Braho: Pakt me PD për Reformën në Drejtësi, dënimi i Zyhdi Dajtit, përshtypje jo e mirë

Aug 4, 2015 | 10:06
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit të Sigurisë dhe anëtar i Komisionit të posaçëm për reformën në Drejtësi, Spartak Braho, kërkon konsensus me opozitën për miratimin e saj. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Braho shprehet se konsensusi duhet të arrihet me çdo çmim, ndërsa u kërkon demokratëve të mos braktisin edhe këtë reformë si reformën administrative.

braho
Për Brahon, ndryshimet në Kushtetutë, që do të kërkojë kjo reformë, duhet të fillojnë me ndreqjen e gabimeve të bëra nga PS dhe PD në 2008, duke cenuar balancat mes pushteteve.

Ju jeni njohës i vjetër i problemeve të drejtësisë, si dhe pjesëmarrës në disa reforma që ka iniciuar Kuvendi i Shqipërisë. Si e vlerësoni Reformën në sistemin e drejtësisë, për të cilën është ngritur një komision i posaçëm pozitëopozitë?

Realisht, por dhe fatmirësisht, i ra “shorti” maxhorancës së majtë që erdhi në drejtim të shtetit para dy vjetësh të marrë iniciativën, të nxisë e të vihet në krye, jo vetëm të idesë, por dhe të udhëheqë Reformën në sistemin e drejtësisë. Me të drejtë këtë Reformë maxhoranca e ka vlerësuar si mision të domosdoshëm dhe historik. Është fjala që shtetit t’i zëvendësohet një nga shtyllat e tij kryesore tashmë të atrofizuara e pothuajse të kalbura. Pasi po për këtë shkak dhe arsye, shteti është gati të rrokulliset në anarki, pasi çështja e funksionimit të shtetit ligjor, e zbatimit të ligjit vitet e fundit ka marrë përmasat e një plasaritjeje për vetë funksionimin e tij. Këtë dukuri e tërë shoqëria shqiptare, politika dhe institucionet ligjbërëse e ligjzbatuese e kanë pranuar me fjalë si një emergjencë që duhet ndryshuar dhe reformuar. Çështja është që tani ka ardhur koha të veprohet. Me të drejtë këtë e kërkojnë edhe partnerët e institucionet ndërkombëtare.

Flitet për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë ku përfshihen vetë organet e drejtësisë. Si mendoni se do të zhvillohet kjo Reformë?
Pa dyshim që nuk është e njëjta gjë, pavarësisht se në nivele të ndryshme nuk kuptohet saktë e konfondohen këto dy nocione. Reforma në sistemin e drejtësisë është tërësi ndryshimesh konceptuale, të cilat mbajnë në këmbë shtyllat mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon sistemi i drejtësisë. Pra, ky sistem, si të thuash, është kolona e madhe që derivon e kushtëzon edhe organizimin e sistemit të organeve të drejtësisë. Pa dyshim, kur themi për reformë në sistemin e drejtësisë, kemi parasysh edhe reformimin e asaj pjese të saj dhe të atyre organeve që emetohen si organe të drejtësisë, në të cilat përfshihet sistemi i gjykatave. Janë vetëm ato që në emër të shtetit japin drejtësi. Kudo në të gjithë botën misioni i gjykatave për të dhënë drejtësi është pranuar si unikal dhe atribut i padiskutueshëm. Jurisprudenca si shkencë e ligjit e ka të përcaktuar se asnjë organ tjetër shtetëror përveç gjykatave nuk mund të pretendojë se jep drejtësi. Ndaj, për këtë arsye, ajo konsiderohet pushtet më vete, që funksionon e pandikuar dhe në pavarësi të plotë. Pra, kryerja e reformave në sistemin e drejtësisë dhe në organet e drejtësisë është thelbi i vendimit të paradokohshëm të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka ngarkuar për ta realizuar këtë “mision historik” një Komision të Posaçëm pozitë-opozitë. Në këtë proces reformimi janë angazhuar njëkohësisht, tashmë secila sipas mënyrës së saj, edhe trupa politike, vetë partitë dhe strukturat e tyre parlamentare, ku përfshihet maxhoranca dhe opozita, duke përfshirë këtu institucionet ndërkombëtare, ekspertët profesionistë të tyre. Kjo përfshirje totale i ka dhënë reformës kuptimin e një aksioni politik kombëtar, por jo vetëm. Ky aksion është sa institucional, aq edhe shkencor e organizativ. Këtë modulim, projekt apo synim e kanë shprehur edhe drejtuesit e koalicionit qeveritar. Rama e ka konsideruar aksionin për Reformim të sistemit të drejtësisë një aksion që s’ka kthim mbrapa, ndërsa Meta e ka konsideruar atë si një aksion me vlera historike për vendin. Por duket deri tani se jo me të njëjtën rezonancë e angazhim përfshihet opozita. Ish-kryeministri Berisha nuk ka artikuluar ende qëndrime me vlerë e të prera për domosdoshmërinë e Reformës. Ndërkohë, për motive të pakuptueshme, bën thirrje për revolucion demokratik! Ndërsa kryetari i opozitës, zoti Basha, belbëzon e sa mezi iu mbush mendja të përfshihet, por jo me shumë vendosmëri si pjesëmarrës në Komisionin e posaçëm parlamentar të Reformës. Largimi i papritur dhe i pamotivuar ditët e fundit nga mbledhja e parë ku ata “inauguruan” pjesëmarrjen në procesin e punës së komisionit, dëshmon mëdyshjen dhe pavendosmërinë e tyre.

Si e shikoni vazhdimësinë e Reformës në sistemin e drejtësisë, kur ajo, në momentin që flasim, ka shfaqje pasigurie?
Personalisht nuk besoj dhe s’jam i bindur se bojkoti i opozitës, apo largimi i saj nga komisioni i posaçëm është qëndrim përfundimtar që do të çojë në dështimin e procesit. Kjo do të ishte katastrofale jo vetëm për të, por edhe për vendin. Ndërkohë që Komisioni dhe strukturat e ngritura prej tij, ekspertët vendas e të huaj kanë bërë një punë të lavdërueshme paraprake që lidhet me përcaktimin dhe modelimin e skeletit të Reformës, rrugët që do të ndiqen e çka mendohet për ndërhyrje për ndryshimet e mundshme në ligjin themelor, siç është Kushtetuta dhe ligjet e tjera të organizimit e funksionimit të organeve të drejtësisë.

Pra, ju e konsideroni të përkohshëm largimin e opozitës nga komisioni?
Besoj se po. Ajo ka pretendimet e saj për zhvillimin e procesit. Ka kërkuar një lloj rivlerësimi të procesit të ndjekur deri tani për periudhën që ajo s’ka qenë e përfshirë. Nuk ka ndonjë arsye serioze për të mos e marrë në konsideratë këtë pretendim. Së dyti, kam bindjen se bllokimi i procesit të Reformës tashmë e krahasuar, e ballafaquar edhe me bojkotin në procese të tjera të mëparshme, siç ishte ai i Reformës Territoriale Administrative, si budallallëk politik e i padobishëm e ridënon atë edhe në angazhimin konkret për të jetësuar opsionet e saj në reformimin e sistemit të drejtësisë. Nuk besoj se do të ripërsëritet ky gabim i rëndë që të kujton edhe bojkotin e ndërmarrë nga Berisha në vitin 1998, në procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës, të cilën ai tentoi ta rrëzonte, por dështoi. Tashmë ai vetë e konsideron këtë bojkot një histori dështimi, pasi kjo Kushtetutë ka gati njëzet vjet që funksionon, edhe pse u bojkotua nga opozita e atëhershme. Pa u zgjatur në këto hamendësime, që “do vijë apo s’do vijë opozita”, “do jetë apo s’do jetë ajo pjesëmarrëse”, mendoj se politika shqiptare, edhe me pjekurinë e saj ende të paarrirë, do të ecë drejt prirjeve pozitive. E kam këtë bindje se vetë brenda PD-së ekziston prezenca e forcave të përgjegjshme që do ta shtyjë përpara mendimin dhe vendimin për t’u rifutur në proces. Tashmë ajo ka të qartë se asgjë s’fitohet me bojkot, sepse edhe thesi i kapitalit të saj politik përballë opinionit të brendshëm e të jashtëm, përballë bojkotit, do të mbetet i zbrazët e akoma do të zbrazet më tej në të ardhmen. Dhe këtë llogari opozita e vetë Basha besoj do ta bëjnë mirë për ta drejtuar në kahun racional.

Çfarë duhet korrigjuar në qëndrimet e palëve që Reforma të ecë, e të mos bllokohet? Ndërkohë që ju kërkoni mendime nga unë, unë vetë jam anëtar i komisionit të Reformës që përfaqëson trupën e maxhorancës në këtë komision. Jam njohur dhe kam shprehur mbështetjen deri tani për të gjitha qëndrimet, projektet, dokumentacionin, aktivitetet e zhvilluara njohëse që specialistët, ekspertët e angazhuar kanë paraqitur paraprakisht në komision për t’u njohur dhe shqyrtuar, ku më kryesori mbetet dokumenti i Strategjisë së Reformës në Sistemin e Drejtësisë. Madje m’u duk shumë i dobishëm dhe nxitës mesazhi nga takimi i para disa ditëve të të gjithë anëtarëve të komisionit, pozitë-opozitë, i përcjellë nga ambasadorët Lu dhe Vlautin në këtë takim. Shumë mbresëlënëse në këtë takim në rezidencën e Ambasadës Amerikane ishin dhe fjalët përshëndetëse të kolegut Halimi, pasi dëshmoi për një qëndrim dhe vizion të saktë. Përmenda faktin e mësipërm për të theksuar besimin që kam se Reforma do të ecë në rrugën e duhur e të kërkuar.

Cili është qëndrimi juaj si politikan, por dhe jurist për reformën në drejtësi?
Në përgjigje të pyetjes suaj dua të shpreh 2-3 mendime personale, jo vetëm si jurist, por dhe si deputet e politikan. Çështja e parë që shtroj e dua të vë në dukje është se për të kryer Reformën, domosdoshmërisht na nevojitet konsensus pozitë- opozitë. Kjo është traseja ku duhet të ecim. Nuk mund të mendohet kryerja e reformës pa konsensus. Ndryshe ajo nuk është as e besueshme dhe as afatgjatë. Po nëse opozita, përsëri do të pyesni, nuk e do dhe nuk e pranon konsensusin, siç mund të ndodhë, si do të bëhet? Ka vetëm një rrugë. Me çdo çmim duhet ta arrijmë atë. Nga konsensusi do të shkojmë tek objektivi për të marrë produktin. Pasi përplasjet, qëndrimi në llogore dhe lufta politike e të dyja palëve pjellin vetëm stanjacion dhe shterpësi.

Reforma në drejtësi do të prekë medoemos ndërhyrjen në Kushtetutë?
Këtu dua të dal. Së dyti, duhet të bien dakord pozitëopozitë që “ta kapin, siç thuhet, demin nga brirët”, që do të thotë se përpara se të vendosim, ndryshimet dhe korrigjimet e opsionet për ligjet që organizojnë funksionimin e organeve të drejtësisë, KLD-në, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë etj., të përcaktojmë e të paraprijmë me opsione për ndryshimin e Ligjit themelor, Kushtetutës, në të cilën janë të parashikuara këto organe. Pra, nga Kushtetuta të shkojmë më poshtë te ligjet e tjera dhe jo anasjelltas. Kjo dakordësi është sa me vlerë konceptuale e në përmbajtje, por edhe më praktike dhe e dobishme. Së treti, mendoj se jo vetëm si shenjë reflektimi pozitiv të PS-së dhe PD-së, ndryshimet e projektuara në Kushtetutë duhet të fillojnë me ndreqjen e gabimit të rëndë e masakrimit që iu bë asaj nga këto parti në vitin 2008, ndryshime të cilat cenuan rëndë e dobësuan njëkohësisht institucionet e pavarura të drejtësisë. Kam përshtypjen tashmë se në këtë pjesë të ndryshimeve të kushtetutës PS-ja dhe PD-ja, vetë liderët e tyre e kanë pranuar gabimin. Ndryshimet e tjera të kushtetutës njëkohësisht tashmë jo vetëm nga opinioni i gjerë shoqëror dhe politik, vetë institucionet ligjzbatuese, por dhe sugjerimet e dhëna nga ekspertët e huaj, janë pranuar në përgjithësi si nevojë që ka ardhur koha e janë pjekur kushtet që ajo të ndryshojë. Së katërti, duhet të biem dakord me opozitën qoftë edhe kur ajo “gabon” e politizon procesin, që të prevalojë e të jetë vendimtare në këtë proces ndryshimesh, propozimet, mendimet e sugjerimet e ekspertëve profesionistë të të dyja palëve, si dhe të ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Frazeologjia politike e veshur me petk “profesional” e deputetëve anëtarë të komisionit që karikohen në zyrat e partive përkatëse, e dëmton e i duhet dhënë fund. Së pesti, ne duhet të merremi vesh me opozitën për modelin që duhet të ndjekë e të implementojë Reforma në sistemin e drejtësisë. Më shumë sesa modelet e servirura nga politika e për interes të politikës, siç vihet re tani, modeli i sistemit të drejtësisë shqiptare duhet të synojë, të garantojë sa më shumë eficencë, pavarësi dhe europianizëm, për të mos përsëritur dështimet e deritanishme. Po kemi edhe deklarata të tilla nga ana e Kryeministrit, sipas të cilave reforma do të realizohet edhe pa praninë e opozitës…? Ne duhet të gjejmë gjuhën me opozitën për kohën e fillimit dhe përfundimit të Reformës. Slogani “do ta bëjmë edhe pa ju” nuk të çon gjëkundi, pasi jo vetëm përjashton konsensusin ku duhet të ecim, por praktikisht të jep edhe mundësi për të nxjerrë produktin e nevojshëm. Nuk bëhet dhe nuk realizohet reforma “edhe pa ju” edhe për faktin e thjeshtë se nevojiten 93 vota e më pas 84 vota për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve organike, por edhe se më shumë se logjika e numrave, ka rëndësi konsensusi për t’i realizuar ndryshimet dhe Reformën. Koha dhe shpejtësia për të kryer Reformën e Madhe, për të cilën ka nevojë imediate shteti shqiptar, është domosdoshmëri, por jo kushti e qëllimi kryesor. Qëllimi kryesor i Reformës është garancia se sistemi i drejtësisë dhe organet që ai do të ndërtojë, do të jenë vetëm në shërbim të zbatimit të ligjit dhe interesave të ligjshme të qytetarëve. Ndërkohë ky reformim gjithëpërfshirës dhe i implementuar me vendosmëri do të garantojë funksionimin në të gjitha parametrat të shtetit ligjor e të së drejtës, duke u dhënë njëherë e mirë fund veprimeve arbitrare e korrupsionit të organeve ligjzbatuese, e sidomos të trupës së gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, juristëve, policëve etj. Me këtë rast dua të përmend një shembull të ditëve të fundit që më ka lënë përshtypje jo të mirë. Precedenti i dënimit të ish-drejtorit të INUK-ut, Zyhdi Dajti, për mua është njeri i nderuar, i cili u dënua për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare, pasi zbatoi urdhrat e paligjshëm e arbitrarë të dhënë nga lart nuk duhet të përsëritet. Nuk është përgjegjësia vetëm e Zyhdi Dajtit zbatimi i urdhrave të konsideruar të paligjshëm, pasi kjo përgjegjësi duhet të shkojë deri tek arbitrariteti i ministrit apo titullarit që e ka dhënë urdhrin. Kjo është një sjellje që duhet të marrë fund njëherë e mirë. Zbatimi vetëm i ligjit dhe shteti ligjor është tjetër gjë, ndërsa urdhrat arbitrarë të imponuar me logjikën se “shteti jam unë” për interesa të çastit, siç ndodh në ndonjë rast me veprimet e policisë së shtetit, janë tjetër gjë. Ato nuk ndikojnë e ndihmojnë për mirë, por dobësojnë shtetin ligjor e i vënë minat ligjshmërisë dhe vetë shtetit. E thashë këtë, pasi ky është edhe vetë synimi i Reformës që ajo kërkon të arrijë.

Aristir Lumezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura