Rektorja Arta Musaraj: Femrat s’kanë nevojë për mëshirën e kuotave në Parlament!

Oct 16, 2011 | 13:50
SHPËRNDAJE

Nuk kanë kaluar shumë kur ajo u vendos në fokusin e mediave. Mbrojti emrin e universitetit “Ismail Qemali”, duke sakrifikuar postin e dekanes. Sot është rektore e universitetit “Pavarësia”. Arta Musaraj është qytetarja model, që gjithkush do kishte dashur ta njihte. Këto ditë ajo do të jetë e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani në Samitin e Romës për shoqërinë likuide

Në përpëlitjet e krizës globale, ku ekspertë e analistë të mirënjohur botërorë kanë marrë iniciativën e gjetjes së çelësit të zgjidhjes, në datën 20 tetor, në Romë mbahet Samiti Ndërkombëtar i Komunikimit. E vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani është prof. Arta Musaraj, rektore e universitetit “Pavarësia” të Vlorës. Arta Musaraj sot është e para dhe e vetmja grua rektore në një universitet shqiptar, ndoshta në të gjithë historinë e arsimit universitar shqiptar. Në auditorët e Universitetit që ajo drejton, edhe pse e ngarkuar me fillimin e vitit të ri akademik, me thjeshtësi ndan me lexuesit pjesë nga jeta e saj.

Në Vlorë ju konsiderojnë si një “grua të fuqishme”, e ndieni veten të tillë?
Buzagaz, duke ngritur pak supet, përgjigjet: “E fuqishme si?! Në ç’kuptim?!
Jeni e vetmja grua që drejtoni një universitet, jeni anëtare e Këshillit Bashkiak të Vlorës, vini nga një familje historikisht e kamur dhe aktivisht e përfshirë në lëvizjet kyçe të historisë së vendit tonë….
Meqenëse ju mendoni se të qenit rektor të bën të fuqishëm, duhet të biem dakord se çfarë kuptimi do t’i japim fjalës fuqi. Universitetet përfaqësojnë majën e piramidës që formon individin dhe shoqërinë. Asnjëherë nuk mund të kufizohet apo minimizohet misioni dhe domethënia e universiteteve sot në vende, të cilat japin disa njohuri teknike e profesionale apo thjesht sigurojnë disa katapulta për individin më vonë. Janë dhe duhet të jenë vendet ku kultivohen vlerat, ku individi formon dhe strukturon jo vetëm mënyrën e tij të të menduarit dhe të vepruarit, por që gdhend konstitucionin shpirtëror të tij dhe që më shumë mund të ndikojnë në atë se çfarë qeniesh njerëzore jemi dhe do të jemi. Në këta 16 vjet, me kontributin tim në arsimin e lartë shqiptar duket se e kam realizuar këtë lloj mendësie e misioni dhe, vetëm në këtë mënyrë ndihem e lumtur. Për sa i përket përfshirjes së re, të drejtpërdrejtë, në Këshillin Bashkiak të Vlorës, kjo nuk më bën të ndihem një grua e fuqishme, por shumë e përgjegjshme. Më këtë kuptoj një tërësi pritshmërish nga ana e bashkëqytetarëve të mi për të mbajtur qëndrime koherente me interesat e tyre, me vlerat e mia personale, me qëndrimet e mia publike për çështje të mprehta sociale të mbajtura më parë me një atribut më shumë, që është ai i çuarjes të zërit të ekspertëve dhe botës akademike vlonjate në vendimmarrje e problemzgjidhje.
Ç’është karriera për ju, krenari, sfidë, apo të dyja së bashku?

Me Steve Forbes, botues i Forbes Magazine

Nuk dua ta nis duke ju thënë se çfarë është karriera për mua, por çfarë nuk është ajo për mua. Nuk është, nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë një qëllim në vetvete. E shoh më tepër dhe e përjetoj si një marrëdhënie parimshmërie, integriteti dhe profesionalizmi e individit me të tjerët. Kapacitetet tona profesionale dhe personale nuk janë meritë jona, janë një kontribut i vazhdueshëm që shoqëria bën me mundësitë e shanset e veta tek individi, i cili meritë të vetme ka forcën e vullnetin dhe vendosmërinë që të përdorë maksimalisht kapacitetet e veta gjithmonë në një raport të drejtë me shoqërinë që ia kultivon ato.
Për të dytin vit radhazi, jeni përzgjedhur nga Harvard Business University në forumin e gruas në lidership dhe Oxford Institut Education ju përzgjodhi për çmimin “Sokrates” për shkencën. Jo pak, apo jo?
Pak më parë më pyetët për sfidën, më pyetët edhe për krenarinë. Kjo ka qenë sfida, kjo është krenaria ime. Të përfaqësoja vendin tim në tavolina shkencore denjësisht. Kujtoj rreth dhjetë vjet më parë kur botoja artikullin tim të parë në një revistë të mirënjohur shkencore ndërkombëtare dhe kryeredaktori shkencor i saj m’u shpreh: “Kolege, kemi vlerësuar shumë sfidën tuaj për të bërë shkencë në një mjedis jo shkencor”. E kuptova që me fjalë të buta po më thoshte se edhe unë isha një produkt i papërpunuar i këtij mjedisi, ndonëse më kishin pranuar të botoja në revistën më të madhe italiane të shkencës. Kjo u bë sfida ime me veten, kjo duhet të jetë sfida e elitës shqiptare. Ky është investimi ynë në integrimin e vendit. Integrimi të bën të ulesh në një tavolinë si i barabarti mes të barabartëve, që është shumë më tepër sesa të përdorësh një gjuhë të përbashkët. Është në fakt të shohësh botën në një perspektivë të përbashkët. Në tavolina të tilla ku jam ndodhur shpesh, veçoj atë të Konferencës për Mesdheun, organizuar nga Ministria e Jashtme Italiane dhe Agjencia Telegrafike Italiane ANSA, ku në përfaqësi të vendit tim, me lumturi them se kemi ditur të ulemi me të tjerët si të barabartë e mbi të gjitha shumë krenarë për atë që jemi dhe atë që kemi bërë si komb.
Të kthehemi pak tek një ngjarje, për të cilën ju sakrifikuat postin e dekanes së Fakultetit të Ekonomisë e Drejtësisë, pas një karriere universitare 13-vjeçare, atë të tentativës për heqjen e emrit “Ismail Qemali”, të Universitetit të Vlorës…

Me Attilio Celant, president në La Sapienza

I jam mirënjohëse shpirtit patriotik të bashkëkombësve të mi, që me qëndrimin e tyre të njëzëshëm dhe pa kompromis, në një mënyrë që nuk e kishim parë prej shumë vitesh, ndaluan një marri të paprecedentë, rastësore apo të porositur, të shndërrohej në një paradoks institucional. Universitetet janë shtetformuese. Ismail Qemali është formuesi i shtetit shqiptar dhe në historinë moderne shqiptare është shembulli i parë dhe i papërsëritur i sakrificës për kombin dhe shtetin. Pas një lufte të tejzgjatur e të fituar, ndihem krenare që ndoqa shembullin e tij të sakrificës për shtetin. Unë nuk pranova dhe kurrë nuk do të pranoj që të hidhet baltë mbi ata që kuptim të vetëm të ekzistencës së tyre kanë pasur ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen e shpirtit të kombit shqiptar.
Gjithsesi, nga universiteti “Ismail Qemali” tek universiteti “Pavarësia”, emra simbol, me të njëjtin thelb identifikues për Vlorën e kombin. Ç’mund të na thoni për këtë?
Universiteti “Pavarësia” ishte vërtet një ngjarje e madhe edhe e rëndësishme për qytetin, që e transformoi Vlorën në polin më të madh universitar jashtë kryeqytetit. Kjo në vetvete është një lloj pavarësie, që shënoi një moment të rëndësishëm për arsimin e lartë cilësor të rajonit, ku veçanërisht përfaqëson më shumë pavarësi për t’u identifikuar në nivel social dhe për të pasur të drejtë hyrjeje e zgjedhjeje të pakufizuara për të gjithë ata që studiojnë në auditorët e tij. Sfida e madhe e universitetit “Pavarësia” është ajo e kultivimit të pavarësisë së mendimit intelektual, qytetar e shkencor, duke zgjeruar dukshëm shkallët e pavarësisë së individit dhe të hapësirave të tij shoqërore.
Folët për pavarësinë e mendimit, kur ende flitet për pavarësinë e gruas, madje bota ka përjetuar valë të forta të lëvizjeve feministe. Nëse do të zhvillohej një lëvizje e tillë në Shqipëri, ju cilën çështje mendoni se do të mbështesnit?
Jam takuar dhe kam pritur gra aktiviste të të drejtave të njeriut dhe të grave, madje edhe gra të tilla, të cilat kanë bërë provokime të mirëfillta sociale në vendet e tyre për çështjet e grave dhe mundësive të barabarta, si Valerja Ajovalasit që iu kundërvu edhe Vatikanit për çështjen e së drejtës së abortit, sot euoparlamentare, siç kam takuar edhe gra të linjave të ngurta puritane. Jam bashkëshorte, nënë dhe grua në karrierë dhe refuzoj të jem e mbrojtur dhe e nxitur nga kuotat e pjesëmarrjes së grave në politikë. Gruaja nuk është objekt mëshire, por mbi të gjitha nuk është objekt, sepse është subjekt. Ajo mbi të gjitha nuk është pronë. Ndihem keq kur shoh që skenarë filmash ndërkombëtarë vlerësohen me çmime, sepse trajtojnë drama grash shqiptare të ngujuara me fëmijë të mitur, të cilët nuk i çojnë dot në shkollë për shkak të gjakmarrjes, apo skenarë me gra shqiptare që përgjakin trotuare të Europës, të shitura e të blera si sende. Ndihem keq, jo sepse ngrenë një çështje për t’u zgjidhur dhe për të sensibilizuar, por sepse tregtojnë drama individuale të skajshme grash. Lëvizjet feministe janë gjithmonë të skajshme. Këto fenomene janë gjithashtu të skajshme. Këto do të ishin lëvizjet feministe që unë do të mbështesja pa hezitim.
Këto ditë ju do të merrni pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Komunikimit që mbahet në Romë, Itali, madje jeni e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani. A mendoni se komunikimi është çelësi i artë i zgjidhjes së krizave?
Pjesëmarrja ime në Samitin e Romës si diskutante përfaqëson një arritje shumë të madhe profesionale për mua. Në bosht të tij qëndron koncepti i shoqërisë likuide, një shoqëri në të cilën individi është transformuar nga prodhues në konsumator. Ai pranohet, refuzohet, bëhet pjesëmarrës, i atribuohen role dhe për rrjedhojë komunikon përmes tyre, jo falë atyre që di, jo falë atyre që bën, por nëse mund apo nuk mund të blejë e të konsumojë ashtu siç bën grupi e në përgjithësi shoqëria. Në kushte të tilla, kur pranimi dhe mospranimi, ekzistenca apo eliminimi social varen nga suksesi që individi ka në të qenët blerës, ashtu siç grupi edhe shoqëria dikton dhe kur ky është i vetmi mjet i formimit dhe komunikimit të identitetit, është e natyrshme që ndodhin kriza me efekte zinxhir të nisura nga marrja e një numri të pakufizuar kartash krediti dhe shpenzimi me to fillimisht nga qytetari amerikan dhe më pas nga pjesa më e madhe e qytetarëve të shoqërisë së konsumit. Kjo solli krizë.
Natyrshëm që çdo gjë e pati gjenezën te komunikimi. Për sa u takon krizave vendëse, problemi i komunikimit nis dhe shumëfishohet si një raport i denatyruar i individit me institucionet që teorikisht janë krijuar për individin, për t’i shërbyer atij, por që realisht në shumë raste janë transformuar në burime pushteti, të cilat zvogëlojnë gjithmonë e më shumë hapësirat e të drejtës individuale e qytetare. Me sa duket, njerëzit, pavarësisht se në cilin cep të botës jetojnë, sado të shkolluar apo të pakultivuar të jenë, harrojnë se ajo çfarë jemi ne, reflektohet tek ata, me të cilët ne komunikojmë dhe varet prej tyre.

Një pinjolle e denjë

Arta Musaraj e ka krijuar vetë emrin e saj. Megjithatë, nuk duhet mohuar edhe roli i familjes dhe traditës në udhën që merr në jetë. Ajo thotë se pikërisht familja i ka trashëguar mbajtjen e përgjegjësive qytetare dhe integritetit moral të marrë, nisur që nga “familja ime Musaraj, me kontribut të shtrirë në breza, nga Shefqet Musaraj, emrin e të cilit e mban biblioteka publike në Vlorë, deri tek im at, Adhurimi, deputet, pionier i pluralizmit politik në vend, si dhe nga familja e bashkëshortit tim Bezhani, një nga familjet e mëdha shqiptare shtet e qytetformuese, me kontribute jo të vogla që kulmojnë nga i famshmi klub “Labëria” më 1908, deri në shpalljen e pavarësisë, por mbi të gjitha atëherë kur Shqipëria hidhte hapat e parë të vegjël të botës së kapitalit në Europën e madhe të afro një shekulli e ca më parë deri tek im vjehërr Anesti, i pari dhe i vetmi shqiptar anëtar i Parlamentit Europian të biznesit në Bruksel, Eurochamber”.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura