Automjetet e njësisë nuk do jenë më ngjyrë blu, ngjyra e re, portokalli
Ministri i Brendshëm, Tahiri, inspekton dizajnin e ri
Autopatrulla “Shqiponja”, e shkrirë pak muaj më parë, do i rikthehet sërish Policisë së Shtetit. Kjo njësi kësaj here do të prezantohet me një imazh të ri dhe me ngjyra të reja në automjetet që do të përdorin për patrullim efektivat e kësaj njësie. Duket se gjithçka është gati për nisjen nga puna të strukturës së re, edhe pse projekti ende nuk ka përfunduar. Mësohet se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë duke përcaktuar saktësisht sa do të jetë numri i efektivave që do i bashkëngjiten njësisë. Megjithatë, duket se makinat janë bërë gati, duke ndryshuar dizajnin e tyre. Ndryshe nga automjetet e mëparshme të kësaj njësie, ngjyrë blu, me mbishkrimin e bardhë “Policia” dhe fenelinë sipër, që vetëm mbishkrimi “Shqiponja” mbi kofano i dallonte nga makinat e Patrullës së Përgjithshme, kësaj radhe “Shqiponjat” do bien në sy që nga larg. Grupi i punës që po i hedh dorën e fundit projektit të njësisë elitë, ka menduar që makinat “Chevrolet”, që në fakt janë automjete të Patrullës së Përgjithshme, të kenë një ndryshim rrënjësor nga ato. Makinat do jenë me ngjyrë të bardhë të vijëzuara me portokalli dhe vetëm mbishkrimi “Policia” do jetë me ngjyrën që simbolizon Policinë e Shtetit, ngjyrën blu. Ndërsa do kenë të vizatuar edhe një shqiponjë, që do jetë logoja simbol e tyre. Në fakt, nëse do shihej nga larg një makinë e tillë, nisur nga ngjyrat ngjason më shumë me autoambulancën, por shënimi në anësore dhe fenelina sipër tregon që është automjet Policie. Një makinë e tillë është dërguar dje në parkingun e brendshëm të Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që të ishte vetë ministri Tahiri që të jepte mendimin e fundit rreth dizajnit të ri. Për disa minuta me radhë, ministri i Brendshëm Tahiri ka vëzhguar makinën me dizajnin e ri në oborrin e Ministrisë, në prani edhe të kreut të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa.
SHQIPONJAT
Autopatrulla elitë “Shqiponja”, që iu rikthye Policisë fillimisht më 24 dhjetor të vitit 2012, pasi ishte shkrirë si strukturë në 2007-n, vjen sërish, por më një imazh të ri. Rikthimi i shqiponjave, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, është parë si një strukturë e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Veç funksionit të monitorimit përgjatë 24 orëve të qyteteve, kësaj strukture i janë dhënë edhe atributet e Policisë Gjyqësore dhe asaj Rrugore, çka i jep të drejtën e ndëshkimit të kundërvajtësve me gjoba, si dhe arrestimin në flagrancë të personave që kryejnë vepra penale të lehta. Ndërsa është përcaktuar tashmë se si do të jetë makina simbol e kësaj njësie, jo më ngjyrë blu, por e bardhë me portokalli, ende nuk dihet se cila do të jetë uniforma e efektivave të kësaj strukture. Uniforma e mëparshme e tyre ishte e ngjashme me atë të forcave speciale, por duket se ministri i Brendshëm nuk ishte shumë dakord me këtë lloj uniforme, kur para se ta shkrinte si strukturë në tetor të vitit të kaluar, fillimisht vendosi që uniforma e tyre të ishte e ngjashme me ato të Patrullës së Përgjithshme.
Njësia “Shqiponja” në Tiranë, u shkri nga Tahiri
TIRANE – Njësia Elitë Shqiponja u rikrijua në dhjetor të vitit 2012, me iniciativën e ish-zv.drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Erzen Breçani dhe pati produktivitet në parandalimin e krimit të rrugës dhe kapjen në flagrancë të autorëve të ngjarjeve kriminale. Fillimisht u testua më 21 dhjetor të vitit 2012, ndërsa filloi nga puna më 24 dhjetor. Automjetet e kësaj njësie ishin ato të Patrullës së Përgjithshme, por dallimi i vetëm prej tyre ishte mbishkrimi “Shqiponja” mbi kofano, si dhe uniforma e efektivëve, që ishin të ngjashme me ato të forcave speciale. Në shtator të vitit 2012, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, urdhëroi fillimisht që efektivët e kësaj njësie të zhvisheshin nga uniforma speciale, duke mbajtur të njëjtën uniformë si Patrulla e Përgjithshme. Por më pas erdhi një urdhër i dytë që anuloi të parin, duke i rikthyer “Shqiponjat” në gjendjen ekzistuese. Ndërsa më 10 tetor 2013 erdhi urdhri tjetër i firmosur po nga Tahiri, që solli shkrirjen e kësaj strukture.
Gjobat
Policia Rrugore e Tiranës ka nisur dje një aksion masiv në të gjithë kryeqytetin në lidhje me vjeljen e gjobave të prapambetura. Edhe pse pa kryer ndonjë shkelje rrugore, drejtues të shumtë të automjeteve janë ndaluar nga efektivat e Rrugores për verifikim. Policët janë vendosur në pikat kryesore të kalimit në Tiranë, përfshi bulevardin dhe rrugët kryesore ku kanë ndaluar mjetet radhazi dhe, sipas targave, kanë verifikuar gjobat e papaguara të secilit automjet. Për të përballuar fluksin e madh të punës, mësohet se pikat e kontrollit janë organizuar me nga 4 deri në gjashtë efektiva Policie, pasi numri i makinave të ndaluara ka qenë i konsiderueshëm.
ETLEVA DELIA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al