ALMA MILE/ Poeti Bardhyl Londo refuzon të pranojë se tërheqja e Fatos Arapit nga jeta publike erdhi si pasojë e sëmundjes. Sipas Londos, ai u tërhoq, ashtu si edhe Lasgush Poradeci për t’i ikur realitetit të ashpër, të përditshmes së shëmtuar për të jetuar vetëm me poezi e për poezinë.
Londo tregon për shpirtin e poetit hedhur në vargje dhe mungesën e nevojës për t’u marrë me politikë, si gjatë viteve të regjimit komunist, ashtu edhe në rënie të tij. “Poezia e tij s’kishte nevojë për paterica”, thotë Bardhyl Londo.
Çfarë përfaqëson Fatos Arapi në letërsinë shqipe?
Fatos Arapi është një emër i madh dhe i veçantë në letërsinë shqipe. Në enciklopedinë e letërsisë sonë ai do të ketë gjithnjë germën e vet, e cila sa herë ta hapim, do të na tërheqë vëmendje. Ai ishte një poet i madh dhe dhimbja e ikjes së tij ishte po aq e madhe, po aq e pazëvendësueshme dhe e pangushëllueshme. Mund të them se ai është një poet me një jetë krejt të veçantë, që jetoi me poezinë dhe për poezinë. Asnjëherë nuk u ngatërrua me probleme politike që t’i shtonte famë vetes.
Viteve të fundit ai ishte tërhequr nga jeta publike, cila qe arsyeja?
Jeta e tij më kujton jetën e Lasgush Poradecit, që hoqi dorë thuajse nga vetë jeta dhe jetonte me qiejt dhe me të vdekurit, bënte një jetë jo të mbidheshme, ndërkohë që poezia e tij jetonte mes njerëzve, e gjallë. Dhe Fatosi bëri thuajse të njëjtën gjë dhe shkëputjen e tij nga jeta publike, për të cilën njerëzit thonë shumë gjëra, unë nuk e lidh me sëmundjen e tij. Ai u shkëput nga jeta publike, pasi shihte shumë gjëra që e trishtonin, e mërzisnin, që i shkaktonin një dhimbje shumë të madhe. Madje edhe ne, miqtë e tij kishim vite që nuk e takonim. Ai ishte i tmerruar nga realiteti qe e rrethonte, një realitet i ashpër dhe ai ndihej i pafuqishëm që të ndikonte në të. E vetmja armë që ai kishte, ishte poezia. Ai u vetizolua që të mos shihte atë që ndodhte në jetën e përditshme, madje edhe kur dilte, ishte gati i mbyllur. Edhe sytë i mbyllte. Nuk përzihej me gjëra banale. Ai jetonte në një realitet që ai e ëndërronte, por përditshmëria ishte krejt e kundërta.
Ashtu si e thatë edhe ju, ndryshe nga shkrimtarë e poetë të tjerë të brezit të tij ai nuk u përzie me politikë…
Poezia e tij nuk kishte nevojë për paterica për t’u mbajtur, pasi ajo fliste vetë. Madje, edhe në vitet më të vështira që ka kaluar letërsia shqipe, kur gjithçka ishte e detyrueshme të kthehej në agjitacion dhe propagandë, ai vazhdoi të shkruante poezinë e tij, poezinë e shpirtit njerëzor, të dhimbjes njerëzore, të lotit njerëzor, madje ai është edhe kritikuar për këtë. Prandaj ajo është e bukur dhe e veçantë, e pangjashme me vargjet e poetëve të tjerë shqiptarë, të traditës e bashkëkohorë. Poezia e tij mbeti poezi.
Ju e keni njohur personalisht, çfarë do veçonit nga bisedat apo karakteri i tij?
Ajo çka nuk do të harroj kurrë, janë sytë e tij, me një kthjelltësi të papërsëritshme, që ishin gjithnjë në të qarë. Lotët i kishte gati dhe ne shpesh qeshnim me njëri-tjetrin. Por ata sy, ata lot ishin shprehje e dhimbjes njerëzore. Por ishte edhe një lloj revolte kur shihte se si hapësirat publike ziheshin nga njerëz që nuk e meritonin. Sytë e tij lotonin për njeriun. Nuk do ta harroj dikur në Sofje, ku ai kishte bërë shkollën dhe ne shkuam së bashku. Atje ai takoi një vajzë që kishte dashur dhe kishte bashkëjetuar për disa vjet. Ishin njohur të rinj dhe takoheshin pas 50 vitesh në moshë të thyer. I pashë se si qanin të dy. Ajo ishte Tanja, së cilës i ka kushtuar poezi që në vitet ’60: “Dashuri me emrin Tanja”.
Ç’humbasim me vdekjen e Fatos Arapit?
Me vdekjen e tij kemi vdekur të gjithë nga pak. Të gjithë jemi pak pjesëmarrës në një krim, pasi me veprimet tona, me atë që bëjmë çdo ditë, e detyruam të tërhiqej brenda vetes, në shtëpinë e tij dhe të jetonte vetëm me vargjet e tij. Ai do të mbetet një poet i dhimbjes njerëzore, që do t’i vijë në ndihmë gjithmonë njeriut me poezi, kur të ketë nevojë të gjejë shpirtin e tij.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al