Mbreti Zog u përball me një tragjedi në momentin që ai shkoi në Britaninë e Madhe. Pjesa më e madhe e valixheve të tij dhe familjarëve të tij u shkatërruan nga avionët gjermanë në portin e Liverpulit. Anija në të cilën ato ndodheshin, pasi pjesa më e madhe e valixheve të Mbretit Zog udhëtoi me një anije tjetër, u shkatërrua nga bombardimet. Por ky udhëtim ishte i siguruar dhe për më tej qeveria britanike kishte një ligj që kompensonte të gjithë ata që kishin pësuar humbje nga lufta. Në përfundim të saj, në pretendimet e para, Mbreti Zog kërkoi afërsisht 51 500 paund britanik si kompensim për valixhet e shkatërruara. Ky pretendim, i cili ishte një sasi parash goxha e konsiderueshme për kohën (rreth 14 herë vlerë më të madhe se në ditët e sotme) u njoh nga britanikët. “Si rezultat u vendos për të pranuar kërkesën që të paguhet sa më shpejt dëmshpërblimi sipas pjesës së dytë të Aktit për Dëmet e Luftës dhe u pagua në total me afërsisht 51.500 paund britanik, duke e ndarë në 10 mijë paund për Mbretin Zog, 6126 paund për secilën nga tri princeshat motra të Mbretit, 3 478 paund për princeshë Nafije Kosovën, dhe një shumë më e vogël për pjesëtarët e tjerë të familjes dhe oborrtarët e Zogut”, thuhet në një dokument të Ministrisë së Jashtme Britanike. Por, Mbreti Zog bëri një pretendim të dytë. Ai pajtoi disa avokatë që u morën me çështjen të cilët pretenduan edhe një shumë të njëjtë me këtë për disa valixhe të Mbretëreshës Geraldinë, Princit Leka dhe Nënës Mbretëreshë të vdekur prej kohësh, që ata mendonin se ato kishin humbur në Francë, e që në fakt ndodheshin në të njëjtën anije, por që ata nuk e kishin si informacion. “Në shtator të vitit 1947, ne pranuam këtë aplikim të vonuar me idenë se do të vlerësohej pasi të merrej një vendim në lidhje me këtë çështje. Sipas pretendimit të bërë, dëmi për Mbretëreshën Geraldinë ishte 29 330 paund, për Princin Leka 14. 000 paund dhe për Nënën Mbretëreshë të vdekur 4 600 paund, me një total prej 47 930 paundësh britanik. Vlerësuesi ynë ka bërë kujdes që të shohë udhëzimet me vëmendje për sa i përket mënyrës së aplikimit, në mënyrë që të mos ketë kërkesa jo të drejta”, thuhet në të njëjtin dokument. Por, shuma në total prej rreth 100 mijë paundësh nuk u pranua e gjitha. Ky dokument vërteton se Mbreti Zog transportonte një sasi kolosale valixhesh me një vlerë të konsiderueshme.
DOKUMENTI NR 1
Departamenti për Çështjet Jugore Në letrën e bashkëngjitur, situata përshkruhet si më poshtë. Avokatët e Mbretit Zog kanë kërkuar një shpagim për dëmtim në luftë të pronave vetjake të tij dhe të familjes së tij në Liverpul. Ai u pagua maksimalisht sipas politikës përkatëse që lejonte siguracioni. Në prill të vitit 1947, kërkesa e avokatëve pati kuptim për shkak të disa vonesave, të cilat kishin disa arsye. Kjo u pranua, por asnjë vendim nuk është marrë deri atëherë, ashtu si edhe për pagesën. Në prill të këtij viti, kërkesat e avokatëve u shtuan edhe më kërkesa të tjera dhe vuri në pyetje çështjen nëse ne duhet t’i marrim në konsideratë. Bordi i Tregtisë theksoi se është pjesë e rregullave tona, siç e përmendi edhe në Parlament, se asnjë pretendim i ri nuk mund të merret parasysh nëse nuk është bërë para vitit 1946 dhe se pretenduesi duhet të vërtetojë që rrethanat nuk e bënin të mundur që ai të kërkojë dëmshpërblimin më herët. Një përjashtim nuk mund të bëhet për Mbretin Zog dhe familjen e tij. Argumenti i tyre i dobët avancoi më tej duke na thënë se pretendimi i tyre nuk ishte i plotë, se nisur nga rasti me qeverinë jugosllave, Mbreti Zog nuk priste të merrte shpërblim për humbjet e tij. Për këtë arsye, por edhe për shkak të mungesës së informacionit, ai kurrë nuk i bëri të plota pretendimet e tij. Bordi i Tregtisë është i mendimit se nuk ka asnjë arsye që të paguajmë kompensime në lidhje me pretendimet e reja dhe i këtij mendimi jam edhe unë. Ata propozojnë që t’u kthejmë përgjigje për paragrafin e fundit. Përpara se të veprojmë, ne duhet të vendosim se nuk do të ketë asnjë përjashtim për rastin e Mbretit Zog dhe familjen e tij. FORD duhet të na bëjë me dije se në çfarë pozicioni dhe detyrimesh duhet të jemi para tyre. Nga pikëpamja politike, është vështirë të besohet se Mbreti Zog do të kthehet më në fronin e tij në Shqipëri. G.T.C Campbell, 2 korrik 1948 .
DOKUMENTI NR 2
Departamenti për sigurimet, Bordi i Tregtisë 22 Qershor 1948 I nderuar z. Uallinger Ne jemi konsultuar me Ministrinë e Jashtme nga vitet 1942 deri në 1944 në lidhje me dëshirueshmërinë për të bërë një pagesë në avancë, siç e ka kërkuar z. Kerran, i përshkruar si këshilltar britanik pranë Mbretit të Shqipërisë për çështjet e dëmeve të luftës, të kërkuar për llogari të Mbretit të Shqipërisë dhe familjes së tij, të valixheve të tyre të shkatërruara në Portin e Liverpulit në datat 5 dhe 6 maj 1941. Kerran mendon se një pagesë sa më e shpejtë e këtyre dëmeve do të ishte një provë me rëndësi në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë, tani që paqja po vendoset në Europë e në veçanti kur Mbreti Zog të kthehet në fronin e tij. Rose tha në letrën e saj të datës 27 janar 1944, e cila kishte pasur një korrespondencë me Dixon në lidhje më këtë çështje pretendimesh, se Ministria e Jashtme është e prirur që Mbretit Zog t’i ofrohet një trajtim sa më i mirë për sa i përket dëmshpërblimit të dëmeve të luftës. Si rezultat u vendos për të pranuar kërkesën që të paguhet sa më shpejt dëmshpërblimi, sipas pjesës së dytë të Aktit për Dëmet e Luftës dhe u pagua në total me 51.500 paund britanik, duke e ndarë në 10 mijë paund për Mbretin Zog, 6126 paund për secilën nga tri princeshat motra të Mbretit, 3 478 paund për princeshë Nafije Kosovën, dhe një shumë më e vogël për pjesëtarët e tjerë të familjes dhe oborrtarët e Zogut. Në prill të vitit 1947, kompania në fjalë, duke vepruar në llogari të Zogut, dha mundësinë për të pranuar pretendimet për kërkesat në llogari të Mbretëreshës Geraldinë, Princit Leka, si dhe për nënën e vdekur, Mbretëreshë Sadija, në një letër më 8 maj 1947. Ata deklarojnë se dy oficerë shqiptarë që kishin për detyrë të ruanin valixhet e Mbretëreshës dhe të djalit të saj të vogël u kapën nga avancimi gjerman në Francë, por në fakt nuk u mor vesh deri në tetor 1946 se ato ishin pjesë e ngarkesës për në portin e Liverpulit. Fakti që valixhet u ngarkuan konfirmohet nga zyra shqiptare e ngarkuar me punë në Paris. Pretendimi për këto valixhe nuk ishte bërë më herët sepse ata besonin se ato kishin mbetur prapa në Francë. Në shtator të vitit 1947, ne e pranuam këtë aplikim të vonuar me idenë se do të vlerësohej pasi të merrej një vendim në lidhje me këtë çështje. Sipas pretendimit të bërë, dëmi për Mbretëreshën Geraldinë ishte 29 330 paund, për Princin Leka 14.000 paund dhe për Nënën Mbretëreshë të vdekur 4 600 paund, me një total prej 47 930 paundësh britanik. Vlerësuesi ynë ka bërë kujdes që të shohë udhëzimet me kujdes për sa i përket mënyrës së aplikimit, në mënyrë që të mos ketë kërkesa jo të drejta. Lëvizja tjetër e kësaj kompanie që punonte për Zogun ishte në datën 13 prill 1948, nëse ky pretendim i vonuar suplementar mund të bëhej për Mbretin Zog dhe familjen e tij. Ata u informuan në datën 21 prill se për sa u përket humbjeve të Mbretit Zog në vitin 1941 në Portin e Liverpulit është dhënë shpërblimi në masën maksimale prej 10 mijë paundësh, siç e parashikon edhe Akti për Dëmet e Luftës dhe politika jonë për sigurimet. Ata u kthyen sërish në kërkesat e mëparshme për kërkesat suplementare të bëra për llogari të motrave, nipërve, mbesave dhe kunatave të Mbretit Zog. Për sa i përket referencës për Jugosllavinë, e kemi bashkëngjitur një kopje. Të 10 personat e përmendur janë paguar tashmë, por ka pasur edhe kërkesa shtesë, si ajo e Princeshës Nafije Kosova për 3 478 paund, si dhe 9 pallto leshi. Të tjerat pretendime janë në respekt të rregullave për vlerat e mëdha çka mund të shkojë në një shumë 25 mijë paund. Kjo shumë prej 25 mijë paundësh do të jetë për pretendimet e Mbretëreshës Geraldinë, djalit të saj dhe Nënës Mbretëreshë të vdekur. Lutja e dhënë për këtë vonesë në aplikimin e tyre mund të mos merret parasysh, nisur nga fakti se qeveria britanike nuk mund të jetë e gatshme për të dhënë shpërblime për dëmet e bëra nga armiku. Firma nga ana e saj këmbëngul se ato kishin ardhur ndërkohë në Liverpul. Por, me këtë vonesë të aplikimeve, ashtu siç e mendojmë edhe ne, nuk mund të merret parasysh. Ju do ta vlerësoni që ne e shikojmë këtë zbulim me shumë kujdes. Përveç këtij fakti që u mendua të ishte si një lloj skeme kompensimi, ne jemi të bindur se kjo mund të jetë domethënëse që ne nuk kemi dëgjuar për dhjetë kërkesat, derisa erdhi koha që të harrohej ajo që Mbreti Zog kishte marrë dhe për më tepër pretendimet e tij të pranoheshin. Në qoftë se do na duhej të shikonim dhjetë pretendimet e tij të mëtejshme, ne duhet vetëm të bënim dhe të pranonim ato veprime nga pretenduesit, të cilët janë të fundit që duhet të marrim parasysh. Së fundmi, në qoftë se pretendimet duhet të shqyrtoheshin, investigimi duhet të ishte nga më kërkuesit dhe nga më të kushtueshmit. Gjithashtu, duhet të bëhej kujdes për sa i përket krijimit të pronës, pasurisë dhe shmangies së dyfishimit. Në të gjitha rrethanat, ne u ndjemë të detyruar të refuzonim ato 10 pretendimet. Rrethanat janë të përmendura në letrën e 8 majit rreth valixheve, të cilat i përkisnin Mbretëreshës Geraldinë dhe djalit të saj të vogël, arsye të dhëna për këtë konsideratë të veçantë të pretendimeve të mëvonshme, por nuk mund të aplikohen në rastin aktual. Shumë kohë më parë, që më 21 tetor 1946, zoti Stafford Cripps, tha në Parlament se nëse nuk ka asnjë pretendim të ri, atëherë nuk mund të merret për bazë asnjë pretendim tjetër, vetëm në rast se ka pasur diçka që e ka penguar.
Juaji Sinqerisht,
E.L Mercier
ERALD KAPRI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al