Flamurtari “zhyt” në krizë Kukësin, Tirana nuk ia del as në Kavajë me Besën, teksa Skënderbeu rimerr kryesimin së bashku me Teutën, pas fitores në Krujë ndaj Kastriotit. Tirana humbet sërish, këtë herë në Kavajë. Besa i mposht 1-0 dhe i çon kryeqytetasit në vendin e 8-të. Bardheblutë nuk dinë të fitojnë në transfertë, duke pësuar një tjetër disfatë, që e rëndon edhe më shumë situatën e tyre në renditje. Dje debutoi në krye të pankinës trajneri Alpin Gallo, por ekipi i tij nuk ia ka dalë dot. Që në minutat e para bardheblutë pozicionohen në zonën e vendësve, por pa konkretizuar si duhet. Reagon Besa, teksa në minutën e 9-të Mustafa tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin. Kundërpërgjigjen kryeqytetasit në minutën e 14-të, teksa një goditje dënimi krijon rrezik për portën e Besës. Ekzekuton Limani, i cili hedh topin në zonë, Semedo e kthen atë te Pashaji, që gjuan dhe shënon. Por goli anulohet, pasi pretendohet për prekje me dorë nga portugezi. Në të 18’ Çota kroson në zonë, Semedo me kokë, por topi përfundon jashtë kuadratit. Në minutën e 31-të, aksion personal i Berishës: ai merr topin nga mesfusha, futet me lehtësi në zonë, duke mos gjetur shqetësim prej mbrojtjes mike dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-0. Pas këtij episodi, kavajasit ndiejnë siguri dhe për pasojë shtojnë presionin. Pjesa e dytë flet më së shumti për miqtë, të cilët tentojnë me të gjitha mënyrat për të barazuar, por në fund, edhe për faktin se mbeten me një lojtar më pak (Taku del me të kuqe), dalin të humbur nga stadiumi i Kavajës. Përmbysje fantastike e Flamurtarit në fushën asnjanëse të Beratit, duke fundosur nga ana tjetër Kukësin, tashmë në krizë totale. Vlonjatët e drejtuar nga Ernest Gjoka rikthehen te fitorja pas një muaji e gjysmë pa e shijuar atë. Cikalleshi do të shënonte i pari për Kukësin në minutën e 39-të, por reagojnë menjëherë kuqezinjtë me anë të kapitenit Franc Veliu, i cili barazon në fund të fraksionit të parë të lojës. Teksa në pjesën e dytë ishte Mici ai që vulosi trepikëshin kuqezi. Një tjetër goditje për nënkampionët, që tashmë dëshmojnë qartë se janë përfshirë nga një krizë rezultatesh, pavarësisht ndërrimit të trajnerit, largimit të Cungut dhe ardhjes së Shensojit. Nga fitorja e fundit e verilindorëve ka kaluar plot një muaj ku ekipi i drejtuar asokohe nga trajneri shkodran Armando Cungu do të fitonte me rezultatin minimal ndaj Kastriotit 0-1 në Krujë. Ndërsa kampionët e Skënderbeut kishin udhëtuar drejt Krujës. Aty ku kanë ruajtur një traditë mjaft pozitive në të gjitha transfertat e viteve të fundit. Me përgjegjësinë e ruajtjes së kreut, i cili u kërcënohej nga “djemtë e detit”, korçarët nuk e kanë pasur të lehtë ndaj Kastriotit, por në fund kanë arritur të fitojnë falë golit të Morinës. Barazimi në shtëpi me Teutën, në sfidën direkte, e bënte të nevojshme kthesën për Josën dhe të tijtë. Të paktën ata kishin privilegjin e njohjes së rezultatit të rivalëve të tyre, të cilët mundën 2-1 Laçin dhe kryesuan të vetëm për një ditë, ndaj llogaritë përse luftonin në Krujë i kishin të zbardhura. Duhej fitorja dhe ajo është arritur.
java e 9-të
PARDJE
Bylisi-Lushnja 1-1
Izuçuku 55’ / Canka 17’ (p)
Teuta-Laçi 2-1
Mancaku 36’, Murriqi 87’/ Veliaj 76’
Partizani-Vllaznia 0-1
Shtubina 49’
DJE
Flamurtari-Kukësi 2-1
Veliu 45+1’, Mici 73’/ Cikalleshi 39’
Kastrioti-Skënderbeu 0-1
Shënues: Morina 33’
Besa-Tirana 1-0
Berisha 30’
Kategoria superiore
RENDITJA
Nr EKIPI N F B H G+ G- P
1. Teuta 9 5 4 0 15 9 19
2. Skënderbeu 9 6 1 2 14 8 19
3. Vllaznia 9 5 1 3 15 9 16
4. Partizani 9 4 2 3 7 6 14
5. Laçi 9 4 1 4 6 8 13
6. Lushnja 9 3 3 3 7 8 12
7. Bylisi 9 2 4 3 11 10 10
8. Tirana 9 3 1 5 3 8 10
9. Kukësi 9 2 3 4 7 10 9
10. Kastrioti 9 3 0 6 6 9 9
11. Flamurtari 9 3 2 4 8 10 8
12. Besa 9 2 2 5 7 11 8
SHËNIM: Flamurtari -3 pikë, i dënuar nga Disiplina.
Sherr Alikaj-Shensoji
Enkel Alikaj nuk ka qenë pjesë e Kukësit për transfertën e djeshme në Berat ndaj Flamurtarit. Lojtari ka debatuar ashpër me trajnerin Naxhi Shensoji një ditë më parë gjatë seancës stërvitore. Kur Alikaj ka nuhatur se nuk do të ishte titullar në këtë ndeshje, pavarësisht se po kalon një formë të mirë sportive, i ka kërkuar llogari teknikut turko-kosovar. Ky i fundit nuk është përmbajtur teksa e ka lënë lojtarin jashtë 18-shes.
Gjoka: E merituam fitoren
Në konferencën për shtyp dhënë pas takimit, tekniku tiranas i Flamurtarit, Ernest Gjoka, u shpreh i kënaqur me fitoren. “Kemi arritur të kthemi te rezultati pozitiv pas një periudhe të gjatë. Mendoj se duhet të vazhdojmë të fitojmë. Ne asnjëherë nuk kemi thënë që jemi ekip pretendent për titullin kampion. Pavarësisht nga problemet që patën, si heqja e tri pikëve dhe zhvillimi i takimeve jashtë fushës sonë, ne do vazhdojmë të mbajmë të njëjtin ritëm”.
Starova dorëhiqet, por Gjici refuzon
Humbja e pësuar kundër Flamurtarit dhe në Berat nuk ka kaluar pa shqetësime në kampin kuksian. Sulejman Starova fill pasi ka mbaruar kjo përballje, e cila u humb me shifrat 1-2, ka kërkuar dorëheqjen nga posti i drejtorit teknik. Kontestimet e tifozëve veriorë gjatë ndeshjes së djeshme, kanë bërë që ai të kërkojë te drejtuesit e klubit largimin nga detyra e tij. Mirëpo, një gjë e tillë është refuzuar kategorikisht prej presidentit Safet Gjici, i cili nuk ka pranuar kurrsesi dorëheqjen e drejtorit teknik. Madje, ka qenë pikërisht ai që pas shumë këmbënguljeve arriti ta bindte që të mos largohej. Gjici i ka kërkuar “Bobit” që të mos nxitohej në vendimin e tij dhe pas përpjekjeve të presidentit të këtij ekipi, Starova vendosi që të tërhiqej dhe mos të vinte në zbatim dorëheqjen.
LEONARD KARAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al