimit të gjakut dhe pastrimi i enëve e gjakut nga të gjitha llojet e yndyrave.

Mjedra është burim vitaminash, veçanërisht i vitaminës B, përmban një numër të madh mineralesh dhe fibrash. Hulumtimet kanë vërtetuar se mjedra ka veprim antikancerogjen. Antioksidantët parandalojnë veprimet e dëmshme në qeliza të shkaktuara nga oksidimi, për këtë arsye të paktën dy deri tri herë në javë mundësojani vetes mjedrat e shijshme dhe aq të shëndetshme.

565

VLERAT USHQYESE

Me mjedra mund të kënaqni qiellzën pa u ndier në faj se po hani shumë sepse kanë shumë pak kalori. Në pjesën më të madhe të përbërjes kanë ujë, karbohidrate dhe proteina. Ky ushqim rekomandohet edhe te dietat, sepse ngadalëson tretjen dhe jep ndjesinë e ngopjes. Meqenëse janë burim i pasur fibrash veprojnë fuqishëm në funksionimin e rregullt të zorrëve, por kanë edhe efekt të dobishëm në parandalimin e zhvillimit të diabetit tipit 2. Studimet kanë treguar se ushqimet e pasura me fibra kanë rol vendimtar në zvogëlimin e simptomave të inflamacioneve, sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, prandaj do të duhej që në ushqim të përfshijmë sa më shumë konsumimin e fibrave.

Përveç frutit, mjedra mund të përdoret edhe si lëng apo shurup. Gjethet e saj janë gjithashtu të vlefshme për të përgatitur çaj shërues. Janë të mirë për përmirësimin e imunitetit, forcim të zemrës, gjatë ftohjes, sëmundjeve të lëkurës. Për shkak të veçorive shëruese të gjetheve të saj, mjedra konsiderohet bima më e mirë për shtatzëninë. Gjethi i mjedrës është i pasur me kalcium, magnezium, hekur, fosfor, kalium, vitaminë B, C dhe E, përmban edhe alkaloid fragarin, i cili rrit fertilitetin te femrat dhe meshkujt.

Kek me mjedra 

Koha e përgatitjes – 10 minuta Përbërësit për tavë kuadrate 20×20, ose me diametër 24/26 cm të lyer me gjalpë e miell, ose letër furre: 3 vezë 150 g gjalpë i tretur, i ftohtë 150 g sheqer 230 g miell, 1 lugë e vogël sodë për ëmbëlsira (5 g), 250 g manaferra ose mjedra, luleshtrydhe, kajsi, boronica etj.

454587

PËRGATITJA: Ndezim furrën me 180°C. Në një tas përziejmë vezët me rrahësin e vezëve me dorë, shtojmë gjalpin, sheqerin, miellin dhe sodën me sitë. Hedhim brumin në tavë, vëmë sipër boronicat dhe e pjekim për 30/40 minuta, ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh ajo të dalë e pastër.

Reçel mjedre 

PËRBËRËSIT: 1 kg mjedra, Gjysmë kg sheqer, 1 limon

454787

PËRGATITJA: Shpëlani mirë mjedrat dhe kalojini në enën që do të përgatisni reçelin. Shtoni aty sasinë e sheqerit që keni planifikuar. Mbylleni enën dhe lërini të qëndrojnë bashkë për 8 orë. Pas kësaj kohe kalojeni enën në zjarr për të zier rreth 1 orë, por për çdo rast, kontrollojeni ime sy. Herë pas here hiqni shkumën e tepërt që del në sipërfaqe. Kur reçeli të jetë trashur, shtoni lëngun e limonit. Përziejeni mirë dhe shpërndajeni nëpër vazo. Mbyllini mirë dhe përmbysini në mënyrë që të mos marrin ajër. Mund t’i ruani ashtu edhe për 1 vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura