Tiranë- Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka bërë publike këtë të martë në komisionin parlamentar të Ekonomisë projektin e kompanisë kineze “China State Construction Company” që pritet të ndërtojë Rrugën e Arbrit. Ministri theksoi se është e nevojshme pasja e një projektligji për proçedurë të veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së Arbrit.
Sipas tij, ky projektligj, do të hapë rrugë që kontrata me kompaninë kineze të nënshkruhet pa pasur nevojë që shteti të vendosë garanci për të. Pra, në rastet kur një projekt jepet me koncension, qeveria vë mënjanë një fond, një sasi parash për kompaninë, që kjo e fundit i merr në rastet kur qeveria nuk i përmbahet kontratës së nënshkruar me të. Në këtë rast, tërhiqet garancia nga ana e kinezëve.
Por kjo nuk do të ndodhë me Rrugën e Arbrit. Pasi “China State Construction Company” nuk ka kërkuar garanci. Dhe as qytetarët nuk do të paguajnë taksë për këtë rrugë.
Sepse investimin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kompania do e marrë mbrapsht nga Qeveria shqiptare, vit pas viti, nga 30 mln USD çdo vit. Projekti është parashikuar të realizohet me një shumë 210 mln USD, pa pasur asnjë garanci nga ana e qeverisë.
Kjo metodologji është një eksperiencë e ngjashme dhe në vendet e rajonit. Grupi negociator do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ekonomisë dhe Transportit dhe do të mbështeten nga një konsulence ndërkombëtare.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve për çështjen e taksimit rrugor, Ministri Haxhinasto siguroi deputetët se asnjë rrugë nuk do të taksohet pa dalë konkluzionet e studimit Strategjia Kombëtare e Taksimit Rrugor, e paraqitur në Komision nga Ministri ditë më parë, duke përjashtuar këtu vetëm Rrugën e Kombit, tender koncesionar aktualisht në proçes.
Parimi i taksimit të rrugëve do të ketë bazë komponentin e nivelit të trafikut të qëndrueshëm.
Rruga e Arbërit është një nga projektet e parashikuara nga qeveria aktuale. Fillimi i punimeve në Rrugën e Arbërit, pritet të jetë në 2016-ën dhe parashikohet të përfundojë brenda 3 viteve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al