Rëndohet bilanci nga pandemia e COVID-19, INSTAT: Mbi 8 mijë vdekje shtesë në 2021-shin

Feb 12, 2022 | 8:17
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Më shumë se 8 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 5 viteve të fundit janë regjistruar përgjatë vitit që lamë pas. Shifrat e fataliteteve kanë kulmuar në tremujorin e parë të 2021, atëherë kur për ironi nisi edhe procesi i vaksinimit.

spitaliinfektiv

 

Të dhënat janë bërë publike një ditë më parë nga Instituti i Statistikave. Kështu, përgjatë vitit që shkoi janë regjistruar 30 580 humbje jete, thuajse 3 mijë vdekje më shumë ose 10.8 për qind në raport me vitin e parë pandemik ku informacioni i paktë dhe vaksinimi ishte një shpresë e largët. Por, pavarësisht përvojës së fituar me kalimin e muajve dhe nisjes së procesit të vaksinimit, nuk u arrit të frenohej përkeqësimi i situatës si pasojë e COVID-19. Kur po bëhen dy vite nga pandemia (prill 2020) janë 14 mijë humbje jete ose gati 4 herë më shumë se shifrat zyrtare të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo për shumëkënd është cilësuar ana e errët e pandemisë.

TË DHËNAT

Në pikun e pandemisë, pra përgjatë vitit 2020 janë shënuar 27 605 humbje jete, ndërsa një vit më vonë shifrat janë rritur sërish. Konkretisht, vitin e kaluar janë regjistruar 30 580 vdekje. Muajt më kritikë kanë qenë tre muajt e fundit të 2020-ës ku janë raportuar 9397 vdekje dhe periudha janar-shkurt-mars 2021 me mbi 10 mijë vdekje (10 222). Tendenca në rritje e fataliteteve vijoi përgjatë gjithë vitit që lamë pas. Një gjë e tillë vihet në dukje edhe në raportin e INSTAT-it, sipas të cilit qarqet me numrin më të lartë të vdekjeve kanë qenë Vlora, Berati, Fieri dhe Tirana. “Gjatë vitit 2021, vetëm një qark i vendit shënoi ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjera shënuan rritje në krahasim me të njëjtën periudhë. Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 612 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 7.831 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me rënie prej 2,4 për qind, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 33,2 për qind”, thuhet në raport. Lidhur me të dhënat për 3muajt e fundit të vitit 2021, në të gjithë vendin janë regjistruar 7.837 humbje jete. Tirana qëndron në krye të listës, si qarku me numrin më të lartë të fataliteteve përgjatë kësaj periudhe. “Në tremujorin e katërt 2021, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2020, ndërsa vetëm një qark shënon rritje në krahasim me të njëjtën periudhë. Në tremujorin e katërt 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 166 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 2.054 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të katërt 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Lezhës me rënie prej 24,6 për qind, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 3,0 për qind”, theksohet në raport.

“THE ECONOMIST”

Më herët, edhe gazeta britanike “The Ekonomist”, ngriti alarmin për vdekjet shtesë të shkaktuara gjatë periudhës pandmemike, duke vënë në dukje se ishin 4 deri herë më të larta se raportimet zyrtare. Sipas “The Economist”, numri i viktimave nga COVID-19 në nivel global nuk është 5.5 milionë, por rreth 19.1 milionë, ose 4 herë më i lartë se raportimet zyrtare. Sa i përket vendit tonë, revista vlerësonte se numri i personave që kanë ndërruar jetë përgjatë periudhës pandemike varion nga 12 në 15 mijë, ndërsa zyrtarisht janë raportuar 3407 humbje jete. Në përgjigje të këtij artikulli dhe akuzave të opozitës, Ministria e Shëndetësisë në reagimin e saj të parë, pretendonte se janë raportuar me përpikëri të gjitha rastet e fataliteteve, por vetëm në spitalet COVID, duke mos marrë në konsideratë humbjet e jetës në banesë si pasojë e kësaj sëmundjeje.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura