BESARTA BASHA/ Pas dy javë shkëputjeje, dita e djeshme i ka gjetur të gjithë nxënësit në shkolla. Mospublikimi i listës së objekteve arsimore me probleme nga Ministria e Arsimit dhe ekspertiza e sigurisë në objekte nga Instituti i Ndërtimit, ka ngjallur pasiguri te prindërit. Kështu ka ndodhur tek “Emin Duraku”, ku prindërit refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
“Shkolla nuk ka një certifikatë sigurie. Drejtoresha ka tri ditë që na sjellë këtu dhe thotë që do vijë certifikata nesër. Këtu ka diçka që nuk shkon. Unë nuk e kam sjellë fëmijën tim dhe s’kam ndërmend derisa të kem siguri të plotë”, thotë një prind, i cili ndryshe nga herët e tjera, dje, kishte ardhur në shkollë jo për të sjellë fëmijët. As takimet me drejtoreshën e shkollës, zhvilluar me tone të ashpra, nuk kanë bërë punë.
Duke marrë shkas nga reagimet e shumta, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, është përpjekur të qetësojë prindërit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo pohon se godina ka probleme, por pjesa më e madhe është e frekuentueshme.
“Vendimin për të hapur një shkollë apo për ta mbajtur të mbyllur e kemi marrë pas vlerësimit të inxhinierëve bashkiakë dhe Institutit të Ndërtimit. Rrjedhimisht, shkolla ‘Emin Duraku’ Tiranë qëndron e hapur dhe do të punojë me dy turne, sepse në pjesën më të madhe është plotësisht në rregull. Pjesa e dëmtuar nuk do të përdoret deri në skanimin përfundimtar të saj nga Bashkia”.
Përveç dy objekteve arsimore në njësitë administrative rurale, për të cilat është marrë vendimi për t’u shembur e rindërtuar nga e para, edhe shkolla e rikonstriktuar vetëm një vit më parë, “Sami Frashëri”, është me shirit të kuq, duke mos u hapur ditën e djeshme. Në tabelën përbri janë shkollat e evidentuara me probleme, nxënësit e të cilave do të vijojnë gjithsesi mësimin. Krahas tyre, janë shkollat pritëse ku do të zhvillohet mësimi përgjatë kohës që do t’i duhet ekspertëve për riparimin e dëmit.
AKTKONSTATIMET
“Plasaritje të thella 45° në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë (te 9-vjeçarja), plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë (te 9- vjeçarja), dëmtim i parapetit në të gjithë godinën, shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues (te cikli i ulët). Bordi i shkollës dhe stafi pedagogjik kërkojnë vendosjen e shkallëve të emergjencës”, shkruhet në aktkonstatimin e firmosur nga dy ekspertët e Institutit të Ndërtimit në datën 3 dhjetor, shkak për të cilin u rekomandua pezullimi i mësimit deri në riparimin e dëmit.
Akti i dy ekspertëve, që mban edhe firmën e drejtuesit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliun, nuk e ka bindur këtë të fundit, i cili ka vendosur të shkojë personalisht të nesërmen tek “Emin Duraku”.
Tra i dëmtuar në godinën shtesë në katin e 3-të, krisje e parapetit në të gjithë perimetrin, plasaritje diagonale në mure dhe korridore klasash në shtesë, shkëputje e godinave në pjesën e bashkimit janë dëmet e konstatuara, të cilat e bëjnë godinën, për drejtuesin e institutit, pjesërisht të përdorshme. Kaq ka mjaftuar që MAS të heqë shiritin nga dera kryesore për ta zhvendosur te godina ngjitur dhe të hapë dyert këtë 9 dhjetor, duke mbyllur vetëm shtesën që i është bërë ndërtesës.
Vendimi në fjalë ka ngjallur pakënaqësitë e prindërve, të cilët kërkojnë t’u vihet në dispozicion certifikata e sigurisë për gjendjen fizike të godinës. Ata kanë nisur firmosjen e një peticioni drejtuar MAS, ku kërkohet garanci për sigurinë e godinës, që bën të mundur zhvillimin normal të mësimit.
Shkolla e dëmtuar Shkolla Pritëse
“Sami Frashëri” “Qemal Stafa” e “Sinan Tafaj”
“16 shtatori”, Pezë Godinë e gjetur
Kopshti Tufinë “Pal Engjëlli”
Shkolla Pajun Ambient me qira
Pezë e Vogël “Seit Brahja”
“Lasgush Poradeci” “Myslym Keta”
“Murat Toptani” “At Zef Pllumi”
“26 nëntori” “Besnik Sykja”
“Musine Kokalari” “Betim Muço
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al