Reforma në skemën kontributive, flet ekspertja e ekonomisë, Nunaj: Si mund të rritet masa e pensionit bazuar në dy grupimet e të moshuarve dhe në formulën e përllogaritjes

Jun 24, 2024 | 9:48
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Qeveria shqiptare, së bashku me Bankën Botërore dhe grupe të interesit të ndryshëm, aktualisht po analizojnë aspektet që duhet të ndryshojnë në skemën e pensioneve në Shqipëri.

Pensioniste-3-972-scaled-1

Këto ndryshime synojnë të finalizohen deri në fund të vitit dhe përfshijnë disa rregullime, si zvogëlimin e viteve të kërkuara të kontributeve për pensionet e plota dhe minimum, uljen e normave të kontributeve dhe rishikimin e indeksimit të pensioneve për të përfituar ata me pensione më të ulëta. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, tregon se si mund të korrigjohen gabimet e skemës kontributive të 2014-ës. Ajo më tej ka shtuar se cili grupim pensionistësh mund të përfitojë rritje të masës së pensionit nga reforma që pritet të zbardhet në fund të këtij viti.

Teuta Nunaj
Teuta Nunaj

Prej disa muajsh qeveria me asistencën e Bankës Botërore është duke parë aspektet, të cilat duhet të korrigjohen ne skemën e pensioneve. Cilat janë drejtimet ku parashikohet të bëhet ndërhyrja në skemën e pensioneve?

Aktualisht, prej gati një dekade nga hyrja në fuqi e reformës së re të pensioneve në Shqipëri të dhënat demografike dhe ekonomike kanë ndryshuar me ritme të shpejta, edhe përtej parashikimeve më optimiste. Emigracioni në nivele të larta e ka tkurrur fuqinë punëtore, krizat ekonomike dhe ndryshimet e tregut ushtrojnë ndikim të vazhdueshëm në skemën e pensioneve, plakja e popullatës dhe informaliteti vijon ende të mbetet një gangrenë për këtë skemë dhe jo vetëm.

Problemet më të mëdha dhe ende të pa zgjidhura nga Reforma e 2014-s mbeten tri: raporti i ulët kontribuues/pensionist, varësia e lartë e skemës së pensioneve nga suvencionet buxhetore dhe pensionet e ulëta që po shoqërohen edhe me rritjen gjithnjë e më shumë të pensioneve të pjesshme. Ndaj, edhe ndërhyrjet në skemë synohen të bëhen pikërisht në këto drejtime: rritjen e kontributeve direkte përmes derdhjes së kontributeve shoqërore, respektimi i drejtësisë në sistemin e pensioneve që do të çonte edhe rritjen e harmonisë mes brezave, rritja e vlerës së pensioneve, qëndrueshmëria e skemës për një periudhë afatgjatë.

Si mund të korrigjohen gabimet e skemës së 2014- ës, në mënyrë që të garantohet qëndrueshmëri afatgjatë financiare?

Kur flitet për të ardhmen, ajo mbetet gjithnjë e paditur, ndaj përllogaritjet bëhen në nivele parashikimi dhe gjithë puna konsiston që analiza të jetë sa më pranë realitetit. Më shumë sesa gabimet e reformës së vitit 2014, do t’i quaja mosrealizmet e reformës 2014, që sjell aktualisht nevojën për një reformim të skemës, ndoshta edhe më shpejt sesa parashikimi.

Që skema e pensioneve të ketë qëndrueshmëri financiare afatgjatë është e nevojshme që të kemi së pari një përmirësim të bilancit të hyrjeve dhe daljeve, dmth., të ardhurat që mblidhen për skemën e pensioneve të mbulojnë zërin e shpenzimeve që përdoren për të paguar të gjitha pensionet dhe së dyti rritja e numrit të kontribuuesve. Raporti kontribute direkte/shpenzime pensioni së bashku me raportin kontribuues/pensionist janë themeltar për një qëndrueshmëri afatgjatë të skemës së pensioneve.

A parashikon kjo reformë uljen e viteve me kontribute?

Jemi ende herët për të mbërritur në parashikimet konkrete të reformës së re, të cilat do të publikohen në fund të këtij viti. Aktualisht në Shqipëri si kudo në botë ka një rritje të jetëgjatësisë dhe moshës së gëzimit të pensionit; ligji në fuqi për pensionet ka të parashikuar rritje graduale e të vazhdueshme të viteve kontributive si për burrat dhe për gratë, për të mbërritur më 31.12.2056 që gratë, njësoj si edhe burrat dalin në pension me 40 vite kontribute. Ndaj, gjykoj se për këto dy arsye bazë e të tjera, nuk do të ketë ulje të viteve kontributive.

A mund të ketë rritje të masës së pensionit?

Kemi dy grupe pensionistësh, ata aktualët dhe ata të rinjtë që do të dalin pas hyrjes në fuqi të reformës së re të pensioneve. Rritja e masës së pensionit për grupin e dytë mund të realizohet nëse do të kemi ndryshim të formulës së përllogaritjes së pensioneve në favor të një përqindje pensioni më të lartë. Ndërsa për pensionistët aktual rritja e masës së pensionit mund të realizohet edhe përmes një pensioni të 13-të.

A parashikon reforma zhvillimin e skemave private për të ofruar stimuj për të vetëpunësuarit?

Sistemi aktual i pensioneve në Shqipëri është me dy kolona, përfshirja e një kolone të tretë për pensionet private të detyrueshme do të ishte një ndihmesë për mundësinë e një alternative për pension plus e më të lartë për të gjithë pensionistët e përfshirë në skemën e pensioneve private, që njihet në literaturë si kolona e dytë. Është një alternativë që duhet të merret në analizë e mbetet për t’u parë mundësia e realizimit të saj.

Si mund të aplikohet kontributi nga ana e qeverisë për rritjen e pensioneve të ulëta? Si mund të realizohet mbështetja?

Mbështetja për pensionistët mund të realizohet përmes miratimit të minimumit jetik, gjë e cila do të mundësonte që të mos kishim pensione nën këtë vlerë. Është e vërtetë që kjo do të rriste kostot buxhetore në mbështetje të skemës së pensioneve, por do t’i ndihmonte pensionistët që të bënin një jetë më dinjitoze. Nga ana tjetër, edhe vetë qytetarët do të duhet të ndihmojnë vetveten, përmes ndërgjegjësimit për pagimin e kontributeve shoqërore, të mos i neglizhojnë dhe t’u kërkojnë edhe punëdhënësve deklarimin e pagës për derdhje të plota të sigurimeve shoqërore.

A do të ndryshojë mosha e daljes në pension?

Ligji aktual parashikon një rritje graduale edhe të moshës për dalje në pension krahas rritjes së viteve kontributive dhe brenda 31.12.2056 si gratë edhe burrat do të dalin në pension 67 vjeç. Nuk besoj se reforma e re do të bëjë ndryshime në këtë zë.

Sa duhet të vendoset pragu për pensionet në mënyrë që të moshuarit të kenë mundësi të përballojnë jetesën?

Nëse do të ketë një prag ose një pension minimal, ai detyrimisht do të duhet të jetë i lidhur me vlerën e minimumit jetik.

Cilat janë pikat që duhet të rishikohen në një perspektivë më të largët?

Problemet e pazgjidhura nga Reforma e vitit 2014 që do të duhet të marrin vëmendje e të adresohen për zgjidhje janë: përmirësimi i normës së varësisë që shprehet përmes raportit kontribuues/pensionistë; shkalla e mbulimit të kontribuuesve për pension në krahasim me forcat e punës, pasi një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve në Shqipëri nuk janë të përfshirë në skemën e pensioneve; ulja e subvencionit nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve; rritja e kontribuuesve në zonat rurale, ndryshimi i vlerësimit të masës së pensionit përmes mundësisë për pensione më të larta; nxitja e uljes së informalitetit, rritja e pensioneve aktuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura