Rrëfimi i sozisë së Ozilit: Dua të luaj bashkë me fantazistin gjerman

Nov 7, 2017 | 23:15
SHPËRNDAJE

Teuta njihet si një nga ekipet që i jep mundësinë për t’u eviden tuar talenteve të rinj në futbollin shqiptar, ndaj shumë lojtarë në fillim të karrierës nuk e mendojnë dy herë kur kërkohen nga bregdetarët. I tillë është edhe rasti i Jurgen Peqinit, sulmuesi që u afrua këtë verë nga skuadra e Elbasanit. Përpos cilësive që ka, Peqini njihet ndryshe edhe si sozia e Mesut Ozilit, për shkak të ngjashmërisë fizike dhe ndoshta një ditë mund të luajë me të.

jurgen peqini mesut ozil

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, 19- vjeçari i Teutës tregon për karrierën e tij të shkurtër deri më tani, teksa rrjedh nga një familje sportistësh, pasi është i biri i ish-futbollistit elbasanas, Kastriot Peqini. Fillimisht sulmuesi shpreson të bëjë mirë me Teutën dhe, në të ardhmen, të militojë në një kampionat europian dhe, pse jo, një ditë të mbërrijë në Kombëtare, pasi më parë ka qenë te moshat e U- 17 dhe U-19.

Peqini, këtë sezon kaluat nga Elbasani te Teuta. Si e shihni këtë lëvizje në karrierë?

Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Teutës, pasi është një skuadër tradite dhe që u jep shumë mundësinë të rinjve. Këtu besoj se do të kem më shumë mundësi që të tregoj veten time.

Megjithatë, edhe tek Elbasani spikatët, pavarësisht se skuadra ra nga kategoria apo jo?

Isha pjesë e moshave dhe luaja në ekipin e parë. U përpoqa të jap maksimumin tim dhe shënova disa gola (4) të rëndësishëm, por për fat të keq në fund nuk shpëtuam dot. Elbasani ishte si një fshat, nuk kishte as kushte, asgjë. Kurse në Durrës është krejt ndryshe, vjen “era” futboll.

jurgen peqini

Megjithatë, te Teuta nuk keni pasur ende shumë hapësirë deri më tani…

Kam luajtur në tri ndeshje, një në kupë dhe dy në kampionat. Nuk ka asnjë problem për mua, mjafton të bëj detyrën time në stërvitje dhe të jap gjithnjë maksimumin. Të tjerat vijnë vetë më pas.

Luani përballë Luftëtarit ndeshjen e ardhshme, si e shihni?

Normalisht nuk është një ndeshje e lehtë, por ne do të japim maksimumin tonë në këtë përballje. Në çdo sfidë ne hyjmë në fushë për më të mirën, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë dhe ku luajmë.

Pavarësisht cilësive në fushë, shpesh ju krahasojnë edhe me Mesut Ozilin, për shkak të ngjashmërisë fizike. Si ndiheni?

(qesh)… Është diçka që ma vënë në dukje shpesh. Si ndihem… nuk është se ndihem keq, të them të drejtën, sepse bëhet fjalë për një lojtar të klasit botëror.

jurgenpeqini

Ju ngacmojnë shpesh shokët?

Po, po. Gjithsesi, e marr çdo gjë me sportivitet dhe shpresoj që t’i ngjaj sadopak edhe në fushë Ozilit.

Mund të themi që është idhulli juaj?

Idhull në fakt është babai im, i cili ka qenë futbollist. Por, do preferoja t’i ngjaja shumë Ozilit në fushë.

E mendoni ndonjë ditë veten me të (Ozilin) në fushë?

Po tani ëndrra janë, ku i dihet se çfarë ndodh… Edhe pse normalisht dihet dhe kuptohet që nuk është shumë e thjeshtë. Por, për momentin, le të themi që e kam ëndërr një gjë të tillë. Por, nëse punon dhe sakrifikon, asgjë nuk është e pamundur, sidomos në futboll.

Skuadra ku do të donit të luanit në të ardhmen?

Dëshirat janë për më lart dhe normalisht çdo lojtar në Shqipëri synon të luajë jashtë. Meqenëse jemi tek ëndrrat, do të më pëlqente Arsenali, pasi është ekipi që simpatizoj. Por, fillimisht, dua të bëj mirë te Teuta, e cila më afroi dhe besoi tek unë.

Po në lidhje me Kombëtaren?

Unë kam qenë pjesë e moshave tek U-17 dhe U-19 dhe, përderisa kam luajtur aty, një ditë dua edhe Kombëtaren e madhe. Por, janë çështje që i përkasin kohës, sepse fillimisht më duhet të tregoj veten këtu ku jam dhe të arrij objektivat me Teutën.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura