REPORTAZHI/ Udhëtim në tokën e nderit dhe të gjakut, në Korleone

Aug 8, 2016 | 23:54
SHPËRNDAJE

Në fillim mendova se vajza që po qante nën syzet e errëta kishte ndonjë lidhje me ngjarjen. Djali që e mbante të përqafuar, ishte i përlotur, gjithashtu. I lë në dhimbjen e tyre dhe përqendrohem në vendngjarje.. 24 vjet më vonë.. në autostradën A29, drejtimi për në Palermo… vetëm pak metra duhen për të marrë djathtas për në … Capaci.

Më duket sikur në ajër, ndërmjet dy obeliskëve, ndihet ende era e flakëve, tymit, gjakut. 1000 kg tritol të vendosura nën autostradën që u shkërmoq si lodër krijuan skenën apokaliptike të “masakrës së Capaci”-t. 1000 kg tritol për të vrarë Falkonen, gjyqtarin jokomod për të gjitha palët.

Gjyqtarin e sfilitur nga akuzat e politikës, vështrimet dashakeqëse të kolegëve, qëndrimet shpërfillëse nëpër korridoret e zyrat e Romës, kryesisht pas atentatit të dështuar ndaj tij në Addaura, në vilën bregdetare të marrë me qira për të pritur miqtë Carla del Ponte dhe Claudio Lehmann. 1000 kg tritol për të ndëshkuar gjyqtarin që hetonte mbi një material të fundit të ROS, me subjekt përvëlues mbi lidhjet e mafies me policinë dhe politikën.

Makina e Falkone-s ditën e ekzekutimit
Makina e Falkone-s ditën e ekzekutimit

1000 kg tritol për ta bërë shembull… për të treguar se si ndëshkohen të pabindurit, guximtarët, ata që përbuzin kërcënimet dhe paratë, ata që shteti i deligjitimon dhe i hedh ushqim për bosët… 1000 kg tritol…, që natyrisht mjaftuan për ta bërë të pavdekshëm. Në kodrat që ngrihen në anë të autostradës të kap syri një ndërtesë të bardhë, mbi të cilën me germa kapitale ngjyrë blu shkruhet NO MAFIA. Bëj foto.

Vajza dhe djali vendosin një tufë me lule nën obelisk dhe afrohen. Ajo i ka hequr syzet. Nuk qan më. “Në atë ndërtesë, më thotë, Giovanni Brusca dhe Antonino Gioè prisnin prej disa orësh. Shpërthimin e aktivizoi Brusca! Më pas ai u pendua dhe tregoi gjithçka”. E pyes nëse kanë ndonjë lidhje me viktimat… “Jo, thonë, jemi si ju, udhëtarë të thjeshtë, por jo rastësorë. Këtu askush nuk ndalon rastësisht!”. Kanë të drejtë.

E kush ndalet rastësisht në një cep autostrade në kohët e sotme, ku pjesa më e madhe e udhëtarëve përtojnë dhe të ngrenë kokën e të shohin dy shtyllat prej mermeri që i bëjnë hije njëratjetrës në heshtje. Tregojnë se janë studentë në Modena dhe se nuk janë të afërm të viktimave. Tregojnë se historia e Falkones dhe të tjerëve ka përcaktuar fatin e tyre, të ardhmen, dëshirën për t’u bërë karabinierë…, dëshirën për t’i shërbyer shtetit.

Përmendin emra pafund heronjsh të vrarë nga mafia. Kanë njohuri të mira, gjë që më bën të mendoj se e studiojnë edhe në shkollë këtë histori. Tregohen kuriozë të kuptojnë që pse dhe ne jemi aty… ne shqiptarët aty…?

Ndërsa sistemoj pranë luleve të tyre një tufë modeste me karafila të bardhë, që për fat u kujdesa t’i marr rrugës… është radha ime të përpiqem të mbaj lotët. Nëse do të nis të tregoj pse vendosa kaq vonë të vij në Capaci, në Via D’Amelio, në Palermo…, ndoshta s’do të më kuptojnë… dhe unë s’dua, pa dyshim s’dua, të jem armike e ëndrrave të tyre… e ëndrrave të çdo 20- vjeçari që vendos të studiojë për drejtësi, pasi ka parë “La Piovra”-n , apo lexuar mbi Falkonen, Borselinon e të tjerët…

Pema e ullirit në “Via D’Amelio”, ku u vra Borselino
Pema e ullirit në “Via D’Amelio”, ku u vra Borselino

S’është as vendi as koha dhe as mundësia t’i tregoj se në vendin tim, ashtu si dhe në vendin e tyre, 20-vjeçarët ëndërrojnë, se 20-vjeçarët i ngjajnë një përroi të pastër e të rrëmbyer që çan drejt detit…, drejt lirisë… Si mund t’u them se këta përrenj si në vendin tim, ashtu edhe në vendin e tyre, në më të shumtën e rasteve nuk e takojnë kurrë detin. Në më të shumtën e rasteve ose thahen, ose ndalen dhe bëhen pis…

Por përrenjve të rrëmbyer nuk mund t’u thuhen këto fjalë. As unë nuk kuptoja vite më parë, ndërsa vija vërdallë me libra dhe ëndrra në korridoret dhe klasat e një fakulteti arrogant, në të cilin asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket indiferencës ndaj studentëve dhe… sekretareve gjithmonë me nerva dhe të ashpra… në një fakultet që, përveç respektit të përjetshëm që krijon për disa pedagogë (të paktë sa gishtat e një dore), gjithçka tjetër të shtyn të ikësh sa më larg prej aty.

U them thjesht se s’mund të iknim nga Palermo pa kaluar në Capaci. Se historia e Falkones, Borselinos Della Chiesas janë shumë familjare në Shqipëri. U them se mbase nuk do të shkelim më aty, ndaj duhej të ndaleshim. Djali nxjerr celularin dhe tregon mbi një aplikacion që përmban të gjithë historinë e heronjve të tyre. Shpjegon se është krijuar nga një grup të rinjsh si ata. Shtrëngojmë duart me një “ciao”, që nuk nënkupton natyrisht “mirupafshim”.

Djali kujdeset që vajza të sistemohet, i përkëdhel faqen, të dy na buzëqeshin dhe nisen me shpejtësi drejt Palermos. Të rinj, 20-vjeçarë, pa dyshim të dashuruar… Nën hijen e obeliskut prej mermeri të kaftë në të kuqërremtë lexoj si për të skalitur në mendje emrat Giovani Falcone, Francesca Morvillo… Montinaro, Dicillo… Schifani. Në meshën e lamtumirës së viktimave, në Palermon e mbushur me politikanë, Rosaria Costa, vejusha e re e Vito Schifanit, iu drejtua të ardhurve për mort mes lotëve: Unë ju fal, por ju duhet të bini në gjunjë përpara tyre!

Obelisku në rrugën “Capaci” në nder të heronjve të drejtësisë
Obelisku në rrugën “Capaci” në nder të heronjve të drejtësisë

Fjalët e Rosarias u shoqëruan me duartrokitje nga palermitanët e thjeshtë. Asnjë nuk ra në gjunjë. As ata që Falkonen e akuzonin se vetëpersekutohej, duke tentuar ta nxirrnin, veç të tjerash, si të lënë nga mendtë. Era bëhet më e fortë në A29, edhe pse është një ditë korriku e nxehtë. Dy tufat me lule i afroj me njëra-tjetrën si për të shtuar qëndrueshmërinë e tyre ndaj erës.

Dy të rinjtë kanë preferuar të sjellin trëndafila të bardhë. Trëndafila të thjeshtë, të papaketuar lidhur bashkë me një spango, gjithashtu të bardhë… të bardhë si ndërtesa lart mbi kodër, në të cilën shkruhet me blu NO MAFIA.

NË TOKËN E NDERIT DHE TË GJAKUT, NË KORLEONE

Ecim ngadalë për të shijuar çdo detaj dhe natyrisht për t’u shkëmbyer me maksimumin e “respektit” me makinat që zbresin nga Korleone. Ashtu siç do të fiksoja edhe brenda në qytezë, korleonezët janë të apasionuar pas makinave “Audi” dhe “Alfa Romeo” tip “Giulietta”. Korleone të shfaqet si mozaik i lashtë, i gdhendur pas kodrave të ashpra, në të cilat mbështetet.

Qytezë malore, tipike italiane, harmonike me natyrën, me ndërtesa të vjetra jo domosdoshmërisht të restauruara në luks. Rruga e gjarpëruar që lidh autostradën Palermo-Katania me Korleonen, rreth 25 km e gjatë, më jep mundësinë të krijoj idenë e parë mbi korleonezët (që të jem e drejtë me ta përpiqem të minimizoj ndikimin nga ajo që kam lexuar mbi Korleonen, gjë që afërmendsh nuk është aspak e lehtë).

Vreshtat e rregullt, që gjelbërojnë hijshëm shpatet e kodrave nëpër të cilën kalon rruga, fushat me ngjyrë të artë të sapokorrura dhe bizneset e shumta të agroturizmit, dëshmojnë për njerëz punëtorë. Dhe nuk gaboj. Shumë shpejt do të mësoj se shishet e paketuara bukur të amaros dhe verës eksportohen në të gjithë botën. Korleonezët janë punues të jashtëzakonshëm të drurit dhe hekurit.

Dashurojnë pafund tokën e tyre. Zoti ua ka dhënë të shpalosur mbi kodra të buta dhe mikpritëse ndaj diellit. Tokën e nderit dhe të gjakut, tokën me të cilën siç pohojnë edhe vetë, nuk bëhet shaka. E në fakt, nuk bëhet shaka. Këtu e një shekull më parë, kryebashkiaku socialist i Corleones, Bernardino Verro, u vra nga mafia ndërsa përpiqej të implementonte një ndarje të re të latifondit, shqip, të tokës së përbashkët.

Busti i kryetarit të Bashkisë, Bernardino Verro
Busti i kryetarit të Bashkisë, Bernardino Verro

U vra me 11 plumba nga mafia apo vëllazëria, në të cilën kishte aderuar në rininë e tij, i ndërgjegjshëm ndoshta se pa një mbështetje të tillë nuk do të mund të ecte përpara. Dashuria për tokën dhe barazia në posedimin e saj janë pa dyshim koncepte që nuk shkojnë me njëra-tjetrën në Korleone. Fundja si kudo.

Bernardino Verro (ekzekutuar më 3 nëntor 1915) përkujtohet nga atdheu me një bust mbi të cilin luajnë një tufë pëllumba, që të vaposur guxojnë të zhyten në shatërvanin e vogël pranë. Disa turistë amerikanë, të zbritur nga një furgon blu, rrethojnë bustin dhe bëjnë fotografi duke përdorur ndërmjet anglishtes së tyre tek-tuk ndonjë fjalë në dialektin e vjetër korleonez.

Janë të entuziazmuar, ndërsa vërshojnë te dyqani i pijeve aty pranë. Dyqan interesant për çdo të ardhur rishtas, në fasadën e të cilit reklama me Korleonen dhe personazhet legjendarë të sagës hollivudiane të Copolas, bazuar në romanet best seller të Mario Puzo, të fton të futesh brenda. Saga është ulur këmbëkryq në raftet modeste të mbushura me verë dhe amaro korleoneze.

Çmimet janë të ndryshme, referuar cilësisë. Ama fotografitë e Don Vito Korleones (Marlon Brandos) dhe Majkëll Korleones (një Al Pacino në kulmin e rinisë së tij) zbukurojnë çdo etiketë. Turistët amerikanë, për të cilët jam e bindur së janë nipërit a stërnipërit e korleonezëve të emigruar në fillimin e shekullit të kaluar, mbushin çantat me pije pa llogaritur fare se sa u duhet të paguajnë.

Thjesht mundohen që shishet të kenë etiketa të larmishme. Përshëndesin plot zhurmë shitësin, ne, djemtë e ulur përpara picerisë ngjitur, i hipin furgonit blu dhe çajnë për në qendrën e qytetit, drejt sheshit “Garibaldi”, drejt destinacionit të çdo turisti… muzeut të famshëm.

DY MUZETË “RIVALË”

U shkojmë pas, në njëfarë mënyre… Parkojmë në qendër të qytetit, nën hijen e ndërtesës së vjetër, ku janë vendosur zyrat e komunës. Ndiejmë vështrimet kurioze të burrave të paktë, që popullojnë stolat e gurtë publikë nën freskun e disa palmave. Është e diel korriku, mesditë e nxehtë dhe rrugët janë bosh. Si për të qetësuar veten pyes dikë që shoh më afër: “Mund ta lemë makinën këtu, d.m.th. ka ndonjë problem!”. Burri flet qartë: Patjetër që po!

Mund ta lini gjithë ditën. Pastaj kujdeset të shtojë: Mos kini merak. Nuk e prek njeri! Tentoj ta pyes sërish, por burri, zeshkan me rrudha të forta rreth syve, buzëqesh dhe shton: Aty është… ja, ngjitur me komunën, rrugica e parë në të djathtë, aty është muzeu që kërkoni…! E falënderoj. Kush e di se sa të tjerë para meje kishin kërkuar të dinin ku ndodhej muzeu i mafies dhe antimafies së Korleones (Internazionale di Documentazione sulla Mafia e Del Movimento Antimafia/ C.I.D.M.A).

Turistët amerikanë, të zhurmshëm edhe në zhgënjimin e tyre, i gjetëm para derës së mbyllur të muzeut të famshëm, një grup turistësh çekë, gjithashtu lexojnë tabelën me informacion ngjitur me derën e mbyllur të muzeut. Përballë muzeut të shumëkërkuar, një tjetër muze, ai i historisë së lashtë së Korleones. Ciceroni, që i tërhequr nga zhurma shfaqet në derë, na fton të futemi brenda. Hezitojmë, pasi qëllimi ynë është të shohim me doemos muzeun e antimafies.

Në anglisht na shpjegon se vizitat aty realizohen me prenotime online, sidomos të dielave… askush nga ne nuk ka prenotuar online. Porse, nëse komunikojmë me pikën e kontaktit, që enkas ka lënë numrin e telefonit të ekspozuar në derë, mund edhe ta kemi fatin të mos ikim nga Korleone pa e vizituar atë. Ndërkohë, na fton të na tregojë diçka mbi historinë e lashtë të qytetit të tij. Është e lashtë Korleone, e lashtë po aq sa pjesa tjetër e civilizimit të Italisë së bukur.

Muzeu Antimafia në Corleone
Muzeu Antimafia në Corleone

E lashtë sa gurët e mbijetuar të epokës së neolitit, apo punimet e epokës së bronzit, të mbledhura me kujdes e të sistemuara në kuti të mëdha xhami. Çuditem tek mësoj se në shekullin e nëntë të erës sonë, gjatë pushtimit arab, pjesa më e madhe e popullsisë ishte myslimane. Ciceroni shpjegon ndryshimet etimologjike të emrit të qytetit, që datojnë prej periudhës së perandorisë greke deri në atë që është sot.

Tingëllues, pa dyshim, për shkak të zanorëve “o” dhe “e”, që ripërsëritin me të njëjtin rend. Korleone është e lashtë shumë me tepër sesa ditëlindja e stemës së qytetit, me luanin në këmbë që mban në dorë një zemër flakë të kuqe që “digjet”. Ciceroni tregon me pasion gjithç- ka di për vendin ku ka lindur. Por ç’mund t’i tregosh një grupi turistësh, që kalojnë gati me vrap stendat, duke shijuar thjesht ajrin e freskët të kondicionerit, e duke pritur telefonatën e munguar të ciceronit tjetër, atij të muzeut përballë.

Ne kemi ardhur për mafien, për sagën, për gjakun e derdhur rrugëve, për rrëfimet e “pentitos” Buscetta, për Provenzanon, për Toto Riinën. Kemi ardhur të bëjmë një “check in” në Korleonen e Don Vitos, apo një selfie në ndonjë lokal me vargje specash të kuq si ato që kemi parë në “Il capo dei Capi”.

Kemi ardhur për gjysmë të vërtetat, kemi ardhur nga ana e anës jo për të dëgjuar mbi historinë e lashtë të këtyre njerëzve të fortë, por për të nuhatur erën e barutit të viteve luftë mes grupeve mafioze. Jemi si peshkaqenët, thjesht të uritur, për anën më të përciptë të një të vërtete, të cilën as duam ta mësojmë sepse nuk na përket. M’u përsërit e njëjta ndjesi, si ajo e viteve më parë, kur gazetari i një të përditshmeje të madhe italiane, ardhur në Vlorë për reportazh, ndërsa i shpjegoja atë që unë kisha perceptuar nga trazirat që pasuan rënien e firmave piramidale në qytetin tim, befas më pyet: Po skafistët ku janë?

Dua të takohem me ta!… Ciceroni duket se është mësuar me supremacinë e muzeut përballë. Nuk çuditet ndërsa turistët, pasi janë flladitur, dalin gati me vrap nga godina me historinë e gdhendur në gurë të Korleones. I drejtohem librit të shënimeve dhe shkruaj diçka, që m’u shpërblye me falënderimin e tij. Dal. Në rrugicën e gurtë që lëshon flakë nga dielli mesditës, turistët nuk përmbahen nga zemërimi. I bien pa pushim celularit të afishuar në skedë, por askush nuk përgjigjet. Fundja është e diel… fundja askush nuk ka prenotuar…

MES PICËS MË TË MIRË NË SICILI DHE… UNAZËS SË DIAMANTIT

Më pëlqejnë rrugicat e ngushta me ballkonet e vogla mbushur me indërsha, që shpërndahen si rreze nga “Piazza Garibaldi”. Edhe shatërvani me çezmat anash, ku turisti mund të freskohet pasi ka admiruar nën zheg statujën emblematike të “Piazza Falcone e Borsellino”. Shijova picën më të mirë në të gjithë Sicilinë, të shoqëruar me një domate gjigante, për të cilën nuk e dija se tregjet bënin “luftë” ta kishin.

Duke qeshur, pronari i lokalit na dha një qese me të tilla. “Për shqiptarët që janë talente në balet dhe luftëtarë të vërtetë në fushën e futbollit”, tha ai referuar programit të Maria De Filippi-t dhe episodit me flamurin në Beograd, gjatë ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Europian. Biseduam gjatë. Mbi të rinjtë që duan të ikin që aty. Mbi turistët që vijnë në kërkim të sagës. Mbi ekonominë që si kudo ka njohur rënie. Mbi lënien pas dore nga shteti që vijon t’i konsiderojë si “njerëz mali”.

Biseduam mbi gjithçka, duke i ardhur rrotull me kujdes temës, që ndoshta burrin do ta mbyllte në vetvete dhe do ta bënte të ndihej si unë përpara gazetarit italian, i cili donte të fliste me skafistët e qytetit tim. Atij të cilit, në përpjekje për të fshehur zemërimin, iu përgjigja: Ndoshta do të ishte mirë që më parë të shikonim varrezat… ka dhjetëra varre të hapur muajt e fundit… fëmijë dhe të rinj! Nisem drejt makinës. Koha për të ikur. Vapë e më vapë.

Pak më tej një “Audi” me ngjyrë blu të errët del nga një rrugicë, ndalon në mes të rrugës. Në timon një djalë i ri. Pasagjer në vend të parë një burrë i moshuar, me këmishë të bardhë dhe tiranda të errëta. Një tjetër burrë që afrohet në anën e pasagjerit, ndërsa xhami zbret deri në fund. Pëshendeten me përzemërsi. Kanë pothuaj të njëjtën moshë, të vjetër.

Burri me këmishë të bardhë mbështet dorën mbi derën e pahapur të makinës. Në gisht vezullon një unazë, gurin e së cilës e perceptoj të bardhë. Burri tjetër përkulet sikur do të fusë kokën në makinë dhe i puth dorën. Bëj sikur nuk kam parë gjë. Ndërsa lë pas fushat pjellore të Korleones, me të gjitha nuancat e jeshiles dhe të verdhës, vezullimi i unazës mbi dorën që u puth, duket sikur më është ngulur në sy.

NË GJURMËT E HERONJVE TË VRARË

Pema e ullirit në “Via D’Amelio”, përpara pallatit ku Borselino u hodh në erë brutalisht bashkë me eskortën, vetëm 57 ditë pas ekzekutimit të mikut të tij Giovani Falkone, është e mbushur me shenja të lëna nga gjithkush që e viziton. Shirita me emra, kapele, letra, gurë të ndryshëm dhe një mace që gati ka marrë ngjyrën e trungut dhe fle e patrazuar në degën më të madhe të pemës së lirisë. Shikoj me kujdes fotot e pesë policëve të eskortës të vrarë me Borselinon.

Emanuela Loi, 25 vjeç, buzëqesh nga fotografia, një buzëqeshje e përjetësuar në “Via D’Amelio”, vetëm pak ditë përpara dasmës së saj. Ndiej dhembje. Të njëjtën dhembje që më shkakton edhe “afresku” i bronztë në “Via Carini”, ku gjenerali Della Chiesa dhe gruaja e tij e re, Emanuela, shfaqen në përqafimin e tyre të fundit, atë të vdekjes. Sa dhimbje ka në Sicili. Uron që dhjetëra jetët e mbetura në mes nga shpërthimet dhe breshëritë e plumbave të mos jenë thjesht një sakrificë e kotë.

“Afresku” i bronztë në “Via Carini”, ku u vra gjenerali Della Chiesa dhe gruaja e tij, Emanuela, paraqitur në përqafimin e fundit
“Afresku” i bronztë në “Via Carini”, ku u vra gjenerali Della Chiesa dhe gruaja e tij, Emanuela, paraqitur në përqafimin e fundit

Se ta hajë dreqi janë jetë, janë familje të tëra të shkatërruara, janë vite lufte jo për famë, as për lekë. Vite lufte për të drejtën. Për të sotmen, për të ardhmen. Ndërsa e mendoj me qetësi, nuk e ndaj dot se ku mbaron mafia dhe ku fillon shteti. Me kalimin e viteve e kam më të vështirë të dalloj heronjtë nga antiheronjtë e mi. Shtetin dhe mafien i shikoj pazgjidhshmërisht në të njëjtin krah. Në anën tjetër të barrikadës me shfaqen palermitanët e thjeshtë, korleonezët mikpritës dhe heronjtë e tyre. Shteti dhe mafia…

Vetëm pak ditë përpara vdekjes Falkone, i sfilitur nga tradhtia e Romës, në intervistën e fundit dhënë Marcelle Padovanit për “Cose di Cosa Nostra”, flet gati me vete: Zakonisht vdes kur je vetëm ose ku ke hyrë në një lojë tepër të madhe. Vdes sepse nuk i ke aleancat e duhura, sepse nuk ke mbështetje. Në Sicili mafia godet shërbëtorët e shtetit, të cilët shteti heq dorë t’i mbrojë” dhe shtoi “Më kanë deligjitimuar. Këtë herë bosët do të më vrasin!”.

EPILOG

Nga Mondello duket gadishulli në formën e “bririt të rinocerontit”, i përflakur nga dielli që gati ka prekur detin. Perëndimet janë njëlloj të bukura në qytetet bregdetare. Më duket sikur jam në Vlorën time, që më ngjan kaq shumë me Palermon. Kaq e ëmbël në perëndim, kaq e vrazhdë në hakmarrje, kaq naive në besimin e dhënë të panjohurve. Sa pa heronj jemi, sa të lodhur nga tranzicioni shumëdimensional, në të cilin vitet më të bukura treten në pritje të së nesërmes.

Në Romë Provenzano vdes në burg, duke marrë me vete ndoshta të vërtetat më të mëdha të 50 viteve të fundit të Cosa Nostra-s. Në vendin tim, në të njëjtën kohë, Reforma për Drejtësi miratohet me unanimitet. 19 prej atyre që e votuan, zyrtarisht, shpallen nga KQZ-ja me dosje “jo të pastra”.

Jozyrtarisht flitet se ka edhe më. Po ç’rëndësi ka! Kufijtë janë shkrirë. U bë kohë. Na kanë deligjitimuar prej vitesh. Nëpërmjet diktaturave që thjesht ndryshojnë fasadën, parullën bazë, mënyrën e marrjes së dinjitetit, formën e atentatit, fytyrën e së keqes. Qenka kaq e lehtë të deligjitimosh një popull. Kaq e lehtë… mjafton ta lodhësh me histori gjaku dhe dhune. Mjafton ta lësh pa heronj. Pa legjendë. Pa liri. Pa… gjithçka, përveç… kohës.

Kësaj aleateje besnike që s’njeh urdhra. Kohës, e cila nuk shteron kurrë për një popull. Kohës, që bën hi çdo mur të ngritur nga frika. Kohës, që 25 vjet më pas, më kthehu në Capaci.

Palermo, korrik 2016

SERAFINA HASANBELLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura