MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike dhe aleatët pritet që të prezantojnë shumë shpejt propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje grupin e punës për çështjen e Reformës Zgjedhore, e cila është shpallur një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike dhe opozitës.
Burime të besueshme nga mbledhja e kreut të opozitës me përfaqësuesit demokratë të grupit të punës bënë të ditur se pritet që së shpejti Partia Demokratike të bëjë publike propozimet e veta për Reformën Zgjedhore, që do t’i hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik.
Nga ana tjetër, burimet shtuan se duke prezantuar propozimet konkrete, Partia Demokratike synon veç të tjerash të nxjerrë në pah edhe angazhimin e opozitës përballë mungesës së vullnetit të Edi Ramës, për të miratuar me konsensus një Reformë Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Përpos diskutimeve për alternativën e tyre, mësohet se kryedemokrati Basha akuzoi Kryeministrin Rama se përmes shtyrjes me 3 muaj të gjendjes së jashtëzakonshme ka penguar Reformën Zgjedhore dhe zbatimin e saj siç e kërkon Bundestagu, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë.
FINANCIMI I PARTIVE
Grupi i punës së opozitës së bashkuar për Reformën Zgjedhore duket se i ka mbyllur të gjithë kapitujt, përveç çështjes së financimit të partive. Burime të sigurta pohuan për gazetën “Panorama” se në kampin opozitar ka dy propozime sa i përket financimit të partive. Partia më e madhe opozitare, PD-ja, kërkon që financimi i partive të jetë 100% nga shteti. Sipas selisë blu, kjo formulë heq varësinë e partive nga oligarkët dhe kriminelët. Ndërkohë, më shumë se një nga partitë aleate të PD-së kërkojnë që të ketë një formulë mikse. Financimi i partive të bëhet nga shteti dhe privati, por të caktohet një kuotë tavan se sa mund të financohet nga privati. Është pikërisht kjo pikë që po diskutohet deri në momentet e fundit.
SISTEMI ZGJEDHOR
Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk do të jetë objekt diskutimi në Kodin e ri Elektoral. Aleatët e vegjël të opozitës duket se tashmë nuk e kanë më një parakusht për kryedemokratin Lulzim Basha.
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në një pronon cim për gazetën “Panorama” u shpreh se ndryshimi i sistemit zgjedhor është lënë që të diskutohet në një moment të dytë.
“Pjesa e sistemit do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë politik dhe jopolitik në Shqipëri. Nuk duhet të jetë një produkt i një pazari midis dy partive të mëdha. Është shumë e rëndësishme që opozita është e hapur për përmirësimin e sistemit, por jo sot për shkak se po përgatitet një Kod Zgjedhor për zgjedhjet lokale. Logjika politike e do që sistemi të diskutohet në një moment të dytë, për shkak se kriza politike, morale dhe ekonomike është shumë e madhe.
Konsensusi nuk ka ekzistuar. Sistemi nuk mund të ndryshojë brenda nate. Ka sisteme të mira dhe rezultative, por nëse tentojmë sisteme pa i diskutuar, ne do të bëjmë të njëjtin gabim si në 2008”, tha Nard Ndoka. Në të njëjtën linjë është edhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Sipas tij, sistemi zgjedhor zë një pjesë të rëndësishme të debatit brenda opozitës, por nuk duhet fajësuar sistemi, pasi problemin e sheh te Kryeministri.
“Kjo është sigurisht pjesa që gëzon më shumë vëmendje, ndoshta sepse është ngritur një frymë që fajëson më shumë sistemin sesa individin. Diçka që në opinionin tim rrezikon të relativizojë përgjegjësitë e Kryeministrit apo politikanëve të caktuar. Sidoqoftë, brenda opozitës është duke u debatuar mbi këtë çështje, e cila do të marrë një përgjigje brenda këtij muaji”, tha Duka. Të dy aleatët e kryedemokratit Basha, si Agron Duka ashtu edhe Nard Ndoka, u shprehën se nëse ekziston vullneti politik, edhe Kodi aktual Zgjedhor mund të ofrojë zgjedhje me standarde.
“Zgjedhjet nuk janë minuar nga Kodi. Kodi Zgjedhor dëmton partitë e vogla. Por mungon vullneti politik për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sido që të jetë Kodi Zgjedhor, nëse nuk ka një vullnet politik, nuk kemi për të pasur zgjedhje të ndershme”, pohoi Nard Ndoka. Ndërsa sipas Dukës, nëse do ishin marrë parasysh rekomandimet e OSBE-së, Kodi aktual do të ishte i mjaftueshëm.
“Nëse ne si klasë politike do të kishim përvetësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013, situata do të ishte shumë ndryshe. Mungesa e vullnetit politik për t’u dhënë zgjidhje problemeve zgjedhore, ka bërë që besimi te zgjedhjet të jetë përherë e më i cunguar. Nga kjo pikëpamje, besoj që nëse do të kishte vullnet politik, Kodi aktual do të ishte i mjaftueshëm, mjafton respektimi i tij”, deklaroi Duka.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al