Reshjet intensive/ Lumi Buna del nga shtrati, rriten prurjet edhe në Drin. Ja akset ku është e vështirë të kalohet në qarkun Shkodër, kërkohet ndërhyrje emergjente për…

Feb 11, 2021 | 9:14
SHPËRNDAJE

Reshjet intensive të shiut që kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme kanë rritur së tepërmi nivelet e ujit nga prurjet, shkarkimet, reshjet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, ndërsa lumi Buna ka dalë nga shtrati.

Korrespondenti i Panorama bën me dije se ka vështirësi qarkullimi në disa lagje qytetit. Uji ka rrethuar territorin që shtrihet në pjesën Veri Perëndimore të qytetit si lagjet nr.1 dhe nr. 2, në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë, shtëpitë në lagjen Tepe, Perash.

Rritje të prurjeve ka edhe në lumin Drin.

Mësohet se mbrëmjen e të mërkurës në qytetin e Shkodrës janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në qytet mbi dhjetë familje tek të afërmit e tyre dhe në strehime të tjera.

Gjatë natës, gjithashtu forcat zjarrfikëse kanë punuar për largimin ujit nga shtëpitë të cilat kanë pasur prezencë uji në oborre, duke parandaluar dëmtimin e disa banesave.

Kurse në Njësinë Administrative të Dajçit, ka disa rrugë të bllokuara, është bërë e pamundur lëvizja me vetura në lagjen Mazija- Suka Dajç ndërsa rruga kryesore e Darragjatit mund të përshkohet vetëm me mjete të tonazhit të lartë.

“Kërkohet ndërhyrje emergjente nga Bordi Rajonal Lezhë për të bërë të mundur mbylljen fundore të argjinatures së Darragjatit pasi uji vërshon në zonën e banuar”.

Situata e përmbytjeve në Njësinë Administrative Dajç datë 11.02.2021

Hidrometri shënon 6.98 cm , me një rritje prej 11 cm në hidrometrin e Dajçit, 25 cm në vendin e quajtur Urrela të Shirqit në krahasim me 1 ditë më parë.

– 1800 ha tokë bujqësore e përmbytur (fshatrat Darragjat, Shirq, Mushan, Suka-Dajç, Belaj, Rrushkull, Samrish i Ri, Pentar-zona fushore).

-Rrugë të bllokuara Darragjat, Shirq, vendi i quajtur Urrelat e Shirqit lartësie e ujit arrin 150 cm në rrugë.

-Shtëpi të përmbytura 6

– Prezencë uji në oborre 121 shtëpi, Shirq 70, Mushan 10, Darragjat 11, Belaj 9, Rrushkull 12, Suka 9.

-Është bërë e pamundur lëvizja me vetura në lagjien Mazija- Suka Dajç.

-Është e pakalueshme rruga kryesore e Darragjatit dhe vetëm me mjete të tonazhit të lartë mund të lëvizet.

-Kërkohet ndërhyrje emergjente nga Bordi Rajonal Lezhë për të bërë të mundur mbylljen fundore të argjinatures së Darragjatit pasi uji vërshon në zonën e banuar.

-Kërkohet që të lihet në dispozicion një mjet ushtrie për komunikimin e banorëve me rrugën kryesore.
– Makina e Ushtrisë në gatishmëri ora 07:45- 16:00 tek Dispeçeri Mushan.
-SPZ e zonës në gatishmëri .
-Qendrat shendetësore në gatishmëri
– Energji elektrike kemi në gjithë zonën, por me shkëputje.
-Në disa toka bujqësore lartësia e ujit arrin 2m.
-Nevoja për bazë ushqimore për gjënë e gjallë mbetet parësore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura