Mund të konsiderohet dhe si një tornado letrare. Shkrimtari i njohur Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.
Ngrehina e një shteti që gërryhet çdo ditë nga korrupsioni, trafiqet e paligjshme dhe politikat e mbrapshta. Kjo është në themelin e këtij romani të cilën shtëpia botuese “Buzuku” sapo e ka hedhur në qarkullim. Karaktere të gdhendura deri në imtësi, egoistë të shfrenuar, prapaskena dhe porosi për ekzekutime mafioze. Këto, dhe të tjera më shumë se kaq, na vijnë në faqet e romanit “Rrënimi”, në formën e një reviste, ku gjatë shfletimit mund të shohësh si në fotografi të stampuara, të gjithë tranzicionin e shëmtuar që shqiptarët përjetojnë prej vitesh.
Dhe nëse një ushtarak përpëlitet në zyrën e tij të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ka firmosur marrëveshje të dyshimta që kanë të bëjnë me demontimin e armëve dhe shitjen e tyre, një oficer i shërbimit sekret bën lojë të dyfishtë, dhe një gazetar mundohet të bëjë detyrën duke shpërthyer në faqen e parë skandalin e radhës, kemi dhe një ekzekutor me pagesë që është i gatshëm të ndërhyjë kudo për të mbyllur gojën e atij që tenton ta hapi. Nga ana tjetër, pa kërcënime dhe pa armë dhe, një punonjës banke që pas ordinatorit të tij, qarkullon në mënyrë të paligjshme miliona dollarë, duke qenë në këtë mënyrë po aq kriminel sa dhe ekzekutori me pagesë. Dhe në gjithë këtë ferr mardhëniesh ku sundon paraja e pistë, kemi dhe disa histori dashurish, flirte e tradhti imagjinare që e bëjnë romanin në vetvete më atraktiv e të lexueshëm.
Romani përfundon tragjikisht me hedhjen në erë të një ndërtese gjigante ku kriminelët që nuk pyesin për askënd, veç parave të tyre, kërkojnë të mbulojnë gjurmët e një tregtie të madhe armësh. Nga kjo situatë mbeten të vdekur dhe dy persona të tjerë në dy vende të ndryshme. Por për më shumë se kaq duhet lexuar “Rrënimi”.
“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.
Ngjarjet në roman janë të mprehta. Ato janë vendosur gjerësisht në territorin shqiptar. Që në fillim autori paralajmëron me frazën e tij se: Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe ngjarje reale është rastësi. Ndërkohë që të gjitha fenomenet e shkruara në faqet e këtij romani janë produkt i një shoqërie në tranzicion, tipike e shoqërisë shqiptare.
“Rrënimi” është një roman me një mori personazhesh, numri i të cilëve shkon në gati 80. Gjithashtu romani përmban 9 linja, të cilat duket se zhvillohen në mënyrë të pavarura nga njëra-tjetra, por që pak nga pak lidhen, për t’i çuar ngjarjet drejt një pike të vetme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al