E konsideruar “dopolavoro”,” kazermë”, “kapanon”, ndërtesë pa asnjë vlerë arkitekturore, godina e Teatrit Kombëtar është vënë në shënjestër për t’u shembur dhe në vend të tij të ndërtohet një teatër i ri. Por kjo do të bëhet me partneritet publik-privat, që i jep të drejtën këtij të fundit të ndërtojë në territorin e TK.
Historiani i artit Rubens Shima, duke iu referuar dokumenteve arkivore na tregon se godina e Teatrit Kombëtar nuk ka ashërbyer për asnjë moment si dopolavore. Çfarë ka qenë Rrethi Italo-Shqiptar “Skanderbeg”, kur nisi të ndërtohej, kur përfundoi dhe cili ishte aktiviteti i tij. Shima analizon gjithë ecurinë e debatit mbi godinën e TK-së, pse është mbajtur në terr historiku i kësaj ndërtese dhe pse mundohen të zhvlerësojnë vlerat e saj arkitektonike dhe kulturore.
RUBENS SHIMA*
Këto ditë, përmes një akti paligjshmërie, draftit “.. Për projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, qeveria filloi procedurat për shkatërrimin e së vetmes godinë futuriste të inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, ndërtesë e fillimjanarit të vitit 1938, përfunduar në shtator të 1939- s.
Pas shkatërrimit të stadiumit kombëtar, vepër e një tjetër arkitekti italian, Gherardo Bosio, ndërtesa historike e radhës, planifikuar për t’u shembur nga qeveria, është ish- godina kulturore e Rrethit Italo-Shqiptar ‘Scanderbeg”, sot godina e Teatrit Kombëtar. Gënjeshtra, spekulime, deklarata idioteske u thanë nga ofiqarë dhe sharlatanë për këtë kryevepër të arkitekturës moderniste, ndërtuar në fund të mbretërisë shqiptare; gjithçka bërë e thënë, vetëm e vetëm me qëllim shkatërrimin e saj.
Edhe mungesa e fondeve për restaurim pjesor apo të plotë, lidhet vetëm me përmbushjen e këtij plani korruptiv. Ministria e Kulturës deklaroi me shqetësim të madh se godina po shembet se është e amortizuar, se italianët e paskëshin projektuar të jetojë vetëm 15 vjet – veç mrekullia e paska mbajtur më këmbë! Thuhej se ka qenë “dopolavoro” (pas-pune) e ushtrisë italiane apo kazermë e tyre, se është karakatinë prej populiti dhe shurre, që herët a vonë do na zërë përfund stafin e teatrit etj., etj..
Ndërsa kryetari i bashkisë, pas shumë kërkimesh, zbuloi se ishte pikërisht asbesti që ndodhej në çatinë e godinës, shkaku që u kish marrë jetën disa aktorëve mbi 78 vjeç. Por, e vërteta është krejt ndryshe. I vetmi “problem” i kësaj ndërtese është njolla e bollshme dhe e majme e ndërtimit, pra toka nën të, plot 13 mijë metra katrore sipërfaqe, të paktën kaq rezulton në dokumentet e dikurshme, (sot mund të jetë rrudhur ca prej hajdutllëkut ndër vite). E dyta, është pronësia e saj publike.
Si shkak i dy të parave – pasoja është mospërfshirja e saj nga lista e monumenteve të kulturës dhe nxjerrja jashtë edhe prej zonës së mbrojtur, duke krijuar rrethanën ideale për shkatërrimin dhe grabitjen e saj, nëpërmjet një marrëveshjeje PPP-je (partneritet publik- privat). Sipas pikës 3 të projektligjit, që pritet të kalojë në Parlament, komisioni që do të ngrihet nga qeveria gëzon gjithë të drejtat për vlerësim dhe tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror dhe vendor, bazuar në legjislacionin në fuqi për tjetërsimin e tyre.
Thënë ndryshe, kalimin e pronës nga publike (të përbashkët) tek individi privat. Me këtë projektligj të ri, ndërtesa e porositur nga monarkia shqiptare, ndërtuar në bazë të marrëveshjes italo- shqiptare të janarit të vitit 1938 – aktualisht sot Teatri Kombëtar- de jure nuk ekziston më. Tanimë është shndërruar në një shesh ndërtimi, ku komisioni qeveritar do të negociojë me subjektin privat për ndërtimin e një godine të re teatrore, shumë herë më të vogël në sipërfaqe se sa ky institucion ka sot në pronësi. Përfaqësia e teatrit, e shtrënguar të pranojë këtë marrëveshje shkëmbimi, do të dorëzojë pjesën më të madhe të tokës te klienti i qeverisë.
Në shkëmbim, klienti do të ndërtojë në një cep një godinë të re betoni për Teatrin Kombëtar. Ndërsa pjesa më e madhe e tokës, dikur pronësi publike e shtetit dhe e Teatrit, do të kalojë në pronësi të firmës private për ndërtime kullash shumëkatëshe, qendra tregtare, dyqane etj., që më pas do të shiten me çmime të majme për xhepin e klientit të qeverisë dhe të ndonjë tjetër xhepi të padukshëm. Marrëveshje e denjë për një “republikë bananesh”. Ky është zhvillimi urban që pritet të pësojë kjo zonë. Sigurisht, në këtë skenar nuk mund të mungonte as arkitekti apo studioja arkitektonike e huaj, tanimë kthyer në stereotip “zhvillimi perëndimor”.
Klientelistë me procedura dhe konkurse jotransparente, me lidhje të dyshimta me pushtetin, këto studio arkitekturore të huaja, që gëlojnë në nëntokën e pistë të politikës shqiptare, shfaqen sa herë prishet një qendër qyteti, godinë a ndërtesë e vjetër. Pa asnjë ndjeshmëri dhe etikë profesionale në lidhje me historinë dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi, të paskrupuj për atë që shkatërrojnë, por edhe për atë që lënë pas, në një Tiranë që po denatyrohet sistematikisht.
Në një demokraci përfaqësuese, prona publike është në pronësi të qytetarëve, ajo është e përbashkët, e administruar në mirëbesim prej qeverisë. U përket njerëzve në përgjithësi, jo një personi, as një qeverie. Por me sa duket, ky commonsense i gjithëpranuar kudo, nuk vlejtka për Republikën tonë. E njëjta skemë që u përdor në rastin e stadiumit, ku u paracaktua si firma ndërtuese, ashtu edhe studioja arkitekturore pa filluar ende procedura e tenderit, e njëjta gjë po ndodh edhe me rastin e godinës së Teatrit Kombëtar. Por me një ndryshim të vogël: këtë radhë nevojitet një ligj që të votohet në Parlament për të legjitimuar tjetërsimin e pronës dhe shembjen e godinës.
Me një akt të përsëritur abuzivizmi, pa asnjë transparencë publike, qeveria do të kalojë në Parlament, me gjasë vetëm me votat e socialistëve, projektligjin për tjetërsimin e pronës publike në pronë private, duke mundësuar kështu shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar.
HISTORIKU, NDËRTIMI DHE FUNKSIONI I GODINËS
Urbanizimi i Shqipërisë gjatë periudhës mes dy luftërave botërore u udhëhoq prej italianëve. Italianët e konsideronin Shqipërinë si një shtrirje të territorit të vet, sesa një koloni të tyre. Rreth viteve 1928 krijohet Zyra për Ndërtim dhe Planifikim Urban të Shqipërisë në Tiranë, drejtues i së cilës në vitet 1930 –‘35 rezulton të jetë Giulio Berté. Pas përfundimit të kompleksit të ministrive nga arkitekti Florestano Di Fausto, Berté-së do t’i besohej plani rregullues i qendrës së Tiranës.
Po në ato vite, ai do të projektonte vilën e kryetarit të bashkisë së kohës, Abedin Nepravishta, godinë fatmirësisht mbetur në këmbë te Rruga e Kavajës, më pas ai do të punonte edhe për Vilën Mbretërore (Pallati i Brigadave). Në vitin 1938 do të projektonte godinën e Rrethit Italo-shqiptar “Scanderbeg”, qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, punime të realizuara nga firma “Pater”, sot Teatri Kombëtar. Godina do të përfundonte pak muaj pas pushtimit të Shqipërisë.
Në gazetën “Fashizmi” – e Mërkurë, 31 Maj 1939 – Vjeti XVII me titull: “Rrethi “Scanderbeg”- Ngrehinë e madhe kulturore, artistike dhe argtimore” – jepet një përshkrim i plotë i hapësirës që zë godina e përfunduar dhe sallat e saj. Citoj: “Rrethi “Scanderbeg”, që asht ngritë në qendrën kryesore të Tiranës: në rrethin e Sheshit të Ministrivet, përfshinë në gjanësinë e tij një vend prej trembëdhjetë mij metrash katrorë, nga të cilat shtatë mij metra katrorë, janë të mbulueme nga ndërtesa…”.
Ndërsa jep këtë përshkrim të brendshëm të ndërtesës: “Vizitori hyn në një hajat të madh e të gjanë që bashkon të dy degët e mëdhaja të ndërtesës, nga të cilat njana asht e destinueme për theatër, sallë e madhe që do mundë të përfshijë në rreth të vet, në komoditet të plotë, një sasi publiku prej tetëqind vetësh, ndërsa tjetra asht një varg sallash të mëdhaja, që vijnë njana mas tjetrës, në rend të përkryem artistik dhe që janë të destinueme: nji për pritje, nji për Biblotheke, nji për lojë, nji për restorant, nji për zyrë…Përbri të dy godinavet të mëdhaja asht ngrehun, mandej, Palestra e Gjimnastikës …. Mbas saja vjen salla e Tenisit, nji nga të cilat do të jetë e mbulueme, në fund asht pishina …” Citova të gjitha këto, për të sqaruar se kjo godinë ka nisur punimet në janar të 1938-s dhe ka përfunduar në shtator të 1939-s.
Pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të saj ka qenë dokumentimi, studimi dhe përhapja e prodhimit kulturor dhe artistik të kohës, nëpërmjet Bibliotekës, Zyrës së Informacionit, Zyrës së përkthimit letrar etj.
Pavarësisht se po e botoj të plotë (të përkthyer) statutin dhe shërbimin kulturor të Rrethit Italo- Shqiptar, i cili gjendet në Arkivin Qendror, dëshiroj të citoj: “Pika A: Biblioteka …Mbledh dokumente të letërsisë së shkruar shqiptare dhe sidomos veprat e Jeronim de Radës, Luigj Gurakuqit, Antonio Maria Zanonit, Ndre Mjedës, Patër Fishtës, Xhuzepe Skiroit, Ali Asllanit, prozatorëve Lumo Skëndo, Faik Konica, Patër Anton Harapi dhe të bashkëkohorëve, sidomos të klasikëve të gjallë si Koliqi dhe simbolistëve si Pogradeci … Pika D: Kujdeset ose drejtpërdrejt, ose duke ia besuar punënë shkrimtarëve të mirënjohuer, për përkthimin e veprave shqiptare në gjuhën italiane dhe të veprave italiane në gjuhën shqipe…”
Për ilustrim citova disa fragmente të shkëputura nga struktura e shërbimit kulturor të institucionit të dikurshëm artistik Rrethi “Scanderbeg”, për të treguar falsitetin e deklaratave të bëra me qëllim manipulimin e opinionit publik, se gjoja godina na paskësh qenë kazermë ushtarake” apo “dopolavoro” për argëtimin e ushtarëve italianë. Spekulime, bërë në injorancë të plotë me faktin historik, me qëllim zhdukjen dhe denigrimin e rolit që luajti ky institucion në emancipimin dhe kulturimin shoqëror të shqiptarëve nga 1939 deri në vendosjen e komunizmit.
Gjithashtu, përpjekja për ta paraqitur godinën si një objekt arkitektonik të pavlerë, ka për synim vetëm shkatërrimin e paralajmëruar të saj. Rrethi Italo-Shqiptar “Scanderbeg”, projektuar nga Giulio Berté nuk ka pasur funksion dopolavoristik. Ajo çka në terminologjinë fashiste quhet Organizatë e Dopolavoros (Organizata e Mbaspunës) krijuar nga Benito Musolini, u instalua në Shqipëri me krijimin e Partisë Fashiste Shqiptare. Struktura dopolavoristike shqiptare ishte pjesë integrale e aktivitetit të Partisë Fashiste Shqiptare.
Selia qendrore e Veprës Kombëtare e Paspunës do të ndërtohej në vitet e para të pushtimit nga Gherardo Bosio dhe është pikërisht Universiteti i Arteve sot. Gjatë pushtimit italian, godina e Rrethit “Scanderbeg” ka shërbyer për aktivitete kulturore dhe sportive. Pas kapitullimit italian, ndërtesa u transformua në kinema dhe ndërroi emër në “Kinema Kosova”.
Në vitet e para të komunizmit shërbeu herë si kinema, herë si sallë për gjyqet e kundërshtarëve politikë të regjimit, ndërsa godina tjetër u kthye në bar-kafe të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në 1945 mbyll kalvarin e ndryshimeve, duke u shndërruar në Teatër Popullor, sot Teatri Kombëtar. Në 2018 rrezikon seriozisht shembjen, duke marrë me vete edhe historinë e vet. Përgjithmonë! Si një ambiguitet mes futurizmit dhe racionalizmit, me një simetri ekzakte, godina karakterizohet nga linja të gjata, dinamike, që sugjerojnë lëvizje dhe lirizëm.
Është pa dyshim ndërhyrja e parë tipike moderniste, bërë nga italianët në Shqipëri me vlerë arkitektonike të papërsëritshme jo vetëm për Shqipërinë. Gjithashtu materialet e ndërtimit të përdoruara ishin më inovativet për kohën. Sipas një studimi të vitit 2008 nga Instituti Politeknik i Barit, ndërtesa u bë me materiale të parafabrikuara në Milano – një lloj çimentoje eksperimentale e përzierë me fibra plepi, i njohur me emrin komercial & quat-populit”. Pozicionuar në linjën e dytë të pasurisë kulturore arkitektonike, lënë nga italianët, pas brezit të ministrive të Di Faustos, godina në vetvete ka krijuar një harmoni të veçantë me një tjetër godinë simotër moderniste, ndërtuar 35 vite më pas, Galerinë Kombëtare të Arteve, e arkitektit Enver Faja.
Madje, mund të thuhet se ishte pikërisht godina e Giulio Berté-s ajo që kondicionoi lartësinë, linjat dhe volumet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërtesa e Teatrit, Galerisë, Hotel “Dajtit” e me radhë ndërtimet e viteve 1940 të Gherardo Bosios, përbëjnë trashëgiminë arkitekturore moderniste të Tiranës. Ky ansambël duhet ruajtur en bloc me fanatizëm si kujtesa historike e qytetit. Shkatërrimi i njërës përçudnon tjetrën, ato janë në korrelacion me njëra-tjetrën, si të tilla janë menduar dhe si të tilla duhen parë dhe ruajtur. Sot, fatkeqësisht, godinës së Teatrit Kombëtar arbitrarisht i është hequr statusi i trashëgimisë kulturore, për t’i hapur rrugë shkatërrimit dhe si rrjedhojë, edhe shëmtimit të gjithë zonës përreth.
DEBATI
Sipas Ministrisë së Kulturës, meqenëse godina është e vjetër dhe e amortizuar prej mungesës së fondeve dhe mirëmbajtjes në vite, ajo duhet prishur. Ky është i vetmi argumentim dhënë opinionit publik. Po sipas Ministrisë, restaurimi është më i shtrenjtë se ndërtimi i një godinë të re. Atëherë zgjidhja qenka fare e thjeshtë: shemb të vjetrën, bëj një të re. Ky naivitet i shprehur në deklaratë dhe argument, në fakt fsheh një skemë korruptive të qëllimshme, të menduar në çdo detaj. Hapi i parë ishte heqja në mënyrë arbitrare e godinës nga zona e mbrojtur e monumenteve të kulturës.
Hapi i dytë ishte prerja e çdo fondi mirëmbajtjeje dhe investimi me qëllim degradimin e mëtejshëm të ndërtesës dhe akti final është planifikimi i shembjes së saj, me argumentin absurd se është e amortizuar. Vjetërsia, amortizimi nuk mund të shërbejnë si argument për shembjen e një godine historike. Nisur nga ky arsyetim dhe precedent i krijuar, çdo politikan, për tekë apo për aferë korruptive, mund të bëjë rrafsh me tokën tërë Ansamblin Historik të Tiranës, pa pasur asnjë konsekuencë apo ndëshkim ligjor.
Kjo që po ndodh me këtë ndërtesë është një akt arbitrariteti i paprecedentë dhe shumë i rrezikshëm për demokracinë në vend. Godina e arkitektit Giulio Berté, si e para ndërtesë moderniste ndërtuar në Tiranë, duhet të ruhet dhe restaurohet si monument shumë i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore dhe historike të kryeqytetit. Madje, duhej plotësuar sipas dizenjove të arkitektit edhe me elementin e papërfunduar, portikun me kolonada, që lidh të dyja godinat. Teatri Kombëtar nuk e ka të nevojshme një ndërtesë të re, restaurimi tërësor i godinës ekzistuese përmbush më së miri nevojat e tij.
Këtë kërkojnë dhe aktorët – pjesa stoike, me integritet dhe e pafrikësuar e tyre. Shkatërrimi i godinës së Teatrit në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare prej qeverisë do të regjistrohet në histori si një akt vandalizmi politik, krim i së njëjtës përmasë me shkatërrimin e veprës së Di Faustos, Bashkisë së Tiranës, gjatë regjimit komunist në vitin 1980. Tek e fundit, diktatura e Enver Hoxhës shembi Bashkinë për të ngritur Muzeun Kombëtar, ndërsa Rilindja shemb godinën e Teatrit për të ndërtuar qendër tregtare dhe kulla.
STATUTI THEMELTAR I RRETHIT ITALO-SHQIPTAR “SCANDERBEG”
Neni 1
Me synim intensifikimin e marrëdhënieve miqësore mes popullit shqiptar dhe atij italian, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë në fushat kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, nën patronazhin e lartë të Madhërisë së tij Mbretit të Shqiptarëve dhe nën presidencën e Shkëlqesisë së Tij, Ministrit të Italisë në Tiranë, dhe të Shkëlqesisë së Tij Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ngrihet Rrethi ItaloShqiptar “Skanderbeg”.
Neni 2
Rrethi Italo-Shqiptar “Skanderbeg” ka seli qendrore në Tiranë dhe degë varësie në qendrat me të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Neni 3
Në realizimin e qëllimeve të Rrethit kujdeset një Drejtori e përbërë nga shërbime dhe zyra.
Neni 4
Godinat e Selisë Qendrore dhe të degëve të varësisë, si edhe materialet që Rrethi ka në dispozicion, janë pronësi e Legatës Mbretërore të Italisë, e cila ia jep ato përkohësisht në përdorim vetë Rrethit.
Neni 5
Pranimi në Rreth në cilësinë e anëtarit, si dhe përjashtimi eventual, janë tagër i padiskutueshëm i Presidencës.
Neni 6
Presidenca asistohet nga një Këshill Teknik Këshillimor, i përbërë nga … anëtarë. Ata emërohen nga Presidenca, qëndrojnë në detyrë një vit dhe në skadencë mund të rikonfirmohen.
Neni 7
Këshilli Teknik Këshillimor thirret nga Presidenca çdo herë që e gjykon të dobishme për interesin e Rrethit.
Neni 8
Në krye të shërbimeve dhe të zyrave caktohet një drejtor i emëruar nga Presidenca. Drejtori ushtron të gjitha pushtetet që i janë deleguar. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen teknike dhe administrative të Rrethit. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Teknik Këshillimor në cilësinë e Zv.presidentit.
Neni 10
Presidenca përcakton me rregullore të posaçme normat e funksionimit të shërbimeve dhe të zyrave të ndryshme të Rrethit, frekuentimin e anëtarësisë dhe kuotizacionet e detyrueshme të regjistrimit dhe ato mujore.
SHERBIMI KULTUROR
Programi i aktivitetit qendror dhe atij periferik ka tre synime: dokumentimin, studimin dhe përhapjen. Elementet janë si më poshtë:
A. BIBLIOTEKA Mbledh katalogun në mënyrë organike dhe ruan, duke mundësuar leximin në Seli, në një sektor të veçantë veprat me karakter historik, letrar dhe politik, të shkruara mbi Shqipërinë, në Shqipëri, Itali apo jashtë. Mbledh dokumentimet dhe transkriptimet e rapsodive historike shqiptare (Kangë Kreshnikësh), të këngëve të dasmave, të dashurisë, të zisë dhe të ninullave. Mbledh dokumente të letërsisë së shkruar shqiptare dhe sidomos veprat e Jeronim de Radës, Luigj Gurakuqit, Antonio Maria Zanonit, Ndre Mjedës, Patër Fishtës, Xhuzepe Skiroit, Ali Asllanit, prozatorëve Lumo Skëndo, Faik Konica, Patër Anton Harapi dhe të bashkëkohorëve, sidomos të klasikëve të gjallë si Koliqi dhe simbolistëve si Poradeci. Mbledh, katalogon dhe jep në lexim botime italiane me karakter historik, sociologjik dhe letrar të botuara nga 1925-a e më pas. Ofron konsultimin dhe leximin në mjediset e selisë të Enciklopedive kryesore dhe të revistave, si italiane ashtu edhe shqiptare.
B. EMEROTEKA Mbledh – sipas përcaktimeve të shërbimit të shtypit -, katalogun dhe jep për lexim në seli, botimet periodike dhe artikujt që trajtojnë Shqipërinë të botuara në Itali dhe jashtë.
C. Informacioni Jep informacione bibliografike mbi Shqipërinë nga 1912-ta dhe për Italinë nga 1936-ta e këtej, duke ngritur dhe mirëmbajtur përditësimin mujor të një skedari të veçantë bibliografik.
D. PERKTHIME Kujdeset, ose drejtpërdrejt ose duke ia besuar punën shkrimtarëve të mirënjohur, për përkthimin e veprave shqiptare në gjuhën italiane dhe të veprave italiane në gjuhën shqipe, si dhe për përhapjen e këtyre përkthimeve në Itali dhe Shqipëri.
E. DITA E KULTURES Mban çdo pesëmbëdhjetë ditë, të paktën gjashtë muaj në vit, biseda, leksione ose konferenca mbi tema të aktualitetit apo që lidhen me marrëdhëniet italo-shqiptare, me letërsinë shqiptare apo atë italiane.
F. RACA Studion raportet vëllazërore mes racave romano-italiane dhe asaj ilirike, si dhe përhap këto njohuri në Shqipëri dhe Itali.
G. BASHKEPUNIMI Bashkëpunon me revistën mujore të Rrethit me artikuj dhe njoftime mbi lëvizjen kulturore-shkollore dhe të organizatave rinore në Itali dhe Shqipëri, dhe mbi funksionimin e shërbimit kulturor të Rrethit.
*Historian arti
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al