PHD. ROBERT GAJDA
Tashmë që Reforma në Drejtësi nuk qëndron më në mëdyshjen e miratimit, natyrshëm e gjithë vëmendja përqendrohet në mënyrën se si do të zbatohet. Për zbatimin e kësaj reforme ka disa mjete që duhen aktivuar dhe përdorur me tempin dhe ligjshmërinë e duhur. Mjeti i parë, natyrshëm është miratimi nga Kuvendi i të gjitha ligjeve organike që nevojiten për konkretizimin e mëtejshëm të dispozitave kushtetuese, edhe pse në shumë raste këto dispozita janë të detajuara.
Nga ana tjetër, duhet të kuptuar që Kuvendi posedon dhe një mjet tjetër të vlefshëm për zbatimin e kësaj reforme, siç është ai i emërimit të shumë organeve që lidhen me drejtësinë, ndër të tjera edhe përzgjedhja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), të cilët kanë për detyrë të kryejnë skanimin e gjithë trupës gjyqësore, prokurorisë dhe familjarëve të tyre. Impenjimi i organeve kushtetuese në zbatimin e kësaj reforme është gjithëpërfshirës, duke pasur kompetenca Presidenti Republikës, kryetari i Kuvendit, Kuvendi, sekretari i Kuvendit, Qeveria, Avokati i Popullit e deri te trupa gjyqësore, trupa akademike, korpusi i avokatëve etj.
Një mjet dhe organ njëkohësisht, që parashikohet të ketë rol kyç në të gjithë procesin e zbatimit të reformës, por që është edhe një mjet e organ atipik në rendin tonë kushtetues, është edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Roli që luan ky organ në zbatimin e Reformës në Drejtësi kryesisht dhe vazhdimisht është monitorues, nga vetë emri, por ai nuk kufizohet vetëm në vëzhgim. Kështu, ONM mund: t’i japë rekomandime Kuvendit për kandidatët konkurrentë në PKP dhe KPA; mund t’u kërkojë këtyre organeve të marrin prova gjatë shqyrtimit të çështjeve si dhe t’u japë mendime me shkrim; i rekomandon Komisionerit Publik (KP) që të paraqesë ankim lidhur me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; mund të marrin të gjithë informacionin që çmojnë se i duhet.
Pra, siç shihet, jo thjesht një rol pasiv vëzhguesi, por më tepër një rol aktiv nxitësi, përçuesi, aktivuesi. Është një nga mjetet më të rëndësishme për realizimin e reformës, jo vetëm për funksionet qe ka, por edhe për natyrën dhe pozicionin në rendin tonë kushtetues. Natyra e mjetit është ndërkombëtare, pra jo pjesë e sovranitetit tonë kombëtar, më specifikisht BE dhe SHBA. Sipas shtojcës së Kushtetutës sonë, funksionet do t’i kryejë ONM, që do të përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të BE-së dhe amerikanë, që kanë më shumë se 15 vjet eksperiencë gjyqësore në vende përkatëse. Drejtuesi i Operacionit në vetvete, çka presupozon ai, të cilit ONM i jep llogari dhe që mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e aktivitetit të vetë ONM-së, është Komisioni Europian, praktikisht organi më aktiv i BE-së.
Është pikërisht kjo përgjegjësi kaq e madhe që ka Europa, që e kthen garantimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në një sfidë në vetvete. E para, BE kuptoi që ndryshimi duhet bërë thelbësor, material, duke ndërhyrë vetë e jo thjesht formalisht me miratime ligjesh. Që prej kohësh na është thënë, p.sh. në raportet analitike të vetë Komisionit Europian, ose edhe në morinë e çështjeve që qëndrojnë pezull në Gjykatën e Strasburgut, që ligjet i kemi të mira por nuk i zbatojmë ato.
Duke pasur frikën e dështimit të Reformës në Drejtësi, për të cilën BE-ja dhe SHBA-të u investuan kaq shumë dhe në mënyrë direkte, u preferua që të ndiqej aktivisht edhe ne procesin e zbatimit, nëpërmjet ONM-së. Pozitiv ishte dhe mesazhi i heqjes së të gjitha modifikimeve qe preknin preambulën, gjë absurde, dhe pjesën e parimeve themelore të Kushtetutës. BE e kuptoi që problemi i reformës nuk qëndronte aty por në zbatimin konkret të saj, prandaj nuk nguli këmbë në parodinë e konstitucionalizimit të BE-së në një shtet jo anëtar të saj.
Ky aktivizëm sjell jo vetëm mbikëqyrje të gjithëpushtetshme, por edhe përgjegjësi të madhe për vetë BE-në. Kjo pasi, siç është evidente, thelbësore në këtë proces është pikërisht përzgjedhja e anëtarëve të ONMsë.
Shtojca e Kushtetutës sonë vendos disa kritere minimale: së pari, duhet të jenë nga BE-ja dhe SHBA-të; së dyti, duhet të jenë gjyqtarë dhe prokurorë; së treti, duhet të kenë një eksperiencë pune më shumë se 15 vjet. Me këto kritere bazë, përfshirja është shumë ë gjerë. Mendoj se pikërisht kjo është sfida e BEsë në këtë proces kushtetues shqiptar, përzgjedhja e anëtarëve të ONM-së, të cilët në këtë proces do të përfaqësojnë direkt BEnë dhe SHBA-të. Por si mund të bëhet kjo përzgjedhje?
Fillimisht, anëtarët e ONM-së duhet të jenë krejtësisht të pastër në aspektin e integritetit moral dhe profesional, asnjë hije, asnjë mëdyshje nuk duhet të qëndrojë mbi to.
Së dyti, e mirë e punës e kërkon që këto anëtarë të vijnë nga sistemet gjyqësore të vendeve europiane me traditë të gjatë në kuptimin dhe implementimin e shtetit të së drejtës. Prandaj, do të ishte e udhës që të vinin nga SHBA-të dhe vendeve të BE-së tashmë të njohura e konsoliduara për traditën e tyre ligjore.
Së treti, do të ishte e këshillueshme që anëtarët që do të zgjidheshin të kishin një lidhje apo informacion, ose njohuri për Shqipërinë, por nga ana tjetër duhen përjashtuar kategorikisht ato aktorë të BE-ja dhe SHBA-të që kanë qenë aktivë deri tani në Shqipëri. Me pak fjalë, anëtarët e ONM-së duhen marrë nga larg, por që e kanë ndier Shqipërinë pranë.
Së katërti, këto individë duhet të kryejnë një punë objektivisht korrekte, në mënyrë që të realizojnë sa më drejtë dhe dukshëm misionin e tyre. Çdo veprim jo korrekt, i dukshëm i padrejtë, apo i errët do të minonte krejtësisht Reformën në Drejtësi. Nuk ekzagjeroj aspak kur them “minonte”, pasi këtu është e gjithë çështja te besimi që populli shqiptar ka te të huajt dhe organizmat ndërkombëtare. Kjo sfidë për BE-në mbështetet pikërisht te besimi. Një popull i tërë ndihet i sigurt për një gjykim më të mirë, objektiv dhe mbi të gjitha të paanshëm të ONM-së.
BE-ja nuk ka vështirësinë të fitojë besimin e popullit shqiptar, ajo e ka atë. Sfida është ta shpërblejë këtë besim në mënyrën e duhur dhe brenda pritshmërive. Duhet thënë se këto të fundit nuk janë të pakta. Por, këtu luhet diçka më e madhe që i kalon aspektet e vogla momentale dhe qëndron fataliste në vazhdimësinë ekzistenciale të popullit tonë. Në fakt, nëse ky besim kaq i madh që i kemi dhënë BE-së dhe SHBA-ve në njëfarë mënyre do të tradhtohej dhe Reforma në Drejtësi, ose për shkak të një ONMje jo me integritet, ose për paaftësinë e ONMsë do të realizohej shumë keq, atëherë BE-ja dhe SHBA-të do të humbnin besimin e gjithë popullit shqiptar.
Dikush mund të buzëqeshë dhe mund të mos i duket një humbje e madhe, por në të vërtetë është një humbje e ndërsjellë, kuptohet që ajo për popullin shqiptar është më e madhe. Me humbjen e besimit në Europë dhe SHBA, Shqipëria do të kthehej në një vend të pashpresë, pasi atë besim që forcat politike shqiptare për 25 vjet e kanë tradhtuar e përdhunuar, tashmë nuk mund ta gjejnë as atje ku duan të shkojnë… drejt Europës. Kjo do të ishte një tragjedi për ne, sepse përfundimisht ne nuk do të kemi institucione të pavarura dhe të paanshme që kujdesen ekskluzivisht për interesin publik. Pikërisht kjo humbje besimi dhe shprese që Shqipëria tashmë i ka në BE dhe SHBA, nuk përbën aspekt pozitiv për këta, pasi vendi ynë do të shikonte gjetkë për “vëllezër të mëdhenj” më të besueshëm, ose më të gatshëm e të zellshëm për të na “ndihmuar”.
Prandaj, dhe ekzistencialisht populli ynë do të pësonte një traumë, sepse do të mbetej pa pika referimi, pa besim, pa shpresë, duke bërë që të gjejë ngushëllim në pika tjera me vlera e parime të tjera. Detyra që sot BE-ja dhe SHBA-të kanë marrë përsipër është e rëndësishme, është e domosdoshme, është vitale, por ato nuk duhet të harrojnë që dhe vetë janë në një provë besimi përballë popullit shqiptar, i cili nuk është një besim politik, por një besim moral, njerë- zor dhe shpirtëror.
*Lektor i së Drejtës Publike dhe Kushtetuese në Universitetin e Elbasanit. Doktor i shkencave në Drejtësi Kushtetuese dhe të Drejtat e Njeriut. Universiteti i Pizës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al